Mbetjet e rrezikshme, pas një viti nis marrja e mostrave për tu analizuar në Itali 

Pas një viti të vendosura në një zonë periferike në Porto-Romano në Durrës, nisi hapja e 102 kontejnerëve të dyshuar me mbetje toksike, mostrat e të cilave do të analizohen në Itali.

Një grup ekspertësh nisi mesditën e së enjtes marrjen e mostrave nga 102 kontejnerë të dyshuar për mbetje të rrezikshme, të vendosura në zonën industriale të Porto-Romanos në Durrës. 

Në terren unifromat blu të policisë së qytetit bregdetar mbërritën të parët në zonë, duke krijuar një perimetër sigurie. Prokurorja e çështjes, Suela Beluli, e cila po ndjek nga afër hetimet, ekspertët e Laboratorit Shkencor të Tiranës, u shfaqën rreth mesditës për marrjen e mostrave.

Të pajisur me masa të plota sigurie si kostume, maska, doreza dhe pajisje hermetike, grupi i punës nisi me hapjen e kontejnerëve, nga ku u morën provat e para për tu analizuar në lidhje me dyshimet për mbetje të rrezikshme.

Mostrat mësohet se do të dërgohen për analiza në një laborator të specializuar në Itali, ndërsa procesi po monitorohet me kamera dhe pritet të zgjasë disa ditë.

Kontejnerët e dyshuar se u ngarkuan me mbetjet e furrave të çelikut të Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit, kishin destinacion Tajlandën. Por në tetor 2024, pas një alarmi nga organizatës mjedisore “Basel Action Network” (BAN), ngarkesa u kthye mbrapsht në Durrës. Anija që i transportonte, “Moliva”, qëndroi 11 ditë në det, derisa më 8 nëntor u ankorua në port dhe menjëherë pas kësaj ngarkesa u zhvendos në Porto-Romano, ku u ruajt nën masa të rrepta sigurie.

Drejtori i BAN, Jim Puckett, që vizitoi Shqipërinë më 28 tetor dhe ishte i pranishëm në portin e Durrësit ditën e mbërritjes së anijes “Moliva”, i bëri thirrje autoriteteve shqiptare për transparencë dhe një hapje publike të kontejnerëve. Ai ka kërkuar gjithashtu që qeveria shqiptare të ndajë me organizatën e tij një mostër për analiza të pavarura.  

Prokuroria e Durrësit ka nisur një hetim ndaj kompanisë eksportuese “Sokolaj” sh.p.k, e cila nga ana e saj ka deklaruar se i kishte blerë mbetjet nga kompania e prodhimit të shufrave të hekurit, “Kurum International” – ndërsa kompania “Kurum” ka mohuar që të ketë lidhje me eksportin e mbetjeve të rrezikshme, ndërsa Gjovana Sokolaj, administratore e kompanisë “Sokolaj” ka pretenduar në Prokurori se mbetjet nuk janë të rrezikshme.

Tani mbetet që rezultati i analizave të vendosë përfundimisht fatin e mbetjeve, për të cilat banorët e lagjes Porto-Romano protestuan kundër vendosjes së tyre më 11 nëntor të vitit të kaluar, duke kërkuar largimin e tyre nga zona.