Apel ndërkombëtar, Shqipëria të heqë dorë nga turizmi masiv në Parqet Kombëtare

Kongresi i Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), votoi në favor të mbrojtjes së natyrës në Shqipëri, duke e quajtur të pajustifikueshme sakrifikimin e zonave të mbrojtura për projekte në shërbim të turizmit masiv.

Organizata për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), me anë të një njoftimi për shtyp më 30 shtator bëri me dije se Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) ka votuar në favor të ruajtjes së mjedisit në Shqipëri, ndërsa i bën thirrje qeverisë shqiptare që të kufizojë ndërtimet në zonat e mbrojtura. 

“Në Kongresin Botëror të Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës u votua në favor të forcimit të kufizimeve kundër infrastrukturës së paqëndrueshme të turizmit,” shkruhej në njoftimin për shtyp itë (PPNEA).

Më shumë se 98% e anëtarëve të Unionit e miratuan këtë mocion, duke dërguar një mesazh të fuqishëm global se zonat e mbrojtura ekzistojnë për ruajtje, jo për zhvillim masiv.  

Qeveria Shqiptare ndryshoi Ligjin për Zonat e Mbrojtura në vitin 2024 si “në përputhje me kriteret e IUCN”, por në realitet ky ligj është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare të ruajtjes së natyrës.

Ligji i ri u hapi rrugë investimeve dhe projekteve të debatueshme në dëm të natyrës, të tilla si aeroporte, centrale energjetike dhe komplekseve të mëdha turistike edhe brenda zonave të mbrojtura. 

Sipas anëtarëve të Unionit Ndërkombëtar të Ruajtjes së Natyrës ky ndryshim shqetësues ligjor minon mbrojtjen e biodiversitetit, angazhimet për anëtarësimin në BE dhe qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike, duke vendosur një precedent të rrezikshëm që mund të nxisë të njëjtën mënyrë edhe në vende të tjera.

Unioni është shprehur qartë se si peizazhe të mbrojtura mund të vihen në rrezik.

“Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë ilustron qartë se çfarë vihet në rrezik. Dikur strehë për mbi 200 lloje shpendësh, përfshirë pelikanin kaçurrel dhe flamingot, kjo zonë tashmë përballet me kërcënimin e ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës dhe një kompleksi turistik prej 10,000 dhomash. Në vend që të forcoheshin, mbrojtjet janë shfuqizuar për t’i shërbyer interesave afatshkurtra të zhvillimit”, argumenton unioni.

Sipas unionit nga ligatinat bregdetare të Shqipërisë deri te Zonat e Mbrojtura në mbarë botën, mesazhi është i qartë: turizmi nuk mund të jetë justifikim për të shkatërruar natyrën.

IUCN i bëri gjithashtu thirrje Shqipërisë të rivendosë mbrojtjen kundër ndërtimit të aeroporteve, resorteve luksoze dhe projekteve të tjera të mëdha infrastrukturore në zonat e Kategorisë I & II të IUCN.

Para Kongresit Botëror të Ruajtjes së IUCN 2025, anëtarët miratuan me shumicë dërrmuese Mocionin 130 që është një kujtesë e fortë: zonat e mbrojtura nuk janë zona zhvillimi, por janë strehë për natyrën, për njerëzit dhe për gjeneratat që do të vijnë.