SPAK zbardh skemën mafioze të përvetësimit të pronave në Gjirin e Lalzit
SPAK dhe Policia e Shtetit zhvilluan një operacion në Durrës, duke goditur një grup kriminal të përfshirë në tjetërsimin dhe përvetësimin e pronave në zonën e Gjirit të Lalzit dhe vrasje me pagesë. Arrestimet prekën bandat e “Avdylajve” në Shijak dhe të “Rrumit” në Sukth.

Foto ilustruese nga resortet në Gjirin e Lalzit. Foto: Media Amfora
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bëri me dije të enjten se ka zhvilluar hetime të thelluara mbi disa vepra penale me rrezikshmëri të lartë, të kryera në bashkëpunim të posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal që kishin aktivitet të theksuar në falsifikimin e pronave në zonën e Gjirit të Lalzit.
“Hetimi i kryer në bashkëpunim me ‘Europol’, ‘Eurojust’ dhe autoritetet franceze, ka zbardhur një skemë kriminale të përfshirë në vrasje me paramendim për hakmarrje, mbajtje pa leje të armëve të zjarrit, si dhe falsifikim dokumentesh dhe korrupsion aktiv të personave me funksione publike”, shkruhet në njoftim e SPAK.
Hetimet e SPAK kanë zbuluar një grup të strukturuar kriminal që, përveç vrasjeve për hakmarrje, ishte i përfshirë në një skemë të gjerë tjetërsimi pronash në zonën e Gjirit të Lalzit, Shetaj, Bizë dhe Kërtushaj.
Grupi dyshohet se kanë falsifikuar dokumente, lëshimi i të cilave bëhet vetëm nga institucioni i Kadastrës në Këshillin e Qarkut Durrës, komisioneve të ndarjes së tokës në fshatrat, Lalëz, Shetaj, Bizë dhe Kërtushaj të këtij rrethi si dhe të ish-Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në këtë qark.
“Mekanizmi i përdorur nga anëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal përfshin falsifikimin e plotë të Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), falsifikimin e pjesshëm të AMTP-ve origjinale, përmes shtimit të numrit të parcelave, prodhimit të dokumenteve të falsifikuar dhe futjen ilegalisht të tyre në arkivën e ish (ZVRPP) Durrës, duke i paraqitur si vendime të Komisionit të Verifikimit të Titujve të Pronësisë pranë Këshillit të Qarkut Durrës.”
“Gjithashtu, mekanizmi përfshinte heqjen e fletëve të regjistrave të kartelave të pasurisë në volum, ku kanë qenë të regjistruara prona të zërit kadastral ‘Pyll’ dhe ‘Pa frut’, dhe zëvendësimin e tyre me fletë të reja të falsifikuara në formë dhe përmbajtje, ku pasqyronin të regjistruara pasuri të zërit kadastral ‘Arë’. Po kështu, janë prodhuar dokumente tërësisht të falsifikuara të praktikës së rivlerësimit të pasurisë, me qëllim hapjen e rrugës për të kaluar në fazën tjetër që ishte transferimi i pronësisë përmes aktit të shitjes apo aktit të dhurimit”, shpjegoi njoftimi i SPAK.
Sipas hetimeve pasuritë e regjistruara në kundërshtim me ligjin, regjistroheshin në emrin e fshatarëve të fshatrave Lalëz, Draç, Bizë dhe Shetaj, të cilët në pjesën më të madhe të rasteve nuk kishin dijeni se ishin pronarë të këtyre pasurive.
“Të gjitha këto veprime janë kryer me qëllimin e vetëm, realizimi i përfitimit të paligjshëm përmes shitjes së këtyre pasurive te individë apo kompani të interesuara për investime në zonën bregdetare Lalëz dhe Shetaj Rëra e Bardhë dhe Kepi i Rodonit”, saktësoi njoftimi.
Pas kërkesës së SPAK, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masë sigurie për 9 persona, nga të cilët 8 prej të cilëve i‘u caktua “arrest në burg” dhe 1 person me masë sigurie “ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Masat e sigurisë “arrest në burg” kanë prekur dy prej grupeve kriminale, të “Avdylajve” në Shijak dhe të “Rrumit” në Sukth. Ndër ta Vullnet Muça, vëllai i Aleksandër Lahos, i njohur si “Rumi i Sukthit”, gjithashtu i përfshirë në skemën e përvetësimit të pronave në Gjirin e Lalzit dhe ngjarje të rënda kriminale të lidhura me to. Muça pak ditë më parë kërcënoi drejtorin e Spitalit të Durrësit që t’i merrte mbesën në punë dhe policia nisi hetimet për të.
Ndërsa nga “Banda e Avdylajve”, u identifikua si i përfshirë Astrit Avdylaj – alias Astrit Balliu, i cili ndodhet në burg në kuadër të operacionit “Revanshi” dhe Elidon Avdylaj – alias Aldo Abdylaj. Ndërsa për Edlira Avdylaj u vendos “ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Aldo Abdylaj, Aleksandër Laho dhe shtetasit E.D, A.D., u shpallën në kërkim. Gjithashtu u arrestua Enea Kume, vëllai i deputetit socialistë më të ri të Durrësit, Loer Kume, ndërsa në kërkim u shpallën.
Sipas SPAK, grupi i goditur kishte ngritur infrastrukturën e nevojshme për të kryer vrasje për hakmarrje dhe falsifikim pronash, duke përdorur mjete, armë dhe mbikëqyrje të vazhdueshme. Hetimet e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë dokumentuar aktivitetin kriminal dhe kanë identifikuar disa nga autorët e dyshuar.
Me këtë operacion, SPAK ka zbardhur edhe vrasjen e Edmir Bregut, mikut të ngushtë të Edmond Çekiçit, ish antar i bandës së Durrësit. Porositës i atentatit, sipas SPAK rezulton të jetë Astrit Avdylaj, i cili e ka porositur vrasjen për hakmarrjen për tentativën e ekzekutimit të nipit të tij.
Grabitja dhe tjetërsimi i pronave në zonën e Gjirit të Lalzit nuk është një fenomen i ri. Prej vitesh janë zbuluar skema ku janë përfshirë edhe ish-zyrtarë të lartë të hipotekës dhe institucioneve të tjera shtetërore.
Në vitin 2019 u bë publike grabitja e rreth 68 mijë metra katror tokë në Kepin e Rodonit përmes falsifikimeve të dokumenteve të pronësisë, ndërsa në vitin 2023 u arrestua një ish-jurist i Hipotekës në Durrës pasi dyshohet se kishte përvetësuar 5 mijë metra kator tokë me dokumente të falsifikuara.