Zbulohet një tempull dhe banesë antike gjatë punimeve në rrugën Çajup-Zagori
Punimet në rrugën malore Çajup-Zagori nxorrën në dritë gjurmët e një tempulli antik të shekujve III–II Para Erës Sonë, si edhe struktura banimi që sipas autoriteteve i përkasin së njëjtës periudhë.

Fotot e strukturava arkeologjike të zbuluara. Galeri nga postimi i IKTK në "Facebook"
Punimet për rehabilitimin e rrugës që lidh Çajupin me Zagorinë nxorrën në dritë struktura arkeologjike që i përkasin shekujve III-II Para Erës Sonë, duke ekspozuar potencialin e lartë kulturor të krahinës së Zagorisë.
“Sipas vlerësimeve paraprake të specialistëve të DShA dhe DRTK Gjirokastër, bëhet fjalë për gjurmët e një tempulli antik të shek. III–II p.e.s., si dhe struktura banimi të së njëjtës periudhë”, njoftoi përmes një postimi në “Facebook”, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK).
Strukturat u konstatuan kur punimet shkuan pranë fshatit Sheper, duke sjellë ndalimin e punës dhe vlerësimin e tyre. Sipas IKTK-së po përgatitet projekti për kryerjen e gërmimit të shpëtimit, i cili planifikohet të zhvillohet gjatë muajit maj, pas miratimit nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale.
Megjithatë nuk u bë e qartë nga IKTK nëse kompania kishte marrëveshje për monitorimin arkeologjik të punimeve dhe rrethanave të ndalimit të tyre pas konstatimit të objekteve.
Zgjerimi dhe rehabilitimi i rrugës rrit mundësitë e vizitimit të objekteve të jashtëzakonshme të trashëgimisë kulturore materiale të zonës, si urat mesjetare, kishat dhe manastiret.
Por jo gjithmonë vëmendja për trashëgiminë e zonës ka qenë e duhura dhe shkatërrimi i Urës së Hoshtevës është kthyer në një simbol të dështmit të autoriteteve, që gjithashtu ka krijuar një boshllëk në shpirtin e banorëve që morën kujën pas rënies së saj.