Moikom Zeqo rikthehet në lagjen e tij në Durrës!

Këshilli Bashkiak Durrës vendosi që hapësira e gjelbër në hyrje të qytetit të Durrësit të përjetësojë emrin e eruditit Moikom Zeqo. Në një ceremoni të hënën në mëngjes, familjarët, autoritetet dhe dashamirësit përuruan tabelën emërtuese, “Parku Moikom Zeqo”.

Moikom Zeqo është cilësuar si një erudit i shoqërisë shqiptare, për kontributin që ai dha midis dy shekujve, duke jetuar mes pasionit për letrat dhe arkeologjinë.

Në 75 vjetorin e lindjes, kujtimi i Moikom Zeqos u rikthye në lagjen ku jetoi për vite të tëra, me bashkëshorten dhe fëmijët e tij. Zeqo lindi në Durrës më 3 qershor 1949 dhe vitet e para të karrierës së tij ja dedikoi qytetit bregdetar.

Këshilli Bashkiak Durrës vendosi që në përvjetorin e lindjes së tij, të emërtonte një prej hapësirave kryesore urbane, zonën e gjelbër në hyrje të qytetit. Familjarët, përfaqësuesit e autoriteteve vendore dhe dashamirësit, mbollën gjithashtu një pemë ulliri në “Parkun Moikom Zeqo”, në kujtim të kontributit të tij.

Në kujtim të Moikom Zeqos u mboll edhe një pemë ulliri. Foto: Media Amfora

Ai u shuajt 4 vite më parë, në mëngjesin e 15 qershorit 2020, duke u përjetësuar në panteonin e studiuesve më të shquar të kombit shqiptar. Zeqo u përball për disa vite me leuceminë akute dhe i kaloi javët e fundit të jetës midis apartamentit në kryeqytet dhe pavijonit të spitalit.

Zeqo nuk reshti së publikuari poezi dhe publicistikë edhe në ditët e tij më të liga për nga shëndeti. “Fata Morgana” ishte metafora me të cilën e titulloi librin e fundit. Që herët, me mbarimin e studimeve të larta në degën e Gjuhë-Letërsisë, ai punoi si redaktor letrar në gazetën “Drita”. Por shpejt pasionin për poezitë e ndërthuri me atë për arkeologjinë.

Në vitin 1979 ju bashkua për 8 vite Muzeut Arkeologjik të Durrësit, duke vijuar më tej si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë. Zeqo ishte ndër të parët që realizuan zhytje me qëllime njohëse të arkeologjisë nënujore në Shqipëri, pak të njohur deri në atë kohë. 

Ndër vite ai ngriti zërin për dëmtimin e arkeologjisë në Shqipëri, e sidomos asaj në Durrës. Zeqo u kthye në një opozitar të projekteve publike dhe jo vetëm, të cilat dëmtonin trashëgiminë kulturore dhe shtresat arkeologjike. 

Moikom Zeqo, në prill të vitit 2018. Foto: Media Amfora

Eruditi Zeqo është edhe autor i 100 librave në poezi, prozë, eseistikë dhe publicistikë. Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja, si në anglisht, spanjisht, gjermanisht etj. Në kohën e lirë ai i përkushtohej edhe pikturës, e po aq kritikës së artit.

Në vitet e para të pluralizmit politik ai u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe ju dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Po në vitin 1991 u zgjodh deputet i Partisë Socialiste dhe shërbeu deri në vitin 1996, duke spikatur si një deputet me profil intelektual.

Pas shkëputjes nga politika ai u emërua drejtor në Muzeun Historik Kombëtar. Zeqo vlerësohet sot si një nga personalitetet më të njohura të kulturës sonë kombëtare. Veprat e tij dallohen për një stil lakonik, të ngjeshur dhe njihet si pionier i post modernizmit në letrat shqipe.

Për kontributin e tij për kombin ai është dekoruar më herët me Urdhrin e Lartë “Mjeshtër i Madh” dhe “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. 


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109