Netët e muzikës klasike, “shuarja” e bienales në 20 vjetorin e krijimit

20 vite pas edicionit të parë të bienales “Netët e muzikës klasike”, që zhvillohej në Durrës, ju mbyllën dyert nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia Durrës. Organizatori dhe violinisti me famë ndërkombëtare, Florian Vlashi, tregoi në një intervistë për vështirësitë me të cilat u përballën në këtë vit jubilar dhe për nevojën që publikut t’i jepet mundësia për ndjekjen e aktiviteteve artistike cilësore.

Teksa akrepat e orës shënuan 20:00, në 1 gushtin e nxehtë të këtij viti nuk u dëgjuan tingujt e muzikës klasike që si kahera mbushte me spektatorë monumentet më në zë të qytetit bregdetar.

Thirrja e organizatorit të saj, violinistit me famë ndërkombëtare, Florian Vlashi, humbi në hapësirat boshe të Ministrisë së Kulturës dhe të Bashkisë Durrës, nga të cilat nuk mori asnjë përgjigje për fatin e bienales në këtë vit jubilar, 20 vite nga themelimi i tij.

Ky është festivali i parë i muzikës klasike në Shqipëri, por megjithëse ishte përgatitur zhvillim i tij edhe këtë vit, në mungesë të financimit Florian Vlashi njoftoi më 1 gusht përmes profilit në “Facebook”, se ishte marrë vendimi për ta ndërprerë.

“Ndjehem keq me ju. Për mua kjo ka qenë ikja e dytë nga Durrësi”, shkroi Vlashi, i cili jeton prej dekadash në Spanjë, si një ndër violinistët më të spikatur atje. Ai rrjedh nga një prej familjeve patriotike që ka ndihmuar në zhvillimin e artit dhe të kulturës në Durrës.

Media Amfora lexoi 135 reagime që Vlashi na vuri në dispozicion, ku artistë vendas dhe të huaj, muzikantë, publicistë, sipërmarrës dhe artdashës kanë shprehur indinjatën e tyre për mos mbështetjen e realizmit të bienales.  

Violinisti Florian Vlashi rrëfeu detajet për ndërprerjen e bienales dhe shpresën e tij që të ketë më shumë vëmendje ndaj aktiviteteve kulturore me karakter artistik dhe jo të orientuara vetëm drejt spektaklit.

Çfarë ndodhi që këtë vit që nuk u arrit që të realizohej aktiviteti “Netët e muzikës klasike” në Durrës?

Për realizimin e një festivali të muzikës klasike të këtyre përmasave duhet medoemos një mbështetje ekonomike. Por “mbështetje ekonomike” janë dy fjalë ku secila ka rëndësinë e vet. Nëse ajo ekonomike ka vetëm një kuptim, pra financiar, fjala tjetër mbështetja është më e gjerë sepse është edhe morale, qytetare apo njerëzore. Të dyja këto ne ja kërkuam institucioneve kulturore të Tiranës dhe të Durrësit, por nuk morëm as mbështetjen morale dhe as atë financiare. Ja një kronikë e vogël:

  • Më 24 shkurt 2023 projekti u dorëzua në Ministrinë e Kulturës;
  • Më 28 shkurt projekti u dorëzua në Bashkinë e Durrësit;
  • Më 1 mars projekti së bashku me letrën shoqëruese ju dërgua personalisht kryetares së Bashkisë Durrës;
  • Më 21 prill projekti së bashku me letrën shoqëruese ju dërgua personalisht ministres së kulturës.

Asnjë përgjigje, asnjë shpjegim, asnjë, të paktën një “më vjen keq”. Më datë 11 qershor, 50 ditë para se të fillonte festivali, pasi u këshillova me grupin drejtues pas 20 vitesh e 70 koncerteve, unë shpalla mbylljen e tij. E gjitha kjo histori duket si “Kronikë e një mbylljeje të paralajmëruar”.

A ka pasur ndonjë reagim institucional, pasi prej muajsh e kishit bërë publik këtë zhvillim?

Asnjë reagim. Sa bukur do kishte qenë një, “Më vjen keq, nuk kemi mundësi, eja të bëjmë diçka bashkë, qoftë edhe diçka të vogël, por ta bëjmë”. Projekti tashmë është në internet. Njerëzit pyesin “Pse?!”, duhej të paktën një përgjigje. 

Një përgjigje për respekt të atyre 100 muzikantëve pjesëmarrës, për ato muzikantë të rinj që shikojnë në skenë të ardhmen e tyre, për ato artdashës që i prisnin me kënaqësi “Netët e muzikës klasike”. 

Fundja duhej një përgjigje për njerëzit e atij qyteti që paguajnë taksat për shërbimet dhe për një ofertë kulturore, jo spontane, por të menduar mirë, për një ofertë kulturore dinjitoze. Të gjithë meritonim një përgjigje. Ishte e detyruar, nëse jo, me të drejtë qytetarëve u vijnë ndër mend fjalët profetike të të madhit Konica.

Bienalja “Netët e muzikës klasike” që zhvillohej në Durrës. Foto: Florian Vlashi, “Facebook”

Çfarë efekti shkakton kjo ndërprerje artistike për një artist dhe për më tepër organizator?

Nuk besoj se kjo ndërprerje prek vetëm një artist, qoftë ky edhe organizatori. Në rastin tim mendoj sipas këshillës së Niçes se duhet dominuar arti i vështirë i largimit në momentin e duhur. Por askush nuk është i pazëvendësueshëm, traditat duhen vazhduar dhe prandaj duhet parë si ndërprerje e papranueshme e një tradite të bukur, e me vlerë që i shërbente njerëzve dhe komunitetit. 

E kam thënë edhe më parë se kultura është tjetër gjë nga spektakli. E para është thelbësore, e dyta është zbavitje. Muzikanti i madh spanjoll Jordi Savall, thotë se në art nuk duhet ngatërruar suksesi i masave me suksesin kulturor. 

Të dëgjosh koralet kukuzeliane tek e shenjta Kishë e Shën Gjergjit tek kodra e Durrësit [Kodër-Vila], vatra e Nolit dhe për 40 vjet e At Erazmit apo e muzikës së Haydn-it, me tekstet e “Nënë Terezës”, që është më e fuqishme se sa të gjitha decibelet e altoparlanteve nëpër sheshet e Shqipërisë.

Sepse ajo muzikë vjen nga thellësia e tokës, e detit dhe e shpirtit. Në Durrësin tonë janë bërë shumë mëkate dhe ato mëkate nuk lahen thjesht duke larë rrugët. Pastërtia e rrugëve është shumë e rëndësishme, por pastrimi i shpirtit është ai që duhet të na mundojë më shumë, për të shlyer bashkë mëkatin dhe arti e bën më së miri këtë pastrim. 

Ndoshta është i vetmi dhe quhet katarsis, në kuptimin e mirëfilltë aristotelian, por në një farë mënyre edhe në kuptimin frojdian. 

Si do të vijojë rrugëtimi artistik i këtij festivali në të ardhmen?

Nuk e di, por unë e shikoj rrezik më të madh mungesën e një kalendari të aktiviteteve “Verë 2023”, programimi është parësor. Bienalja mblidhte rreth vetes muzikantë nga të gjitha trevat e Shqipërisë, po ashtu krijues dhe spektatorë. 

Jo vetëm kaq, por edhe shumë instrumentistë që studiojnë tek shkolla interesohen për konkursin. Apo të tjerë që studiojnë jashtë vendit, vinin me zell në Durrës për të qenë pjesë e saj, pjesë e bienales që siç më shkruante një djalë, “u rritëm me të, kemi të njëjtën moshë”. 

Pastaj, nga ana tjetër ende nuk dihen fituesit, e as shumat përkatëse për aktivitetet “Verë 2023”. Kjo heshtje, ky sekretizëm, kjo mjegull gri dhe “pa formë, si tru idioti”, asgjë të mirë nuk mund të sjellë dhe dihen pastaj se kush janë përfituesit, ujqërit. Siç thotë një proverb i vjetër, “Ujku mjegull do”.

Por dua ta mbyll me një ngjyrë pozitive dhe optimiste, e gjitha kjo bisedë është një përpjekje për artin, kulturën, edukimin. Pra për të bukurën, aty është shpresa sepse botën do e shpëtojë vetëm “e bukura” (Dostojevski).


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109