1 vit “Amfora.al”, zëri për mbrojtjen e arkeologjisë dhe monumenteve të kulturës!
“Amfora.al” lindi si një punim diplome përgjatë vitit 2017, në “Atelien e Multimedias”, pjesë e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, në Universitetin e Tiranës, viti III, Bachelor.
“Krijimi i blogut jofitimprurës“Amfora.al”përbën edhe finalizimin e një dëshire të kahershme që unë kam pasur, e që lidhet me përgjegjësinë qytetare dhe profesionale për të raportuar mbi gjendjen dhe zhvillimet e arkeologjisë dhe monumenteve të kulturës në vendin tonë”.
“Amfora.al” lindi në një moment kritik për qytetin e Durrësit, pasi përgjatë punimeve për zbatimin e projektit të sheshit të ri “Veliera”, dolën në dritë objekte arkeologjike.
Fakti që kjo është një media jofitimprurëse, bën që të përfaqësojë vetëm interesin publik dhe vlerat më të larta profesionale dhe morale.
Blogu u quajt “Amfora” sepse ky emër është simbol i një objekti konkret dhe me vlerë në proceset jetësore. Por edhe sepse blogu ka një qasje kritike dhe investiguese, me një emër që përfaqëson lënien pas dore të arkeologjisë dhe dëmtimin e saj, ashtu si amforat e lëna në harresë, në fundin e detit Adriatik dhe Jon, apo amforat që u thyen gjatë zbatimit të projektit “Veliera” dhe në disa prej shesheve të ndërtimit në qytetin e Durrësit.
“Amfora.al” solli për herë të parë një informacion zyrtar mbi zbulimet arkeologjike tek projekti “Veliera”, nga Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës (DRKK), Ledion Lako, që u shpreh se dyshohej se kishin të bënin me një banesë të periudhës osmane.
Amfora.al u bë një vit që raporton dhe e mban në monitorim të vazhdueshëm këtë kantier ndërtimi. U raportua mbi një fragment të murit rrethues të qytetit, i cili u mbulua gjatë zbatimit të projektit dhe përveç tij, mbi një varr që mund t’i përkiste periudhës së mjesjetës, që përpara se të lidhej kontrata midis bashkisë dhe institucioneve të kulturës u dëmtuan dhe nuk dihet se ku ka përfunduar ky varr.
Po ashtu u soll situata e trajtimit të objekteve arkeologjike, që përfunduan në det si pasojë e punimeve jo transparente. Gjykata Administrative Durrës, me datë 16 shkurt 2017, vendosi pezullimin e punimeve në pjesën e sipërme të projektit. Por firma që po kryente zbatimin e projektit vijoi punimet dhe mbushi me beton pilotat që do të shërbejnë për ngritjen e këmbëve të “Velierës”.
Në pjesën e sipërme të projektit “Veliera”, punëtorët e firmës private që po zbaton projektin, hapën disa gropa me thellësi 1-1.5 metër, që krahasuar me thellësinë e zbulimit të murit rrethues të qytetit apo varreve mesjetare, është e konsiderueshme.
Pas raportimit të Amfora.al për këtë veprimtari të paligjshme, gropat e hapura për mbjelljen e palmave u rimbushën me dhe.
Ajo që ishte simbol i abuzimit me arkeologjinë, ishte mbulimi me beton i një prej strukturave të zbuluara nga sondazhet arkeologjike, ai numër 3, që sipas Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë (KKA), struktura është një “pilastër romak” (që shërbente për mbajtjen, përforcimin e murit, ku supozohet prania e një porte).
Më datë 31 korrik 2017, në vijim të projektit, nisi thyerja me kazëm e murit ngjitur me Torrën Veneciane, Monument Kulture Kategoria I.
“Amfora.al” vuri në dijeni drejtorin e DRKK Durrës, Ledion Lako, i cili tha se do të dërgonte specialistët për të verifikuar rastin dhe rezultoi se u parandalua shkatërrimi i një Monumenti Kulture.
Protestat qytetare dhe reagimi i të rinjve të grupimit qytetar “Aktiv për Durrësin”, patën gjithmonë mbështetjen mediatike të blogut Amfora.
Zbatimi i projektit për “Ndërtimin e shkollës 9-vjeçare Marie Kaçulini”, rrezikoi mozaikun që i përket shekujve III-IV të Erës Sonë, i zbuluar në vitin 1968, nga arkeologu Vangjel Toçi, por edhe objekte te mundshme arkeologjike.
Kjo pasi punimet nisnin në orët e para të mbrëmjes, për të vijuar deri në mëngjes. Eskavatori gërmonte në errësirë të plotë, në një shesh tërësisht të pandriçuar dhe pa praninë e arkeologëve.
U raportua mbi Kalanë e Tiranës, që një ndryshim në VKM-në “Për Shpalljen Zonë Arkeologjike A dhe Rregullores së Administrimit të Kalasë së Tiranës”, i hapi rrugën një ndërtimi abuziv brenda territorit të saj.
Fushata elektorale në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, në shkelje të ligjit përdori edhe parqe arkeologjike. “Amfora.al” denoncoi përdorimin e Parkut Arkeologjik Kombëtar të Apollonisë, Fier, nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Socialiste. Po ashtu përdorimin e amfiteatrit të Durrësit nga Partia Demokratike.
Por “Amfora.al” ka promovuar edhe disa prej zbulimeve më me vlerë të nëntokës së Durrësit. Madje i kaloi kufinjtë e territorit shqiptar, duke shkuar deri në Kalanë e Prizrenit, për të mësuar rreth ndërtimit të kalasë dhe të “fshehtave” të saj, ku u intervistua arkeologu. Prof. Dr. Adem Bunguri.
Një cikël foto-reportazhesh solli thesaret arkeologjike të qytetit të Shkodrës, Lezhës, Kukësit, Elbasanit, Beratit dhe Butrintit.
“Amfora.al” ka qenë mbështetës mediatik për dy aktivitete që të rinjtë organizuan në qytetin e Durrësit. I pari, një forum diskutimi midis të rinjve dhe arkeologut Fatos Tartari, zhvilluar në arenën e amfiteatrit romak dhe organizuar nga organizata jofitimprurëse “Reflect and Act Organization” (RAO), me mbështetjen e Drejtorisë së Kulturës Kombëtare Durrës.
Aktiviteti i dytë, një nismë bamirësie për të ndihmuar në fundvit familjet në nevojë në qytetin e Durrësit.
Në fund të këtij vitit, “Amfora.al” synon të sjell në dokumentar i cili për herë të parë do të dokumentojë dëmtimin e objekteve dhe strukturave arkeologjike me qëllim, për hir të interesave private dhe nën neglizhencën e institucioneve shtetërore.
Me gjithë faktin se ndërtuesit dhe intitucionet shtetërore po tentojnë të bllokojnë punën tonë, ne mbetemi të vendosur për t’i shkuar deri në fund misionit për mbrojtjen e arkeologjisë dhe për të informuar qytetarët.
Gjejmë rastin të falenderojmë me përulësi të gjithë qytetarët të cilët kanë bashkëpunuar ngushtë me ne për mbrojtjen e historisë së vendit tonë dhe jemi shpresë plotë se së bashku do ja dalim të mbrojmë vlerat tona kombëtare.
Po ashtu një falenderim i përzemët shkon edhe për kolegët tanë, mediat e ndryshme, të cilat i kanë pasqyruar shkrimet tona tek faqet e tyre rreth 66 herë. Falenderojmë veçanërisht televizionin Fax News, që i dha hapësirë punës sonë në raportimin mbi ndërtimin brenda Kalasë së Tiranës.
Duke ju falenderuar që na ndiqni, me respekt themeluesi i blogut jofitimprurës “Amfora.al”, Geri Emiri.