Zjarri shkrumboi të gjithë zonën përreth Parkut Arkeologjik të Finiqit, nisin hetimet për shkaqet

Zjarri i rënë në Parkun Arkeologjik të Finiqit nuk preku asnjë prej monumenteve të kulturës, por e gjithë bimësia përreth u shkumbua. Policia e Vlorës ende nuk ka shpërndarë asnjë informacion rreth rrethanave të rënies së zjarrit, ndërkohë që mësohet se kanë nisur hetimet për rastin.

Një vatër e madhe zjarri u aktivizua mesditën e së enjtes në Bashkinë e Finiqit, duke përfshirë gjithë zonën rreth Parkut Arkeologjik të Finiqit, 20 kilometra nga Saranda.

‘Zjarret filluan në veriperëndim të parkut arkeologjik, pranë rrugës që hyn në territorin e fshatit Finiq, rruga që vjen nga fshati Blerimas’, sqaroi me anë të një postimi në rrjetet sociale, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), Blendi Gonxhja.

‘Në zonën ku ka nisur fillimisht zjarri, ka ullishte të mbjella nga banorët e zonës, si edhe banesa të banorëve. Më pas zjarri u përhap në kodrën e Parkut Arkeologjik të Finiqit, në drejtimin perëndim-lindje’, shtoi më tej postimi i Gonxhes.

Zjarri shkrumboi bimësinë përreth Teatrit Antik të Finiqit. Foto: Uesli Didani

Zjarri u ndikua nga era duke u përhapur në drejtimin veri-lindje, duke përfshirë të gjithë kodrën e Parkut Arkeologjik Finiq. Raportimet e para tregojnë se zjarri nuk cenoi strukturat arkeologjike por ai shkretoi të gjithë vegjetacionin deri në brendësi të parkut arkeologjik.

‘Për fat të mirë zjarri nuk arriti në brendësi të parkut. Fotot dhe videot e realizuara me dron një ditë pas zjarrit tregojnë se fatkeqësisht zjarri ka djegur gjithë sipërfaqen e parkut, por shihet që nuk janë prekur monumentet’, shpjegoi për Median Amfora, Uesli Didani, gazetar i  medias në internet Saranda Web (SW).

Monumentet e  periudhës romake, si teatri antik, banesa me 2 peristile, termat romake, muri fortifikues ose i quajtur ndryshe “Dafina e Ugolinit”,  kisha mesjetare, bastioni i madh dhe bazilika paleokristiane, ishin më afër flakëve të zjarrit, por nuk u dëmtuan.

‘Më pas zjarri u përhap edhe në drejtim veri-jug, duke djegur vegjetacionin që rrethon kodrën e Parkut Arkeologjik të Finiqit, si dhe dy krahët e rrugës që të çon në drejtim të Parkut, prej depos së ujit e deri tek biletaria’, sqaroi më tej në postimin e tij ministri Blendi Gonxhja.

Zjarri shkrumboi bimësinë përreth Parkut Arkeologjik të Finiqit. Foto: Uesli Didani

Zjarri u vu në kontroll vetëm gjatë orëve të vona të natës së të enjtes, ndërkohë që për shuarjen e flakëve ndihmuan të gjitha mjetet zjarrfikëse të jugut të vendit, pasi ndërhynë  edhe helikopterët nga aji, forcat e ushtrisë dhe punonjësit e Sektorit Sarandë, në varësi të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Vlorë.   

E ndërsa pamjet tregojnë se dëmet në mjedis janë të mëdha, Drejtoria Vendore e Policisë së Vlorës ende nuk ka dalë me një deklaratë për arsyet e rënies së këtij zjarri.

“Pasi situata u qetësua, policia nisi hetimet për shkaqet e këtij zjarri. Por ende nuk ka informacione në lidhje me faktin nëse ka persona të dyshuar për këtë rast’, shpjegoi gazetari Uesli  Didani.

Qyteti Antik i Finiqit ndodhet 10 km në jugperëndim të Delvinës, mbi një kodër përbri fshatit Finiq. Parku klasifikohet si monument i trashëgimisë kulturore i llojit “Arkeologji”, me emrin zyrtar Qyteti Antik i Finiqit, i miratuar në mars të vitit 1948, në tetor të vitit 1971 dhe së fundmi si “Park Arkeologjik Kombëtar” në mars të vitit 2005.  Territori është i pasur me objekte arkeologjike të cilat datohen që nga periudha klasike deri në atë bizantine.

 


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109