Zjarri në Landfillin e Elbasanit, ngrihet padia e parë për dëme shëndetësore nga ndotja
Zjarri që përfshiu Landfillin e Elbasanit në fillim të muajit korrik rezultoi me ndotje shumëfish mbi normat e lejuara të BE-së, ndërsa të martën është depozituar padia e parë kundër kompanisë së menaxhimit të mbetjeve dhe bashkisë për dëme shëndetësore nga ndotja e ajrit.

Zjarri në landfillin e Elbasanit, Foto: Bardha Nregjoni
Fatmira Serjani nga Elbasani e diagnostikuar me astmë bronkiale në formë të rëndë, depozitoi të martën një padi civile kundër kompanisë “ECO–ELB” sh.a dhe Bashkisë Elbasan, për dëmet e shkaktuara nga ndotja e ajrit pas zjarrit në landfillin e mbetjeve më 1 korrik.
Lajmin e bëri publik për mediat me anë të një postimi në rrjetet sociale organizata Drejtësi Sociale, e cila ka dalë në mbështetje të gruas dhe kauzës së banorëve të Elbasanit kundër ndotjes mjedisore të shkaktuar nga zjarret e pamenaxhuara në lanfillin e mbetjeve.
“E shoqëruar nga aktivisti dhe avokati i Drejtësi Sociale, Gentian Seriani, qytetarja kërkon dëmshpërblim për përkeqësimin e gjendjes së saj shëndetësore, si pasojë direkte e ngjarjes”, thuhet në postimin e organizatës.
Gruaja 63 vjeçare mbërriti paraditen e së martës në organin e akuzës në Elbasan, duke kërkuar drejtësi institucionale për përkeqësimin e gjendjes së saj shëndetsore si pasoja e nivelit të ndotjes tepër të lartë mjedisore që u shkaktua në qytet për ditë të tëra.
Zjarri, i cili përfshiu hapësira të mëdha të landfillit pranë inceneratorit, çliroi re të dendura tymi të zi, me erë të rëndë djegieje plastike dhe materiale organike, që për ditë të tëra u përhapën në zonat e banuara, ndërsa rasti i sëmundjes së gruas duket se nuk ka qenë i izoluar.
“Gjatë javës së parë të muajit korrik, qytetarët e Elbasanit, përfshirë edhe paditësen, përjetuan simptoma shqetësuese si vështirësi në frymëmarrje, djegie sysh, dhimbje koke dhe ndjesi të përziera”, thuhej më tej në postimin e Drejtësi Sociale.
Sipas matjeve të realizuara nga organizata CO-PLAN më 2 korrik, cilësia e ajrit në Elbasan ka qenë shumëfish mbi normat e lejuara të Bashkimit Evropian, duke përfshirë nivele alarmante të NO₂, CO₂, metanit, komponimeve organike të paqëndrueshme (VOCs) dhe grimcave PM2.5/PM10 – me pasoja të rënda për shëndetin, veçanërisht për personat me sëmundje kronike respiratore.
Elbasani është përballur edhe më parë me ngjarje të ngjashme të regjistruar pranë landfillit të mbetjeve konkretisht në vitet 2022 dhe 2023, gjë e cila sipas Drejtësi Sociale tregon se kompania “ECO–ELB” sh.a ka dështuar të marrë masa parandaluese, pavarësisht precedentëve – Kompani e cila në shumicën e aksioneve, me 52% ka aksionere Bashkine Elbasan dhe me nga 8% bashkitë: Cerrik, Prrenjas, Gramsh, Peqin, Belsh dhe Librazhd.
“Nga ana tjetër, Bashkia Elbasan nuk ka vepruar sipas përgjegjësive që i ngarkon ligji për mbrojtjen e jetës dhe mjedisit të qytetarëve”, shtoi organizata.
Sipas Drejtësi Sociale kjo padi është një hap i rëndësishëm drejt kërkimit të drejtësisë mjedisore dhe llogaridhënies institucionale, në një qytet që prej vitesh përballet me ndotje sistematike dhe mungesë transparence mbi menaxhimin e mbetjeve urbane.
Shqipëria u përfshi gjatë ditëve të parë të muajit korrik nga një valë zjarresh, ku u raportuan mbi 50 vatra nga jugu në veri, ndërsa dy rastet më problematike ishin zjarret në Elbasan dhe Finiq, vatra të cilat zgjatën disa ditë duke shkaktuar ndotje të mëdha mjedisore dhe u shoqëruan me protesta nga ana e banorëve.