Zjarri dëmtoi “Kishën e Profetit Ilia” në Tepelenë
Zjarri i rënë në çatinë e “Kishës së Profetit Ilia” në fshatin Lekël të Tepelenës solli dëmtimin e plotë të saj, por nuk depërtoi brenda objektit të kultit. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit në vend janë raportuar 37 vatra zjarresh, 30 prej të cilave janë ende aktive.

Foto: "Screenshot" nga video e shpërndarë nga "Argjiroja.net"
“Kisha e Profetit Ilia” në fshatin Lekël të Tepelenës u dëmtua nga zjarri që ra pasditen e së martës në objektin e kultit ortodoks dhe që gëzon statusin e mbrojtjes si Monument Kulture i Kategorisë II.
Monumenti mësohet se u përfshi nga flakët e zjarrit vetëm në pjesën e çatisë, i cili shkaktoi dëme të konsiderueshme në këtë hapësirë të kishës, por duke mos dëmtuar zonat e tjera të brendshme.
Shërbimi zjarrfikës dhe autoritet e tjera që mbërritën në vendin e ngjarjes bënë të mundur fikjen e vatrës, duke mos lejuar përhapjen e flakëve në pjesën e brendshmë të objektit, i cili i përket shekullit XIX, si një ndërtim i thjeshtë i tipit “tri nefëshe”.
“Kisha e Profetit Ilia” është një objekt i veçantë që përfaqëson ortodoksinë në zonën e Tepelenës dhe frekuentohet rregullisht nga banorët e fshatit Lekël.
Amfora mësoi se një zjarr i përmasave të mëdha ra mesditën e së martës në fshatin Lekël, por që nuk rrezikonte kishën, pasi flakët u shfaqën në anën tjetër të rrugës që e ndan kishën me fshatin.
E ndërsa zjarri në këtë fshat shkrumboi disa banesa, stane dhe preku një numër bagëtish, krejt papritur flakët e një tjetër zjarri u shfaqën në monumentin e kulturës, duke djegur çatinë e tij.
Në lidhje me rastin deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi asnjë nga autoritetet e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore në vend nuk kanë dhënë asnjë reagim për djegjen e çatisë së kishës, si një nga objektet e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të zonës.
Ndërsa në Lefterhor të Delvinës u raportua djegia e ambientit të brendshëm të kishës së fshatit. Por këto nuk janë episodet e para, pasi më herët përgjatë korrikut u dogj edhe “Kisha e Shën Athanasit” në fshatin Vergo, po në Delvinë.
Gjatë 24 orëve të fundit në vend janë raportuar 37 raste zjarresh, 30 prej të cilave mbeten ende aktive. Ndërsa një person i moshuar rreth 80 vjeç humbi jetën nga asfiksimit prej tymit dhe 8 të tjerë u plagosën.
Për shkak të rrezikut u evakuuan disa fshatra në qarqet Elbasan, Vlorë dhe Berat. Qeveria shqiptare edhe këtë verë u gjet e papërgatitur për t’i shuar flagët nga ajri dhe po ja del vetëm pas aktivizimit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, që solli në terren avionë dhe helikopterë zjarrfikës nga Kroacia, Suedia, Italia, Greqia, Hungaria, Republika Çeke dhe Sllovakia, që kanë punuar krah për krah me ekipet shqiptare.