Zjarret e sezonit, monumentet e kulturës shpëtuan pa dëme serioze
Shqipëria u përball këtë verë me qindra raste zjarresh nga jugu në veri të vendit. Dy kisha u dëmtuan nga flakët, ndërsa shumë monumente kulture shpëtuan pa pasoja të rënda, megjithëse u rrezikuan në një pjesë të tyre.

Foto: "Screenshot" nga video e shpërndarë nga "Argjiroja.net", e zjarrit që dëmtoi “Kishën e Profetit Ilia” në Tepelenë
Vera e këtij viti solli qindra raste zjarresh në të gjithë Shqipërinë, duke vënë në rrezik trashëgiminë kulturore në qytetet historike të vendit.
Situata e zjarreve u bë e vështirë në shumë qarqe për ditë të tëra, por objektet e trashëgimisë kulturore nuk u prekën seriozisht. Sipas autoriteve të kulturës në Qarkun e Vlorës ka pasur raste të vatrave të zjarrit që i janë afruar monumenteve, por është ndërhyrë në kohë.
“Në territorin që mbulon Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë ka pasur raste që, në afërsi të perimetrit rrethues të monumenteve, ka qenë prezent ekzistenca e vatrave të zjarrit, por në asnjë rast nuk janë prekur monumentet në brendësi të tyre, si dhe nuk është shkaktuar asnjë dëm”, shpjegoi Ministria e Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) në një përgjigje për Median Amfora.
Sipas institucionit bëhet fjalë për Parku Arkeologjik Finiq, Manastirin e Kremasovës, në fshatin Piqeras, fshati rrënojë në Kamenicë, në Kalanë e Delvinës, Kishën e Shën Triadhës në fshatin Kardhikaq, Kishën e Shën Thanasit në fshatin Pecë.
Gjithashtu në territorin e qarqeve që mbulon Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Tiranë nuk munguan rastet e zjarreve, por pa monumente kulture të dëmtuara.
“Në Muzeun e Kastriotëve që ndodhet në fshatin Sinë, brenda Njësisë Administrative Arras, në Bashkinë Dibër, rreziku u shmang falë ndërhyrjes së zjarrfikësve dhe ushtrisë”, shtoi MEKI.
Ndërsa në Tepelenë zjarri dëmtoi “Kishën e Profetit Ilia”, në fshatin Lekël, duke dëmtuar çatinë e plotë të saj, por nuk depërtoi brenda objektit të kultit – që në këtë rast ishte edhe Monument Kulture i Kategorisë II.
Një nga problematikat kryesore me monumentet e kulturës në vend është se shumë prej tyre ndodhen larg zonave të banuara dhe shpesh mungon infrastruktura e nevojshme për t’u aksesuar në rast zjarri.
“Monumentet e kulturës veçanërisht objektet e kultit në Qarkun e Gjirokastrës që janë monument kulture të kategorisë së parë, ndodhen në lartësi të madhe ku nuk ka rrugë automobilistike për të shkuar në to. Në zonën e Dropullit veçanërisht në shtrirje të Malit të Gjerë ka disa monumente të cilat janë larg rrugëve automobilistike dhe duhen rreth dy orë me këmbë për të arritur në to”, shtoi MEKI në përgjigjen institucionale.
Monumentet e kulturës të cilat janë në zona të thella janë në rrezik zjarri edhe për shkak të bimësisë që i rrethon, veçanërisht ato që ndodhen në terrene malore dhe me pyje.
“Pavarësisht masave të marra nga ana e institucioneve të DRTK-ve vendore në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera si prerja e bimësisë të ulët pranë monumenteve të kulturës, sërisht në monumente të cilat janë në zona të thella malore dhe me bimësi të lartë risku është ekzistent, pasi ndodhen në terrene malore me pyje”, shtoi MEKI.
Zjarri i rënë më 13 gusht shkatërroi kishën e rinovuar në fshatin Lefterohor të Delvinës, duke e çuar në dy numrin e objeketve të kultit të dëmtuara nga rënia e zjarreve gjatë kësaj vere në vendin tonë.
Opozita reagoi për rrezikun me të cilin u përballën monumentet e kulturës gjatë kësaj vere. Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale më 21 gusht, kërkoi që objektet e kultit, pjesë e trashëgimisë kulturore, të cilat u dëmtuan nga zjarret të mos mbeten në harresë. Ajo theksoi se evidentimi i dëmeve nuk duhet të jetë një proces rutinë i bashkive, por si detyrë e (MEKI) duhet zbatuar.
“Ministri Blendi Gonxhja, përgjegjës edhe për kulturën, duhet pa vonesa të marrë përgjegjësitë që i takojnë ministrisë së tij, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe në bashkërendim me komunitetet fetare, duke ngritur një grup ekspertësh, inxhinierësh dhe përfaqësuesish të komuniteteve fetare, që të kryejnë një inspektim të plotë për të dokumentuar dëmet dhe për të përcaktuar masat e nevojshme për restaurim”, u shpreh Zhupa në postimin e saj në “Facebook”.
Ajo kërkoi gjithashtu marrjen e masave të menjëhershme për të parandaluar dëmtime të tjera, si mbrojtja nga lagështira apo rreziku i përsëritur i zjarreve.
Monumentet e kulturës në vend mbeten nën kërcënimin e flakëve, gjë e cila kërkon kujdes dhe veprime të menjëhershme nga institucionet.