Zbulohet arsenal armësh dhe municion luftarak në Shkodër
Gjatë operacionit policor “Ndërmollasi 2” në Shkodër u sekuestruan 11 armë zjarri, mijëra fishekë dhe materiale luftarake. Dy persona u arrestuan si të dyshuar për posedimin e tyre.
Armët e zjarrit të zbuluara në Shkodër. Foto: Marrë nga video e Policisë së Shtetit.
Një arsenal armësh zjarri dhe municioni luftarak u zbulua të hënën në fshatin Ura e Shtrenjtë në Shkodër gjatë operacionit policor “Ndërmollasi 2”, pas kontrollit të kryer në një banesë të lidhur me një hetim të mëparshëm penal.
“Gjatë operacionit u gjetën dhe u sekuestruan 11 armë zjarri, 5506 fishekë luftarakë, krehra armësh dhe fitil detonator”, njoftoi Policia e Shtetit.
Sipas policisë, kontrolli u realizua nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në bashkëpunim me forcat operacionale dhe në drejtimin e Prokurorisë, si pjesë e vijimit të operacionit të nisur më herët me emrin “Ndërmollasi”, i nisur në fund të vitit 2025.
“Për posedimin e materialeve të paligjshme u arrestuan shtetasit Sami Meaj, 29 vjeç dhe Selim Myrtja, 31 vjeç, të dy banues në fshatin Ura e Shtrenjtë, të dyshuar si bashkëpunëtorë të një personi të arrestuar më parë”, thuhet më tej në njoftim.
Sipas policisë, gjatë kontrollit u sekuestruan edhe 25.2 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, si dhe dy palë targa të huaja, njëra e shtetit të Gjermanisë dhe tjetra e shtetit të Austrisë, të cilat u morën në cilësinë e provës materiale për hetimet në vijim.
Policia bëri të ditur se hetimet vazhdojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rast.
Zbulimi i armëve rikthen në vëmendje problematikën e armëve të paligjshme që vijojnë të qarkullojnë në vend, shumë prej tyre të mbetura në duart e qytetarëve që prej trazirave të vitit 1997.