Zbulohen armë në një automjet të pazhdoganuar, me destinacion Kongon

Në një automjet që qëndronte prej tre vitesh i pazhdoganuar në Portin e Durrësit u gjetën të fshehura 3 armë zjarri dhe një sasi municoni luftarak, ndërkohë që destinacioni ka qenë Republika Demokratike e Kongos.

Tre armë zjarri dhe 1580 fishekë luftarakë u gjetën të shtunën të fshehura në një automjet në sheshin e kontenierëve në Portin e Durrësit. Kontenieri ku ndodhej automjeti, ishte i mbyllur në sheshin e kontenierëve në port që prej dhjetorit të vitit 2022, pasi dërguesi nuk ishte paraqitur për të kryer veprimet doganore.  

Në datën 4 qershor, Autoriteti i Degës së Doganës Durrës vendosi kryerjen e procedurës së hapjes dhe kontrollit të këtij kontenieri brenda të cilit u hap mjeti që ndodhej në të ku u gjetën armë edhe municione.

“Gjatë kontrollit fizik të ushtruar në automjetin “Land Rover” shërbimet e policisë konstatuan në brendësi të mjetit në një hapësirë të përshtatur 2 armë zjarri automatike, 1 armë zjarri pistoletë, 1580 fishekë luftarakë  të kalibrave të ndryshëm dhe 12 krehra fishekësh për armë automatike dhe pistolete”, tha policia e Durrësit në njoftimin për shtyp të shpërndarë për mediat.

Në videon e vënë në dispozicion  nga policia vihet re se në pjesën e poshtme të automjetit ishin fshehur armët e zjarrit të mbështjella me qese të zeza dhe të siguruara në pjesët automotorike. Ndërsa në një nga gomat e automjetit është gjetur një pjesë e sasisë së municioneve. Ndërsa sasia tjetër e municioneve është gjetur e fshehur brenda mjetit poshtë sendiles së pasagjerit.    

 Automjeti “Land Rover” me ngjyrë të bardhë ishtë tranzit doganor nga Kosova për në Shqipëri me destinacion përfundimtar Republikën Demokratike të Kongos edhe kishte hyrë në vendin tonë nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar të Morinës në datën 20 dhjetor të  vitit 2022.

Policia tha se bëri të mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim të autorit të dyshuar të posedimit të armëve dhe të përfshirë në trafikimin e armëve dhe municioneve nga Kosova me destinacion Republikën Demokratike të Kongos.

Sipas policisë u shpall në kërkim i riu nga Kosova me inicialet  Y. I, 24 vjeç, për të cilin vijon puna në bashkëpunim me Policinë e Kosovës për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Policinë Kufitare nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Durrës po vijojnë veprimet hetimore  në bashkëpunim dhe me autoritet kosovare për dokumentimin e plote ligjor të këtij rasti me qellim identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale .