Zbulim arkeologjik i rrallë në Dibër, del në dritë varri monumental romak
Arkeologët kanë zbuluar në Strikçan të Bulqizës një varr monumental unik të Periudhës Romake, që sipas autoriteteve është i pari në Qarkun Dibër. Monumenti përmban mbishkrime në dy gjuhë dhe objekte funerare të rralla, datuar në shekujt III-IV e.s.

Varri monumental i Periudhës Romake. Foto: Instituti i Arkeologjisë
Instituti i Arkeologjisë njoftoi mbrëmjen e 1 shtatorit se në fshatin Strikçan të Bulqizës është zbuluar një varr monumental që i përket Periudhës Romake, një gjetje e rrallë për Qarkun e Dibrës dhe më gjerë.
“Ky monument përveç arkitekturës të veçantë përmbante dhe të dhëna të rëndësishme arkeologjike dhe epigrafike, ku për herë të parë zbulohet një mbishkrim romak në zonën e Dibrës, ‘bilingual’, në dy gjuhë, i cili i kushtohet individit të varrosur në këtë varr, i quajtur Gelliano, si dhe një dedikim drejtuar perëndisë më të rëndësishme romake Jupiterit”, shpjegohej në postimin e Institutit të Arkeologjisë.
Ky varr monumental i Periudhës Romake i zbuluar në Bulqizë, sjell të dhëna të reja për historinë dhe trashëgiminë arkeologjike të zonës së Dibrës.
Varri edhe pse është grabitur që në periudhën e lashtësisë por edhe më pas, përmbante një pjesë të inventarit, i cili përbëhej nga enë qelqi të tipologjive të ndryshme, krehër kocke, thika dhe ruhej një pjesë e madhe e tekstilit e thurur me fije ari, me të cilin individi ka qenë varrosur.
Varri i zbuluar është ndërtuar me arkitekturë monumentale, i ndarë në tre ambiente dhe i dekoruar me elementë gjeometrik në stuko. Sipas arkeologëve, tiparet e tij sugjerojnë se monumenti mund të ketë qenë një mauzoleum.
“Varri është ideuar në tre ambiente: dhoma e varrimit, paradhoma dhe shkallarja monumentale. Muret e shkallares kanë qenë të dekoruara me motive gjeometrike në stuko të cilat ruhen ende. Përvec pjesës nëntokësore funerare, arkeologët kanë evdientuar struktura muresh në pjesën e sipërme të varrit, të cilat sugjerojnë që ky monument mund të ketë qenë i tipit mauzoleum”, shpjegohej në njoftimin e Institut të Arkeologjisë.
Zbulimet e rralla nuk ndalen këtu, pasi në afërsi të varrit monumental është zbuluar dhe një tjetër mbishkrim funerar i cili pritet te analizohet më tej për shkak të gjendjes së dëmtuar të tij.
“Materiali ndërtimor kryesisht përbëhet nga gurë të përmasave të mëdha të punuara në trajtë kornizash, të cilat janë marrë nga gurore larg lokalitetit në fjalë. Inventari, teknika e ndërtimit si dhe të dhënat epigrafike e datojnë këtë monument unikal në shekujt III-IV e.s”, bëri me dije Instituti i Arkeologjisë.
Arkeologët besojnë se kërkimet e mëtejshme do të zbulojnë fakte të reja, që do të ndriçojnë më shumë historinë e lashtë të territorit tonë.

Varri monumental unikal, me dimensione të mëdha rreth 9 m x 6 m dhe dhoma funerare 2.40 m e lartë”, u zbulua gjatë punimeve arkeologjike të kryera në kuadër të projektit kërkimor-shkencor ‘Kërkime Arkeologjike në Luginën e Bulqizës’, drejtuar nga Akademik Adem Bunguri dhe ‘Msc’, Master Shkencor Erikson Nikolli”, shpjegoi më tej Instituti i Arkeologjisë, në një postim të ndarë në “Facebook”.