Vizitë në “muzeun” e Spaçit!
REPORTAZH/
Teksa udhëtonim në rrugën e kombit, papritur shfaqet një tabelë ku shkruhej “Rreps”. Pa i bërë naze, furgoni ndjek shigjetën, duke lënë rrugën 1 miliard euroshe dhe duke marrë një kthesë të fortë.
Ishim nisur për në burgun e Spaçit, në një vizitë studimore të organizuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC). Aq shumë është folur për harresën e burgut të Spaçit, saqë në mendje më kishin mbetur vetëm premtimet e ministrave të kulturës, se ky vend do të kthehej në muze. Për të mos u dukur i painformuar, nuk pyeta asnjë anëtar të grupit, nëse “rilindja” e kishte sistemuar mirë muzeun e burgut të Spaçit.
Rruga sa vinte e shtyhej në thellësi të maleve dhe poshtë saj rridhte një përrua, që nuk i kishte shpëtuar një dige që priste me padurim të përfitonte prej tij. Përveç tabelës që shkruante “Gurth Spaç” dhe “Kodër Spaç”, asnjë element tjetër i standardeve rrugore nuk dukej gjëkundi. Ishte edhe tabela që njoftonte shërbimin telefonik në zonë, që edhe sikur të ekzistonte, nuk do të kishte valë. Rruga ishte një test për aftësitë e shoferit dhe do t’a kishin zili vetëm pilotët e garave “Rally 4×4”.
Askush nuk shfaqej në këtë vend të harruar të Mirditës, 150 km larg Tiranës dhe pranë rrugës së kombit. Megjithatë, prej dy muajsh ata të cilët janë kthyer në kryefjalën e qeverisë dhe makthin e pasurive natyrore të Shqipërisë së vogël, kishin shkelur edhe këtu. Një firmë e kapitalizmit të pas’ 90-ës, kishte marrë në shfrytëzim prej dy muajsh një gurore aty pranë.
Pasi motorri i furgonit ishte “djersitur” dhe lodhur mjaftueshëm, përpara shfaqen një sërë godinash. Pak e vështirë për t’a kuptuar se për çfarë kishin shërbyer në të shkuarën. Nga hiçi shfaqet një burrë rreth të 50-ve. Quhej Gjet Gjoni. Me gjasë ai ishte ciceroni i muzeut. Dukej se respekti për këtë vend ishte aq i madh, saqë shteti për të mos i prishur identitetin, e kishte lënë gjithçka të paprekur. Zgjidhje interesante, por larg asaj që mund të përfaqësonte një muze. “Jam banori i vetëm i fshatit Spaç dhe megjithëse nuk më paguan askush, kam vendosur t’a ruaj këtë që ka mbetur këtu”, tregon Gjeta qetësisht.
Në këtë realitet të zhytur mes maleve, shteti nuk kishte mbërritur ende, por ishte i fundit i “moikanëve” të Spaçit, ai që po mundohej të shpëtonte çfarë kishte mbetur. Isha me fat që nuk kisha pyetur rreth muzeut të Spaçit! Ndërtesat dhe shtyllat me elemente hekuri, ishin “prekur” në mënyrë të pakujdesshme. Ndoshta ministria në mungesë të specialistëve nga Tirana, kishte pajtuar banorë të zonës për t’i dërguar disa prej “dëshmive” materiale të Spaçit, në Muzeun Kombëtar, apo tek bunkeri pranë ministrisë së Brendshme, a diku tjetër.
“Gjithçka është dëmtuar për t’u shitur për skrap” tregon Gjeta. Megjithatë prej tetë vitesh ky vend i ka kaluar në administrim ministrisë së Kulturës dhe me vendim të qeverisë, konsiderohet si qendër muzeale e kategorisë së dytë.
Burgu i Spaçit është përfshirë në listën e burgjeve më të tmerrshëm në botë. Ai ishte një kamp pune i njohur, i ndërtuar në vitin 1968 nga qeveria komuniste e Shqipërisë. Të dënuarit nxirnin nga miniera bakër dhe pirit. “Ishe i detyruar që të nxirrje në ditë katër ton mineral, përndryshe nëse nuk i ktheheshe punës pas tetë orësh, të izolonin në birucë për një muaj”, thotë Agim Akcani. Ishte 21 vjeç kur gjatë ushtrmit të profesionit të veterinerit, në vitin 1975, u dënua me 22 vite burg për helmimin e 98 lopëve, në Baldushk të Lushnjes.
Pas lirimit të tij në vitin 1989, ishte hera e parë që kthehej në këtë ferr të sajuar nga dora e njeriut. Për ta orientuar, Gjeta tregon me gisht mbi një kodër. “Aty lart ka qenë busti i diktatorit Enver Hoxha, që përshëndeste me dorë nga rruga”. Pak më poshtë, në “muzeun” e ngritur me fjalë boshe nga ata që duhet të jenë gardianë të respektimit të të drejtave themelore të njeriut, qëndronte një pllakatë. Nuk ishte tabelë informuese e “muzeut” mbi atë që ishte vendosur aty dikur, por një dedikim mbi atë që ka ngjarë në Spaçin famëkeq e të harruar.
“Kjo ndërtesa në hyrje shërbente për t’u strehuar familjarët dhe vetë trupa policore e burgut të Spaçit”. Ndërtesa ngrihej mbi atë pjesë toke që quhej “zona e lirë”. Një portë hekuri dhe një vend-roje, ishin ato që e ndanin me “zonën e ndaluar” të burgut (kampit).
Agimit nuk i kujtohet kjo pjesë, pasi për atë kjo zonë ishte “molla e ndaluar”. Mungesa e një tabele, skice ose fotografie, ishte ajo që do ta orientonte atë edhe ne. Por këto do të ishin një luks, duke parë trupin prej betoni të ndërtesës në “zonën e lirë”, që lëngonte nga shkulja që i ishte bërë damarëve të saj prej hekuri.
Më tej Agimi na tregon zyrat e komandës. Aty ishte vendosur një tabelë ku shkruhej “Zonë muze” dhe poshtë një numër celulari.
Këtu kuptova se kjo zonë ishte një muze paksa i veçantë, ku ministria e Kulturës ka vendosur vetëm një tabelë informuese, ndoshta për të mos dëmtuar objektet. “Këtë tabelë e kam vendosur unë për të informuar vizitorët”, më kthen në realitet i fundit i “moikanëve” të Spaçit. Më tej vëmendja përqendrohet mbi një grumbull rrobash “thatanike”. “I kam nxjerrë gjatë gërmimeve këtu dhe ishin të atyre që punonin në minierë”, tregon Gjeta. Kishte rroba mjaftueshëm për t’u ekspozuar sa në Tiranë, aq edhe në Spaç. Po fundja ç’ju duhet brezit të ri të mësojë mbi të shkuarën, kur shumë mirë mund ta ripërjetojë në një formë më të moderuar!
“Aty ishin birucat ku të sillnin për sjellje të keqe ose kur nuk plotësoje normën në punë”, tregon me gisht Agimi. Ishte vetëm një grumbull rrënojash. Neglizhenca ose dashakeqësia ishte kujdesur mirë që t’ia mbyllnin gojën njëherë e përgjithmonë, “kutisë” së vetmisë dhe britmave. Fundja zhdukja e provave të krimit nuk sjell akuza.
Mbi ndërtesa duken parrulla të ndryshme, ku fjalitë probagandistike dukeshin qartë që nuk ishin kursyer. Por as shteti nuk ishte kursyer për t’i lënë edhe më shumë të degradonin. Një parrullë e çuditshme ishte shkruar diku, “Hidhni mbeturinat në kosh”. Dikush duket se ka dashur të bëjë pak humor në vitet e tranzicionit. Po të shihte syri një kosh të vetëm, instiktivisht do të bërtisje nga gëzimi, “e gjeta!”, ashtu siç na tregoi Agimi se bërtisnin të burgosurit kur gjenin një kokërr fasule në menzë.
Në tetor të 2015-ës, Fondi Botëror i Monumenteve, e renditi burgun e Spaçit ndër 50 objektet që rrezikojnë të shkatërrohen dhe bëri apel që të merren sa më parë masat për mbrojtjen e tij. Por edhe ky apel nuk e prishi aspak indiferencën e shtetit shqiptar, që këtë vit mbush 26-vjeçe.
“Këtu ishte salla e televizorit, ku shihnim ndonjë ndeshje sporti”, tregon Agimi, “Na e sollën në përiudhën pas vetëvrasjes? së Mehmet Shehut. Aty lart ishte menza”. Salla, ose më mirë stalla, kishte mbetur, por menza ishte shuar nga “ekspertët” e vjedhjes së skrapit nën hundën e shtetit.
“Atje në fund ishte dyqani, ku mund të blije ndonjë gjë me lekët që të dërgonte familja”. Të shtynte të afroheshe vetëm mbishkrimi në një pllakë mermeri. Ishte dedikim nga të rinjtë e mijëvjeçarit të ri, mbi atë që ka ndodhur në Spaç. Të rinjë që sponsorizojnë për të kujtuar atë që ka ndodhur dhe shteti që sponsorizon për ta harruar atë që ka ndodhur.
“Turizmi” në këtë burg që duhet të ishte qendër moderne e kujtesës së vuajtjeve kolektive, është njësoj me ujin në shkretëtirë. Spaçi nuk mund të vizitohet ditën me diell, se natën jo e jo.
Gatishmërisë së zëvendësambasadores gjermane për krijimin e një muzeu në burgun e Spaçit, nuk ju përgjigj askush me zell. Madje as ambasadori amerikan, Donald Lu, që u trondit nga ajo që pa në Spaç, nuk arriti t’i shkrinte ftohtësinë politikanëve të pas 90’-ës, për të ruajtur dëshmitë e së shkuarës. Përsëri gabova! Jo vetëm për muzeun, por edhe për politikanët e pas viteve’ 90, që në radhët e tyre kanë një pjesë të mirë të projektuesve të dënimeve përgjatë periudhës së diktaturës komuniste.
Më në fund muzeun e Spaçit e gjeta! Jo në Shqipëri, por në universin e pacensuruar të internetit. www.spacimuseum.org, është shansi i vetëm për të kuptuar atë që ka ndodhur këtu, edhe këtë herë jo me sponsorizimin e ministrisë së Harresës (Kulturës), por të një organizate jofitimprurëse.