Vizitë historike e presidentes së Rotary International në Distriktin Shqipëri-Kosovë

Distrikti Rotarian 2485 Shqipëri-Kosovë është vizituar nga presidentja e “Rotary International”, Stephanie Urchick. Kjo është një ngjarje historike për rotarianët shqiptarë, si një mundësi për ekspozimin e punës në komunitet dhe forcimit të imazhit të Shqipërisë dhe Kosovës në botë.

Presidentja e "Rotary International", Stephanie Urchick, gjatë fjalës së saj për rotarianët në Durrës. Foto: Rotary Durrës

Pas ngjarjes historike të krijimit të Distriktit Rotarian 2485 Shqipëri-Kosovë, një tjetër moment që u shënua në historinë e rotarianëve shqiptarë, ishte vizita e presidentes së organizatës ndërkombëtare “Rotary”, që numëron 1.4 miliard anëtarë në të gjithë botën.

Presidentja e “Rotary International”, Stephanie Urchick, ka vizituar ditët e fundit klubet rotariane në Shqipëri dhe në Kosovë, duke u ndaluar edhe në Durrës për festimin e disa arritjeve dhe ndarjes së mesazheve të saja.

Drejtuesit e lartë dhe presidentja e organizatës ndërkombëtare “Rotary” pa nga afër ecurinë e Distriktit Rotarian 2485 Shqipëri-Kosovë, i krijuar një vit më parë, si një mundësi për t’i dhënë zë këtij distrikti në mbarë botën në angazhimin e përbashkët për projekte humanitare. 

“Jam shumë, shumë e lumtur për atë që po ndodh në këtë disktrik sepse vetëm pak vite më parë kishte 400 anëtarë dhe sot janë me mijëra”, komentoi për mediat presidentja e “Rotary International”, Stephanie Urchick.

“Kjo do të thotë se ka një pasion real për Rotary dhe njerëzit janë gati për t’i shërbyer komuniteteve”, shtoi Urchick.

Pas ndjekjes së një trajnimi për grantet globale, ajo u ndal në Shëtitoren “Taulantia”, ku pa nga afër dy fushat e basketbollit, të realizuara nga Klubi Rotary Durrës. Ky investim i dedikohet fëmijëve të qytetit, që mori edhe vlerësimet maksimale nga presidentja Urchick. 

Ajo inaguroi instalacionin e titulluar “Embracing the Ether”, konceptuar dhe realizuar nga arkitekti Indrit Hamiti. Vepra prej inoksi i dedikohet misionit të Rotary, “Të shërbejmë përtej vetes” (“Service Above Self”), që është edhe motoja kryesore e organizatës ndërkombëtare.

Inagurimi i instalacionit “Embracing the Ether”. Foto: Rotary Durrës
Inagurimi i instalacionit “Embracing the Ether”. Foto kortezie nga Rotary Durrës

Guvernatori i Distriktit Rotarian 2485 Shqipëri-Kosovë, Butrint Batalli, theksoi se po bëhet një punë kolosale nga të dyja klubet durrsake të Rotaryt, “Rotary Club Durrës” dhe “Rotary E-club Durrës”. Gjithashtu një kontribut të spikatur po japin edhe të rinjtë rotarianë, që njihen si rotaraktorë dhe janë pjesë e “Rotaract Club Durrës”. 

Presidentja e “Rotary International”, Stephanie Urchick dhe drejtuesit e organizatës ndërkombëtare kanë zhvilluar edhe takime të niveleve të larta në Shqipëri, duke u pritur edhe nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. 

“Rotary International” është një organizatë ndërkombëtare humanitare e përbërë nga profesionistë dhe liderë biznesi, të cilët angazhohen për t’i shërbyer komunitetit dhe për të promovuar paqen në nivel ndërkombëtar. Ajo u themelua më 23 shkurt 1905 në Çikago të SHBA-së, nga avokati Paul Harris dhe sot përbëhet nga mbi 46.000 klube në mbi 200 vende dhe territore, duke numëruar rreth 1.4 milionë anëtarë.