“Via Egnatia” në Peqin: midis zhvillimit të zonës dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore
Rikonstruksioni i rrugës “Via Egnatia” në Peqin, i zhvilluar me miratime ligjore në një zonë me monumente kulture, shkaktoi debat mbi mënyrën si ndërhyrjet moderne prekin trashëgiminë që duam të ruajmë, ndërsa dilema për ekuilibrin mes zhvillimit dhe kujtesës mbetet e hapur.
Ura e Fatishës Monument Kulture Kategori e Parë. Foto: Bashkia Peqin
Në Peqin, aty ku gjurmët e rrugës së lashtë e njohur si “Via Egnatia” kalonin pranë urës antike të Fatishës, u zhvillua një projekt rikonstruksioni që, ndonëse mori miratimet ligjore për ndërhyrje në zonë me monumente kulture, u shndërrua në temë debati publik. Diskutimi nisi sapo u publikuan pamjet e punimeve dhe pyetjet mbi mënyrën si trajtohet trashëgimia kulturore në procese zhvillimi, mbetën në qendër të vëmendjes.
Shqetësimet kishin të bënin me faktin nëse punimet mund të preknin elementë të trashëgimisë kulturore pranë urës dhe kalldrëmit antik të rrugës, si edhe ndikimi që mund të ketë asfalti në këtë zonë, ku dikur kalonin karvanet që lidhnin Dyrrahun me Selanikun dhe më tej me Kostandinopojën. Por, për Bashkinë e vogël të Peqinit, në qarkun e Elbasanit asfaltimi i rrugës ishte i rëndësishëm për komunitetet lokale.
“Asfaltimi i rrugës ishte i nevojshëm për të bërë lidhjen e zonës me fshatrat e Njësisë Administrative Përparim”, u shpreh zyrtarisht institucioni në përgjigjen e dhënë për Median Amfora.
Investimi, me një vlerë mbi 13 milionë lekë, u financua nga vetë Bashkia Peqin me synimin për të përmirësuar aksesin rrugor në zonë.
Ndërhyrja, edhe pse ngjalli debat publik, u realizua pasi institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e konsideruan projektin të zhvilluar në përputhje me ligjin. Sipas Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, projekti është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale më 13 dhjetor të vitit 2024, pas aplikimit të Bashkisë Peqin në sistemin E-Lejet
“Çdo ndërhyrje në këtë zonë është vlerësuar në përputhje me ligjin për trashëgiminë kulturore dhe normat teknike në fuqi”, thuhet në përgjigjen e IKTK-së për Median Amfora.
Edhe Bashkia Peqin është shprehur se projekti është realizuar në përputhje të plotë me miratimet ligjore dhe me mbikëqyrjen e institucioneve përgjegjëse për trashëgiminë kulturore.
“Rikonstruksioni i rrugës ‘Via Egnatia’ është realizuar duke marrë të gjitha miratimet përkatëse pranë institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, tha institucioni.
Ndërsa bashkia thekson përmbushjen e procedurave ligjore, IKTK nënvizon karakterin e veçantë të zonës.Sipas institucionit, projekti shtrihet në të dyja anët e një segmenti të “Via Egnatia”-s, i cili është monument kulture i kategorisë së parë, në afërsi të urës së Fatishës, që po ashtu gëzon të njëjtin status mbrojtjeje.
IKTK theksoi se si ura e Fatishës, ashtu edhe segmenti i “Via Egnatia”-s konsiderohen pasuri kulturore të mbrojtura me ligj, çka i vendosi ndërhyrjet në këtë zonë nën rregulla strikte të ruajtjes dhe trajtimit të trashëgimisë materiale.
“Objekti ‘Ura e Fatishës’ dhe segmenti i ‘Via Egnatias’ janë pasuri kulturore dhe si të tilla mbrohen nga ligji i trashëgimisë kulturore”, sqaroi IKTK.
Në këndvështrimin e saj, Bashkia Peqin e ka vlerësuar zonën e ndërhyrjes si hapësirë ku ndodhet vetëm një objekt i shpallur monument kulture, ura antike e “Via Egnatia”-s, ndërsa pjesa tjetër e rrugës nuk është konsideruar pasuri e mbrojtur.
“Objekti që përbën trashëgimi kulturore në këtë segment është Ura antike e ‘Via Egnatia’-s, e cila është Monument Kulture i Kategorisë së I-rë. Pjesa tjetër e rrugës, në të cilën është kryer asfaltimi, nuk përfshihet në objektin e trashëgimisë kulturore; në atë zonë janë evidentuar vetëm gurë të vjetër, për të cilët nuk është vërtetuar prejardhja e tyre historike”, sqaroi institucioni.
Ndërsa IKTK theksoi se ndërhyrja ishte në një zonë të mbrojtur ku kërkohej respektim i kritereve ligjore dhe teknikave të posaçme për ruajtjen e autenticitetit, Bashkia Peqin u shpreh se projekti u zbatua nën mbikëqyrjen e institucioneve përgjegjëse.
Përtej debatit, projekti u realizua dhe ajo që ka mbetur janë fotot e dikurshme që tregonin gjurmët e kalldrëmit të lashtë edhe ura që ende ruan hijen e historisë, ndërsa rruga e asfaltuar pasqyron mënyrën se si koha ka lidhur trashëgiminë me nevojat moderne të qarkullimit.