Verë dhe kulturë, larmi aktivitetesh gjatë sezonit në Durrës 

Stina e verë ka hapur kalendarin e aktiviteteve kulturore në qytetin bregetar, ku Amfiteatri dhe sheshi “Liria” janë epiqendra e koncerteve, ndërsa nuk do mungojnë shfaqet dhe ekspozitat e artit figurativ. 

Artistët e trupës së Teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, mes të cilëve emra të njohur të teatrit në vend janë prej disa ditësh në prova në mjediset e teatrit të qytetit bregdetar.  Ata po pregatiten për të vënë në skenë shfaqjen komedi “Vendi më i humbur në Shqipëri”, e cila do ti prezantohet publikut gjatë kësaj vere. Drejtoresha e Teatrit “Aleksandër Moisiu”, Alekta Tragaj ka ndarë disa momente nga provat nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale. 

“Së shpejti sjellim shfaqjen më të re, komedinë “Vendi më i humbur në Shqipëri”, shkruan Tragaj në postimin e saj rreth kësaj vepre artistike. 

Për këtë shfaqje janë duke u pregatitur aktorët: Gentian Zenelaj, Romir Zalla, Mimoza Marjanaku, Alex Seitaj, Evin Doko, Amos Zaharia, Alesia Xhemalaj,  Xhejni Fama dhe Jaho Guma. 

Kalendari artistik për verën e këtij vjen me një larmi aktivitetesh kulturore që do të vazhdojnë gjithë sezonit dhe pritet të jenë mjaft argëtuese. 

Koncerte, shaqje për të rritur dhe fëmijë, ekspozita arti janë parashikuar për qytetarët e Durrësit, por edhe për vizitorët e shumtë do të kalojnë pushimet e verës në bregdet.

Disa prej aktiviteve do të përqëndrohen pranë Amfiteatrit të Durrësit dhe të tjerat në sheshin “Liria” në qendër të qytetit.

Më datën 20 qershor Orkestra e Harqeve me dirigjent Gridi Kraja dhe udhëheqës artistik Olta Juba, do ti sjellë publikut emocionet e muzikës klasike me një koncert në Amfiteatër.

Dy ditë më pas do të organizohet një aktivitet mjaft i dashur për qytetarët e Durrësit, por jo vetëm, siç është “Festë  deti”,  një ditë kushtuar detit, plot festë, muzikë dhe lundrim i hapur.

Më datën 26 qershor do të zhvillohet Festivali Folklorik Ndërkombëtar i Këngëve dhe Valleve, me pjesëmarrjen e grupeve artistike nga shumë vende të Shqipërisë dhe rajonit.

Më 27 qershor do të zhvillohet “Festival Days in Albania” festivali folklorik i këngëve, valleve, korreve dhe orkestrave, që pritet të mbush me tinguj dhe ngjyra sheshin “Liria”.

Kjo verë parashikohet që të jetë mjaft e pasur nga ana artistike në Durrës, ndërsa ende nuk janë gati për vizitorët dy muzetë e qytetit. Muzeu Arkeologjik dhe Muzeu Etnografik janë ende në procese rikonstruksioni pas dëmtimeve që pësuan për shkak të tërmetit të nëntorit të vititn 2019 dhe zvarritjes së punimeve.