UNESCO hap muzeun e parë botëror për objektet e trafikuara

UNESCO ka lançuar muzeun e parë virtual në botë të objekteve kulturore të vjedhura, një platformë digjitale që mbledh mbi 240 artefakte nga 46 vende. I prezantuar gjatë konferencës MONDIACULT 2025, muzeu shfrytëzon teknologji si modelimi 3D dhe realiteti virtual për të dokumentuar objekte që janë larguar nga vendlindja e tyre përmes trafikimit të paligjshëm.

Në përvijimin e konferencës globale për politikë kulturore “MONDIACULT 2025”, organizuar nga UNESCO, u prezantua zyrtarisht platforma “Virtual Museum of Stolen Cultural Objects”, muzeu i parë në botë dedikuar objekteve kulturore të vjedhura.

Duke shfrytëzuar teknologji digjitale si modelimi 3D dhe realiteti virtual, muzeu synon të rihapë derën për komunitetet që kanë humbur thesarët e tyre, duke vënë në qendër jo vetëm sende, por edhe histori njerëzore dhe identitetesh kombëtare.

Platforma shfaq rreth 240 objekte nga 46 vende të botës të cilat nuk ndodhen më në vendlindjet e tyre, dhe synimi nuk është thjesht ekspozimi, por të ndihmojë rikthimin e tyre. Në fjalën përmbyllëse, UNESCO thekson se muzeu ka për synim që “të zbrazet” çdo herë që një objekt rikthehet dhe ai largohet nga koleksioni digjital si simbol i drejtësisë kulturore. 

Dizajni vizual i platformës është frymëzuar nga koncepti i pemës së baobabit, simbol i rrënjëve dhe komuniteteve, dhe realizuar nga arkitekti laureat i Çmimit Pritzker, Francis Kéré. Përtej formës, funksioni i kësaj platforme është të jetë një hapësirë ku shfaqen galeritë e objekteve të vjedhura, sallat e rikthimeve dhe ambientet ku komunitetet mund të ndajnë historitë e tyre. 

Në Shqipëri grabitja dhe trafikimi i artefakteve ndër dekada është shtrirë nga muzetë në galeritë e vendit tonë. Midis viteve 2000-2017 numërohen së paku 16 raste të vjedhjeve të veprave të artit në kishat e vendit, episode nga të cilat u grabitën 23 ikona, 3 ikonostasë dhe objekte të çmuara. Artefaktet e grabitura janë zbuluar pjesërisht vetëm në 3 raste, ndërsa klerikët shprehen se nuk ka pasur vullnet për zbardhjen e ngjarjeve dhe se besimtarët mbeten në pritje të gjetjes së tyre.

Ndërsa nga galeritë e artit në Shqipëri janë zhdukur 159 vepra, piktura të Vangjush Mios dhe të tjerë kolosëve që i mungojnë identitetit kombëtar. Vetëm nga Galeria Kombëtare e Arteve u zhdukën pa gjurmë 98 vepra dhe autoritetet nuk kanë zbuluar asnjë prej tyre, që sipas referencave të tregut kushtojnë disa miliona euro.