U shoqërua pas raportimit, Gjykata Administrative njeh diskriminimin e gazetarit nga policia

Gjykata Administrative e Tiranës e ka vlerësuar si të drejtë vendimin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, që gjeti në shkelje Policinë e Lezhës që shoqëroi një reporter televiziv pas mbulimit të protestës së banorëve të Fanit 4 vite më parë. 

Foto ilustruese nga një protesë. Foto: Media Amfora

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) bëri publik lajmin e përfundimit e gjyqit administrativ në favor të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) në mbrojtje të gazetarit me inicialet P. Gj, i cili u shoqërua nga Policia e Lezhës pas raportimit nga një proteste 4 vite më parë.

“KShH e vlerëson vendimin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, si një hap shumë pozitiv në krijimin e një praktike të vlefshme për të luftuar format e sulmit ndaj gazetarëve dhe veçanërisht diskriminimin”, u shpreh Komiteti me anë të një deklarate për mediat.

Me vendimin e datës 30 prill Gjykata Administrative e Tiranës e la në fuqi vendimin e KMD-së, duke e konsideruar të drejtë dhe të marrë në përputhje me ligjin.  

Çështja në fjalë mbërriti në Gjykatën Administrative pasi në datën 11 prill 2021, gazetari me inicialet P. Gj. ka qenë duke raportuar drejtpërdrejtë në televizion mbi ecurinë e protestës që po zhvillohej nga banorët e Njësisë Administrative Fan, pranë Tunelit të Kalimashit.

Pas përfundimit të protestës gazetari u shoqërua nga policia në ambientet e komisariatit të Lezhës, me motivin e pjesëmarrjes në protestën e paligjshme të realizuar në fshatin Fan të Mirditës.

Shoqërimi i tij në komisariat ndodhi pavarësisht se gazetari njihej nga punonjësit e policisë në zonë për detyrën që kryente. Mbi këtë ngjarje pati një reagim të fortë publik nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dhe mediat e tjera, si një rasti i pengimit gjatë ushtrimit të detyrës.

Me vendimin nr. 184, të datës 14.09.2023, KMD konstatoi se, “Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, me veprimet dhe mosveprimet e saj, ka diskriminuar ankuesin në të drejtën e tij për të ushtruar profesionin e gazetarit për të raportuar ngjarjet e zhvilluara pas protestës, në formën e diskriminimit ndërsektorial dhe të tërthortë, trajtim i cili ka ardhur si pasojë e identifikimit të tij si gazetar lokal që raporton për problematikat e zonës dhe se televizioni ku ai punonte kishte linjë editoriale për evidentimin e problematikave në nivel lokal”. 

Gjykata Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, në vendimin e saj la në fuqi vendimin e KMD, duke i dhënë të drejtë gazetarit, pas referimit fillimisht tek këto autoritete nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

KShH në deklaratën e tik inkurajoi edhe institucionet e tjera, veçanërisht ato të drejtësisë, që të marrin masa të shpejta dhe efektive për të adresuar të gjitha format dhe sulmet ndaj gazetarëve.