Turisti belg aksidentohet me motor uji në Durrës, ndalohet pronari i mjetit

Policia arrestoi pronarin e një mjeti detar pas ngjarjes ku ngeli i plagosur një turist 21-vjeçar në plazhin e Shkëmbit të Kavajës.

Një turist belg pësoi aksident me një mjet lundrues në zonën bregdetare të Shkëmbit të Kavajës, mbrëmjen e së dielës.  I riu mbërriti rreth orës 20:00, në shërbimin e Urgjencës së Spitalit të Durrësit, ku mori ndihmën e parë shëndetsore dhe është transportuar menjëherë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. 

Sipas policisë i riu ka humbur kontrollin mbi mjetin  lundrues (Jet Ski) dhe ka rënë në ujë, duke pësuar dëmtime të rënda.

Policia tha se arrestoi pronarin e mjetit, pasi nuk siguroi masat mbrojtëse për turistin dhe pengoi në zbardhjen e ngjarjes. 

“Për ngjarjen e ndodhur ditën e dielë, në zonën e quajtur “Shkëmbi i Kavajës”, rezultoi se shtetasi S. Xh. i ka dhënë me qira një mjet lundrues Jet Ski, pa masat e sigurisë të nevojshme të riut belg, i cili nuk është i pajisur me leje drejtimi për këtë kategori mjetesh. Gjithashtu pronari i mjetit, gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, ka dhënë informacione të rreme për rastin”, tha Policia e Durrësit.      

Mesditën e së shtunës një turist mbeti i plagosur në ujërat e plazhit të Gjipesë, pasi u godit nga një mjet lundrues tip gomone jashtë zonës së sigurisë së notuesve.