Trafikuan 28 tonë kokainë, SPAK godet organizatën që investonte në resorte
Një nga organizatat më të fuqishme shqiptare në trafikun ndërkombëtar të drogës është goditur nga SPAK pas një hetimi me autoritetet e huaja, që zbuloi se ata trafikuan 28 tonë kokainë. Të dhënat u siguruan pas zbulimit të komunikimeve në platformën “Sky ECC”, duke ekspozuar eksponentë të krimit nga Elbasani në Shijak, të cilët dyshohet se i investojnë paratë në resorte.

Kompleksi "Ajman Park Resort" në Shijak. Foto: Media Amfora
Prokuroria e Posaçme njoftoi goditjen e një prej organizatave shqiptare sipas saj më të fuqishme në trafikun ndërkombëtar të kokainës, pas një hetimi që ekspozoi organizimin nga Amerika Latine deri në tregjet evropiane dhe në investimin në Shqipëri me qëllim pastrimin e parave.
Organizata dyshohet si përgjegjëse për trafikimin e 28 tonëve kokainë gjatë vitit 2020 nga Paraguaji drejt Anversës në Belgjikë dhe Hamburgut në Gjermani. Nga kjo sasi, autoritetet kanë sekuestruar 17 tonë, me një vlerë tregu që arrin deri në 3.5 miliardë euro.
Në krye të trafikut në këto episode qëndronin Elvis Çela dhe vëllai i tij, të cilët në atë kohë jetonin në Paraguaj dhe kishin rol kyç në organizimin dhe menaxhimin e ngarkesave. Prokurorët e çështjes, Altin Dumani dhe Vladimir Mara, e përshkruajnë grupin si një nga organizatat më të sofistikuara shqiptare të trafikut ndërkombëtar të kokainës.
“Ajo kishte kapacitetin për të ndikuar drejtpërdrejt në çmimin e kokainës në tregjet evropiane dhe për të menaxhuar sasi të mëdha të lëndës narkotike në periudha të shkurtra kohore”, u shpjegua në deklaratën për shtyp të SPAK.
“Fuqia financiare, struktura e mirëorganizuar dhe aftësia për të rikuperuar humbjet nga sekuestrimet e dallojnë këtë organizatë nga grupet e tjera kriminale të hetuara nga SPAK”, shtoi deklarata e tyre.
Nga 16 masa sigurie të firmosura nga Gjykata e Posaçme, 7 janë ekzekutuar me “arrest me burg”, ndërsa 2 të tjerame detyrim paraqitjeje. Një nga krerët e organizatës, Franc Çopja, i njohur edhe si “Franc Gergely”, ndodhet aktualisht në paraburgim në Belgjikë.
Hetimet tregojnë se grupi kishte ndërtuar një rrjet të plotë për menaxhimin e trafikimit të kokainës, nga prodhimi në Amerikën e Jugut, deri në shpërndarjen në Evropë. Droga fshihej në ngarkesa të ligjshme, si kuti sapuni apo bombola boje, të cilat transportoheshin përmes porteve evropiane, shpesh të kamufluara pas markave si, “Fox”, “Puma” apo “Sy me rrufe”.
Për pastrimin e parave, organizata përdorte një sërë metodash, nga transporti fizik i “cash”-it përmes shoferëve të linjave ndërkombëtare të transportit, deri tek përdorimi i sistemit informal “Hawala” dhe pagesat përmes kriptovalutave.
SPAK ka identifikuar të paktën 5 shoqëri tregtare në Durrës, Shijak, Kavajë dhe Rrogozhinë, si të lidhura me aktivitetin e grupit, duke ekspozuar biznese në fushën e shërbimeve dhe hoteleri-turizmit, si një formë për investimin dhe pastrimin e parave.
Në Shijak Gjykata e Posaçme ka sekuestruar edhe kompaninë “AMR” sh.p.k, në pronësinë e Fadil Ballës, i njohur në zonë si “Julian” dhe “Jul Balla”, e cila zotëron kompleksin “Ajman Park Resort”. Kompania është e përfshirë prej vitit 2017 në tenderat publikë të Bashkisë Shijak për pastrimin e qytetit dhe ka përfituar deri më tani rreth 1.9 milionë euro – Ndërsa Balla në Shijak mban edhe postin e presidentit të “Klubit të Futbollit Erzeni”. Masa e sekuestros preventive u vendos gjithashtu ndaj një vile 2-katëshe në Dhëmi, me vlerë 1 milion euro, pasuri dhe troje në Sharrë të Tiranës, si edhe ndaj kompanive të biznesit.