Trafikonin lëndë narkotike në Finlandë, goditen 4 grupe kriminale  

Pas një hetimi dyvjeçar, është zbuluar një rrjet kriminal i përfshirë në trafikimin dhe shitjen e lëndëve narkotike në Finlandë, i udhëhequr nga shtetas shqiptarë. Në kuadër të këtij hetimi, janë ndaluar nëntë persona, ndërsa hetimet vazhdojnë për identifikimin dhe ndalimin e të tjerëve të përfshirë.

Prokuroria-e-Posaçme-kundër-Korrupsionit-dhe-Krimit-të-Organizuar.-Foto" SPAK,-'Facebook'

Operacioni i kryer në territorin shqiptar që kishte si qëllim ndalimin e 11 personave të dyshuar si drejtues të katër organizatave kriminale me veprimtari në trafikimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, është finalizuar me ndalimin e 9 prej të hetuarve.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAk bëri me dije të martën rezultatet e operacionit antidrogë, të kryer në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë finlandeze pas një hetimi të përbashkët dyvjeçar.  

Drejtori i i hetimit të krimit të organizuar në Policinë e Shtetit, Edmond Rizaj e vlerësoi operacioin me vështirësi mesatare. Rizaj theksoi se përfshirja e punonjësve të policisë në hetimin e kësaj çështjeje e kishte bërë më të lehtë ekzekutimin e masave të sigurimit.

Në Finlandë sipas rezultateve të operacionit janë ndaluar dhe dënuar 55 persona të tjerë, që kanë qenë të përfshirë në trafik e shitje të lëndëve narkotike, 10 prej të cilëve shtetas shqiptarë, ndërsa të tjerët finlandezë, polakë, rumunë edhe nga vende aziatike.

Sipas SPAK, nga hetimet e deritanishme rezulton se drejtuesit e katër organizatave me origjinë nga Vlora, Berati e Kuçova, bënin një jetë normale në Shqipëri. Gjithashtu ka rezultuar se personat e përfshirë në këtë trafik nuk kanë pasur precedentë penalë në Shqipëri.

Prokurorët shpjeguan se drejtuesit e organizatës, disa prej të bcilëve kishin jetuar me parë në Finlandë, organizonin gjithë veprimtarinë, nga sigurimi i lëndës narkotike në Spanjë e në Holandë, trafikimin përmes kamionëve apo rrugëve postare, si dhe shitjen në tregun në tregun finlandez.

Hetimi nga prokuroria shqiptare ka filluar bazuar në informacionet e autoriteve të drejtësisë finlandeze. Sipas prokurorëve të SPAK dhe homologëve të tyre finlandez po vijon puna për kapjen e dy personave të tjerë, një prej të cilëve dyshohet se gjendet jashtë Shqipërisë.

Lënda narkotike “Cannabis Sativa” sipas hetimeve sigurohej në Spanjë, ndërsa drogërat sintetike në Holandë. Nga 300 kilogramë të sekuestruara gjatë viteve të fundit, 10 kanë qenë kokainë, rreth 100 kg cannabis sativa dhe pjesa tjetër drogëra sintetike.

Organizatorët e trafikut rezulton të jenë kujdesur që shitësit që mbërrinin nga Shqipëria, të kishin gati strehimin dhe shpenzimet e jetesës në Finlandë, duke u futur menjëherë në aktivitetin e shpërndjarjes së lëndëve narkotike. Sipas SPAK hetimet janë ende duke vijuar, ndërkohë që do të kryhet edhe hetimi pasuror për personat që janë proceduar penalisht.