Trafikimi i armëve, zbulohet arsenal në Shijak
Një 59-vjeçar u arrestua në Shijak pasi në banesën e tij u zbulua një arsenal armësh dhe municioni. Hetimet paraprake tregojnë se armët dyshohet se trafikoheshin për shitje në zonë.
Armët dhe municionet e zbuluara. Foto: “Screenshot” nga video e Policisë së Durrësit
Një arsenal armësh dhe municioni u zbulua në një banesë në Shijak të mërkurën, gjatë një operacioni policor, duke çuar në arrestimin e një 59-vjeçari që dyshohet për trafikim dhe shitje armësh në zonë.
“U gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 2 armë zjarri pistoletë me krehra me fishekë, 3 armë gjahu, municion luftarak i kalibrave të ndryshëm, pjesë armësh, 3 palë dylbi (1 për armët), 1 dron dhe 8 armë të ftohta (thika)”, tha Policia e Durrësit në njoftimin për shtyp paraditen e 1 prillit.
Sipas policisë, i arrestuari është një banor i zonës, i dyshuar për përfshirje në trafikim armësh.
“Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi me inicialet Sh. V., 59 vjeç, banues në Shijak”, shtoi komunikata e policisë.
Sipas autoriteteve, hetimet paraprake sugjerojnë se armët mund të kenë qenë pjesë e një aktiviteti të paligjshëm shitjeje në zonën e Shijakut.
“Nga hetimet dyshohet se ky shtetas i ka trafikuar armët me qëllim shitjen në Shijak”, deklaroi policia.
Zbulime të tilla hedhin dritë mbi qarkullimin e armëve në tregun informal, një fenomen që vijon të mbetet problematik në vend. Autoritetet kanë paralajmëruar vazhdimisht për rrezikun që paraqet përhapja e tyre në komunitet.
Hetuesit po vijojnë hetimet për të zbuluar nëse ky rast lidhet me një aktivitet më të gjerë të trafikimit të armëve në zonë, ndërsa gjatë operacionit u sekuestruan edhe sasi kokaine, pajisje si dylbi, një dron dhe disa telefona celularë.