“Tituj që lëndojnë”: Gazetarët reflektojnë mbi raportimin me etikë dhe profesionalizëm
Adoleshentët dhe të rinjtë janë shpesh protagonistë ose të përfshirë indirekt në ngjarje kriminale dhe përfundojnë në qendër të raportimit mediatk. Gazetarë nga Shqipëria dhe rajoni u mblodhën në Tiranë për të diskutuar mbi raportimin etik dhe profesional.

Televizionet gjatë ndjekjes së një aktiviteti në kryeqytet. Foto: Media Amfora
“Adoleshenti që grabiti dyqanin, ja çfarë fshihej pas maskës!” apo “Gjenerata TikTok: Rreziku që na troket në derë!” – janë vetëm disa nga titujt e lajmeve të “kronikës së zezë” që kanë mbushur ekranet e televizioneve dhe mediat në internet në vitet e fundit në vendin tonë.
Me synimin për të pasur një raprtim sa më etik nga gazetarët që raportojnë për krimin, u zhvillua një trajnim me përfaqësues të medias, të cilët raportojnë çdo ditë nga terreni për këto tema.
I mbajtur në Tiranë në datat 11–13 qershor 2025, trajnimi bëri të mundur që për tre ditë gazetarë nga 3 vende të rajonit të Ballkanit Perëndimor të mos flisnin për lajmin më të fundit, por për përgjegjësinë që mban raportimi i tyre.
“Ishte një trajnim në të cilin gazetarët e kronikës së zezë nuk folën në asnjë moment për lajmin, por për ndikimin e tij veçanërisht tek të rinjtë dhe adoleshentët”, shpjeguan organizatorët e trajnimit për Median Amfora.
“Të shkruara nën presionin e klikimeve dhe me një stil që ngjall panik, gazetarët që raportojnë nga terreni shpesh harrojnë një gjë thelbësore, se pas çdo fjalie ndodhet një fëmijë, një njeri i ri, me histori, me plagë, me potencial për të ndryshuar”, shtuan organizatorët nga Nisma për Ndryshim Shoqëror (ARSIS).
Nën drejtimin e Prof. Ass. Dr. Iris Luarasit, gazetarët jo vetëm u trajnuan se si të realizojnë raportime sa më profesionale dhe me etikë, por edhe diskutuan mes tyre raste konkrete se si me anë të raportimeve të caktuara fjala kishte goditur dhe jo të ndihmonte publikun.
Pjesëmarrësit sollën gjatë ditëve të trajnimit edhe raste konkrete. Gazetarët e ardhur nga Kosova rrëfyen rastin ku një 17-vjeçar në vitin 2022 u identifikua publikisht pas një arrestimi për vjedhje dhe më pas braktisi shkollën, duke u bërë precedent për pjesëmarrje në ngjarje të tjera të lidhura me krimin.
“Mënyra se si media e damkosi përgjithmonë të riun nga Kosova, rast i cili u analizua gjatë trajnimit, tregoi se si ndonjëherë mjafton një titull lajmi që të dehumanizon edhe fjala nuk të fal, ndaj vetë gazetarët pjesëmarrës në trajnim e vlerësuan si mjaft të rëndësishëm përfshirjen në të”, shpjeguan organizatorët nga nisma ARSIS.
Një nga ushtrimet më domethënëse të trajnimit ishte “Rishkrimi i titujve”. Gjatë seancave të trajnimit u realizuan detyra e zëvendësimit të titujve konkretë të lajmeve, nga “Banditi i ri godet përsëri!” – tek “Adoleshent në konflikt me ligjin për shkak të kushteve të vështira ekonomike”.
Gjatë trajnimit gazetarët ranë dakort se në këtë rast ndryshimi në titullin e një lajmi nuk është thjesht gjuhësor, është etikë, njerëzore, ndaj është kaq shumë i rëndësishëm.
Në sesionet mbi etikën, gazetarët ndanë dilemat me të cilat përballen çdo ditë në redaksi dhe nëse duhet të publikojnë apo jo emrin e një të mituri, si edhe nëse të ndjekin linjën e redaktorit apo ndërgjegjen e tyre.
Gazetarët gjatë ditëve të trajnimit pranuan faktin se duke nxituar për lajmin e shpejtë shpesh humbasin busullën e raportimit, si edhe pesë shtyllat e gazetarisë, apo elementë siç janë etika, e vërteta, pavarësia, paanshmëria, humanizmi dhe llogaridhënia.
Një nga sesionet më frymëzues ishte ai mbi “Gazetarinë që ofron zgjidhje”, ose siç njihet “Gazetaria e Zgjidhjeve” (Solutions journalism). Në këtë sesion gazetarët mësuan sesi mund të raportojnë ngjarjet jo vetëm kur ndodh tragjedia, por edhe kur dikush ngrihet pas një drame apo një ngjarje fatkeqe në të cilën bëhet pjesë.
Gazetarët nga ana e tyre ndanë histori nga puna e tyre e përditshme që nuk kishin gjetur vend në faqet e para të medias ku punojnë sepse nuk konsideroheshin si lajme të mëdha, por që kishin fuqinë për të frymëzuar dhe për të ndërtuar një realitet të ri.
Ata kërkuan mendime sesi të veprojnë në rastet kur nuk gjejnë mbështetjen e redaktorëve të tyre për trajtimin e temave që lidhen me gazetarinë që ofron zgjidhje. Për këto raste atyre ju sugjerua që të shfrytëzojnë rrjetet e tyre sociale, si një dritare për të komunikuar me audiencën.
Me synimin për të fuqizuar gazetarinë etike dhe për të promovuar narrativa që ndërtojnë rezistencë, jo stigmatizime dhe ndëryshimin e mënyrës sesi raportohet për të rinjtë me më shumë ndjeshmëri, më shumë përgjegjësi dhe mbi të gjitha me më shumë shpresë.