Thyhet me kazëm muri ngjitur me Torrën Veneciane në Durrës

VËZHGIM/

Pasditen e sotme, në vijim të projektit “Veliera” në qytetin e Durrësit, është thyer me kazëm muri ngjitur me Torrën Veneciane.

Struktura arkeologjike është thyer nga punonjësit e firmës private që po zbaton projektin e Bashkisë Durrës.

Përgjatë kohës që këto veprime po ndodhnin, me një komunikim telefonik “Amfora.al” vuri në dijeni drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës, Ledion Lako, i cili tha se do të dërgonte specialistët për të verifikuar rastin.

Ky fragment muri është Monument Kulture i Kategorisë I, referuar shpalljes së Torrës Veneciane dhe murit rrethues të qytetit si të tillë, përpara viteve’90.

Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, neni 28, për Monumentet e Kulturës shkruhet se:

“2.Ato ruhen ne tërësinë e përbërësve të tyre arkitektonike dhe teknike.

Kompozimi i vëllimeve, trajtimi arkitektonik i pamjeve te jashtme dhe të brendshme, si dhe zgjidhja planimetrike dhe funksionale e këtyre monumenteve nuk mund të ndryshohen.

3. Ndërtimet e reja pranë tyre duhet te respektojnë distancat e zonës së mbrojtur”.

31 korrik 2017

Vijimi i këtij projekti me ndërhyrje nëntokësore është i paligjshëm sepse gjysma e projektit “Veliera” shtrihet në Zonën Arkeologjike A, që i ndalon kategorikisht projektet me ndërhyrje nëntokësore.

Vijimi i murit antik nëntokë, ruhet me anë të një vendimi të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, i cili udhëzon që zona të mbulohet me çakull. Por mbi tokë ditën e sotme kazmat thyen themelet e murit ngjitur me Torrën Veneciane dhe kjo pa asnjë vendim zyrtar që e dikton këtë veprim. Për më tepër ka disa vendime të gjykatave të Durrësit që i ndalojnë punimet në këtë zonë.

Megjithëse qytetarët protestuan rreth një javë më parë kundër betonizimit të murit rrethues të qytetit (pilaster romak i shek. II të Erës Sonë), duket se veprimtaria shkatërruese është zhvendosur nga nëntoka në strukturat arkeologjike mbi tokë.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109