Të rinjtë në Durrës ndihmuan 60 familje në fundvit
E kthyer tashmë në një histori suksesi, nisma “Dhuro shpresë për Vitin e Ri 2025!”, vijoi këtë fundvit duke ndihmuar 60 familje vurnerabël. “Rotaract Club Durrës” bëri bashkë të rinj, organizata, qytetarë dhe biznese që dhuruan pako ushqimore, veshje dhe lodra për fëmijë.
“Dhuro shpresë për Vitin e Ri 2025”, nën këtë moto “Rotaract Club Durrës” organizoi të dielën e fundit të vitit 2024 fushatën e bamirësisë që vijon prej 8 vitesh nga të rinjtë e qytetit.
Ata shkuan në 60 familje me probleme sociale dhe ekonomike më 29 dhjetor, duke shpërndanë 80 pako ushqimore, 60 pako me detergjentë e fruta-perime, si edhe veshje e lodra për fëmijë.
Nisma e bamirësisë që ndërmerret çdo fundvit tek familjet në qytet dhe në njësitë administrative, nisi nga lagjet e Durrësit, duke vijuar në zonën periferike të Spitallës, Porto-Romanos, Ish-Kënetës, Shkozetit dhe Plazhit, duke u zgjeruar deri në Shijak e Sukth.
Familjet që u ndihmuan falë kësaj nisme i përkisnin grupeve vurnerabël, me shumë anëtarë, të papunë, të moshuar të vetmuar dhe gra të dhunuara.
Nisma u ndërmor nga të rinjtë e organizatës ndërkombëtare “Rotary“, Rotaract Club Durrës, në bashkëpunim me “Rotary Club Durrës” dhe me Qendrën e Zhvillimit të Shoqërisë Civile (CSDC) Durrës.
Asaj ju bashkuan edhe qytetarë e aktivistë, që dhuruan për familjet me nevoja social-ekonomike në qytetin e Durrësit dhe përreth tij.