Të lënë në terr dhe të diskriminuar, më shumë se gjysma e familjeve me ndihmë ekonomike nuk përfitojnë kompensimin e energjisë

Rudina Halimi jeton pranë Shkollës Pedagogjike në qytetin e Elbasanit. Së bashku me djalin e sëmurë, ajo ndan banesën me prindërit dhe vëllezërit. Familja e madhe prej 10 anëtarësh përballet prej vitesh me probleme ekonomike.

Për mbi 5 vite nuk kishin mundur të paguanin energjinë elektrike. “Shuma ishte gati 5 milion, shumë vite sepse nuk kishim. E prenë energjinë dhe shkuam e lidhëm një kontratë”, kujton 51 vjeçarja.

Ashtu si ajo kanë lidhur akt-marrëveshje për të shlyer borxhet e energjisë mijëra familje. Deri në vitin 2018 sipas të dhënave të OSHEE-së ishin në fuqi 20.112 aktmarrëveshje të lidhura me abonentë familjarë që trajtohen me ndihmë ekonomike.

Gjysma e tyre, 10.646 aktmarrëveshje konsideroheshin me probleme pasi abonentët nuk kishin përmbushur shlyerjen e rregullt të kësteve të pagesave.

“Ai 3000 lekësh shkon vetëm për energjinë edhe nuk del”, rrëfen prerazi gruaja që trajtohet me ndihmë ekonomike. “Të mos flasim për borxhet…nëpër dyqane. I kemi larë çika-çika”, tregon gruaja që është pjesë e komunitetit egjiptian në qytetin e Elbasanit

Qeveria shqiptare parashikoi që problemin e saj dhe të mijëra familjeve ta zgjidhte përmes Ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike”, miratuar në vitin 2015. Ai sjell për herë të parë përkufizimin e “Klientit në nevojë”, në  nenet 95 dhe 96.

“Ai 3000 lekësh që marr, nëse do mi kompensonin dritat unë do haja një kafshatë bukë. Gjendja është shumë e keqe, jemi të varfër”, përfundon Rudina Halimi. Por 3 ministritë që ngarkon ligji për të vënë në jetë mbështetjen e “klientit në nevojë” prej 6 vitesh nuk kanë dhënë rezultate.

Ne mësuam zyrtarisht nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale se në muajin dhjetor të vitit që lamë pas numëroheshin 66.269 familje përftiuese nga skema e ndihmës ekonomike, por kompensimin për energjinë elektrike e kanë përfituar më pak se gjysma e tyre.

“…për periudhën nëntor-dhjetor 2020 kanë përfituar kompensim energjie 24.445 familje familje në nevojë dhe 1801 kryefamiljarë me aftësi të kufizuara”, pohon Ministria në përgjigjen e saj.

“Të diskriminuar për shkak se janë të varfër”!

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi shpjegon se miratimi i ligjit të vitit 2015 ishte një reflektim në kuadër të shtetit social, me qenë se energjia elektrike është një shërbim esencial dhe në rastin e familjeve me probleme ekonomike ajo duhet paguar nga qeveria.

“Kjo krijon probleme sociale të mëdha sepse familjet ose futen në borxhe për të paguar një shërbim esencial, siç është energjia ose do të rrinë pa drita, që i kthen pas si në mesjetë dhe sidomos në kohë pandemie, paragjykon familjet e pamundura ekonomikisht”, analizon për Amfora Production Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda.

“Screenshot” nga intervista në “Skype” me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda.

Familjet më të pamundura ekonomikisht për të paguar energjinë elektrike për shkak të pamundësisë shpesh herë i përkasin grupeve të margjinalizuara, si: komuniteti rom, egjiptian apo personat me aftësi ndryshe.

“Duke përcaktuar statusin e klientëve në nevojë, familjet që bëjnë pjesë në disa kategori, si: pensionistët, personat me aftësi të kufizuara etj., i garantohet falas një sasi energjie mujore. Kush do të konsumojë mbi këtë sasi le të faturohet”, analizon Ervis Çota, përfaqësues i Lëvizjes Rinore Egjiptiane dhe Rome në Elbasan.

Në mungesë të një vendimi që mundëson zbatimin e ligjit, familjet e pamundura ekonomikisht përballen me borxhe për të paguar energjinë elektrike ose jetojnë të zhytur në errësirë.

“Familjet e varfëra jetojnë pa energji elektrike ose në pamundësi që të lidhin një kontratë të re me OSSHE-në [Furnizuesi i Shërbimit Universal], pasi lidhja e një kontrate të re ka kosto shume të larta dhe familjet me të ardhura të ulëta dhe që trajtohen me ndihmë ekonomike nuk kanë mundësi që ta përballojnë”, analizon Romina Sefa, aktiviste për të drejtat e njeriut.

KMD vetëm në vitet 2017-2019 regjistroi 13 çështje me objekt diskriminimin nga ana e OSHEE-së, që lidheshin me ristrukturimin e pagesave të prapambetura apo lidhjen fillestare pa pagesë të energjisë elektrike për kategoritë e familjeve në nevojë.

Pandemia rëndoi kushtet e familjeve të zhytura në terr

Për të paktën 3 muaj nga marsi deri në maj të vitit 2020 Shqipëria u fut në një kufizim drastik të lëvizjes, mbylljes së aktiviteteve dhe institucioneve, me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit SARS-CoV-2.

Qytetarët duke paguar faturat e energjisë tek zyrat e FSHU, dega Durrës. Foto: Geri Emiri.

Mjeti i vetëm për t’u informuar u kthye media. Por për Suada Tafën, burimi i vetëm i informimit ishin komshinjtë. Ajo pyeste në lagje për masat e reja që nxirreshin vazhdimisht sepse në banesën e saj që më shumë ngjason me një barakë, energjia elektrike ka vite që është ndërprerë.

“E kemi pasur, por nga që nuk kishim të paguanim na e kanë prerë. Ne e merrnim tek një komshi dhe i paguanim atij”, kujton e reja që banon me familjen pranë Stacionit të Trenit në Elbasan.

“Familjet që nuk e merrnin informacionin ishin të predispozuara që të krijonin probleme në familjen e tyre ose me komshinjtë, pasi duke mos pasur informacion se si të kujdesen mund të infektoheshin dhe të përkeqësonin situatën e tyre shëndetësore”, shpjegon Ervis Çota.

Familja e Suada Tafës përbëhet nga 8 anëtarë, prindërit, 6 fëmijët, më e vogla 1 vjeçe dhe djali më i madh, 19 vjeç. “Është shumë e vështirë pa drita sidomos natën, nuk duket asgjë. [Rrimë] Me qiri”, rrëfen 15 vjeçarja që i përket komunitetit egjiptian.

Ajo, vëllezërit dhe motrat nuk e frekuentojnë shkollën, “se nuk i kemi kushtet”, rrëfen e reja, sipas së cilës familja mbijeton duke mbledhur materiale të riciklueshme dhe përmes kërkimit të lëmoshës në rrugët e qytetit.

Fëmijët e familjeve pa energji elektrike përgjatë pandemisë u shkëputën edhe nga ndjekja e programeve mësimore që u transmetuan nga Radio Televizioni Shqiptar, në kanalin “RTSH Shkollë”.

“Ky është një paragjykim direkt, pa llogaritur mungesën e ngrohjes, të larjes së rrobave, gatimit etj.”, shpjegon prerazi Komisionieri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Ai shton se: “Ka rezultuar se në familje me persona me aftësi të kufizuara apo me fëmijë që kanë probleme me zhvillimin, si autizmi apo “Sindroma down”, ndërprerja e energjisë elektrike ka shkaktuar probleme tek fëmija sepse në shumë raste në këto familje televizori i shërben fëmijës që të angazhohet dhe të jenë më të qetë”.

Ministritë përgjegjëse në terr moskoordinimi dhe reagimi

Pavarësisht punës së aktivistëve, organizatave të shoqërisë civile dhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, prej 6 vitesh Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk kanë arritur ende koordinimin që ligji i ka ngarkuar për të bërë të mundur zbatimin e tij.

Në përgjigje të një Kërkese për Informacion, Ministria e Financave u përgjigj se kërkesa ishte jashtë fushës së përgjegjësisë shtetërore që ajo mbulon.

“Ndërkohë, sqarojmë se, referuar ligjit nr. 43/2015, ‘Për sektorin e energjisë elektrike’, objekti i kërkesës përfshihet në fushën e përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë”, u përgjigj më tej Ministria e Financave dhe Ekonomisë, duke shmangur përgjegjësitë që ligji i ngarkon.

Ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në përgjigjen zyrtare shpjegoi se ka shprehur vazhdimisht gatishmërinë për të bashkëpunuar për përmirësimin e akteve ekzistuese që mbështesin shtresat në nevojë në fushën e energjisë elektrike.

Ajo renditi dy kërkesa zyrtare drejtuar Ministrisë së Financave, asaj të Shëndetësisë dhe Avokatit të Popullit, për të vlerësuar situatën dhe ndikimin që do të kishte zbatimi i ligjit të vitit 2015 në buxhetin e shtetit, me qëllim nxjerrjen e konkluzioneve nëse aktet nënligjore që mbështesin aktualisht klientët në nevojë janë të mjaftueshme apo duhet të vijohet me miratimin e ndonjë akti tjetër.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Foto: Geri Emiri

Ministria e Shëndetësisë fillimisht nuk ju përgjigj një Kërkese për Informacion deri në momentin e ndërhyrjes së Komisionerit për të Drejtën e Informimit, duke u përgjigjur gati 2 muaj pas marrjes së kërkesës.

“Me anë të një korrespondence të mbajtur me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë është propozuar një projekt-vendim nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë (SKE), i cili propozon subjektet e mundshme për statusin e klientit në nevojë dhe kriteret e subvensionimit”, u shpreh ministria në përgjigjen zyrtare.

Megjithëse ajo shtoi se janë marrë hapa që të ngrihet një grup ndërinstitucional pune me ministritë e tjera, Entin Rregullator të Energjisë dhe palët e interesuara për vlerësimin e paketës nënligjore, asnjë rezultat konkret nuk u evidentua në përgjigjen zyrtare 6 vite pas miratimit të ligjit.

Qytetarët në pamundësi ekonomike trajtohen sot vetëm përmes disa vendimeve të së shkuarës që sipas organizatave dhe aktivistëve ndihmon shumë pak shtresa në nevojë, si për shembull pensionistët, të cilët janë të formalizuar dhe nuk trajton komunitetet e margjinalizuara apo ata që nuk kanë mundësi as për vendosjen e matësit të energjisë.

Në kushtet kur 3 ministritë prej 6 vitesh nuk po koordinohen, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, në bashkëpunim organizatat Qendra T’reja, Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome, Qendra për Advokim Social, Qendra për Aksion Komunitar dhe Qendra “Konsumatori Shqiptar”, përmes mbështetjes së UNDP Albania dhe Ambasadës Norvegjeze po realizojnë një studim që duhej bërë përpara nxjerrjes së ligjit, mbi kostot financiare të zbatimit të tij.

“Studimi përfshin 3 aspekte: atë juridik, social dhe ekonomik. Do të bëjmë një analizë të detajuar ligjore në lidhje me familjet në nevojë, përfshirjen e grupeve të reja dhe një vështrim krahasues me rajonin”, shpjegon për Amfora Production, Ersida Teliti, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës “Konsumatori Shqiptar”.

“Aspekti social është realizuar në terren në 8 qytete: Shkodër, Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Berat, Pogradec dhe Korçë. Organizatat kanë krijuar fokus-grupe në terren dhe targeti ka qenë 1000 konsumatorë që janë pjesë e familjeve në nevojë”, përfundon Teliti.

Studimi ka analizuar gjendjen ekonomike, shoqërore, përkatësinë kulturore, pajisjet elektro-shtëpiake që kanë në shtëpi 1000 familjet pjesë e studimit, me qëllim dokumentimin e gjendjes së tyre.  Ndërsa pjesa e tretë e studimit ka trajtuar aspektin ekonomik, me fokus të ardhurat e këtyre familjeve.

Synimi përfundimtar i studimit është përllogaritja e kostove që do të ketë në buxhetin e shtetit mbështetja për pagesën e energjisë elektrike të shtresave në nevojë. Gjithashtu synohet zgjerimi i grupeve përfituese që përfshin “klienti në nevojë”, duke mos përfshirë vetëm segmentet e formalizuara, si: pensionistët, personat me aftësi të kufizuara, etj., por edhe grupet e tjera të margjinalizuara.

Studimi që është përmbyllur pritet t’i prezantohet në javët në vijim 3 ministrive përgjegjëse, me qëllim që ato të vijojnë me përgatitjen e dokumenteve që çojnë drejt nxjerrjes së VKM-së që sjell zbatimin e ligjit dhe mbështet familjet në nevojë në sigurimin e energjisë elektrike.

Nisma përmbyll dilemat për kostot financiare të zbatimit të nenit 95 të ligjit dhe realizon procesin bazë që duhej përmbyllur përpara hartimit të tij, pra analizimin e ndikimit në buxhetin e shtetit, duke kërkuar në vijim vetëm vullnetin e qeverisë shqiptare për nxjerrjen e VKM-së që vendos në praktikë mbështetjen e “klientëve në nevojë”.

_______

*AUTOR: Geri Emiri

*Foto në krye: Qytetarët duke paguar faturat e energjisë tek zyrat e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, dega Kamëz, përpara nisjes së pandemisë. Foto: Geri Emiri.

*Ky artikull u publikua si pjesë e projektit “Për drejtësi më të aksesueshme për gratë dhe burrat në Shqipëri”, i cili zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në partneritet me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) dhe mundësohet me fonde nga Ambasada Norvegjeze në Shqipëri.