Amfiteatri i Durrësit, monumenti antik pret zbulimin e plotë

Amfiteatri i Durrësit doli në dritë pjesë-pjesë në vitin 1966. Arkeologu Vangjel Toçi mundi të zbulonte pjesën më të madhe të monumentit antik gjatë gërmimeve intensive të viteve 1967-1970, duke shpërngulur nga aty 55 familje dhe prishur 33 banesa.

Ai mendohet se u ndërtua në fillim të shekullit II (të dytë) të Erës Sonë, gjatë sundimit të perandorit Trajan. Monumenti që tregonte nivelin e lartë të social-ekonomik të qytetit u ndërtua për të argëtuar banorët gjatë ndeshjes së gladiatorëve me njëri-tjetrin apo me kafshët ekzotike.

Në formë elipsi, diametri i tij përllogaritet në 136 metra dhe me lartësi rreth 20 m. Me një kapacitet që mendohet të mbante rreth 20 mijë persona, teksa sot një pjesë e tij qëndron ende nën muret e banesave moderne.

Një përpjekje shpronësimi për zbulimin e plotë të monumentit romak u bë nga qeveria në fillim të vitit 2015, që pasoi me prishjen e 3 banesave që ndodheshin brenda amfiteatrit, por premtimi për ta zbuluar të gjithin nuk u përmbush.

Turistë duke vizituar rrugicat mbi amfiteatër. Foto: Geri Emiri, Media Amfora

Pas tërmetit të 26 nëntorit që shkundi qytetin u ndez një dritë jeshile për zbulimin më tej të amfiteatrit. Akt-ekspertizat e thelluara të Institutit të Ndërtimit kanë përcaktuar rrezikshmërinë e lartë për një pjesë të banesave që gjenden mbi amfiteatër.

Por teksa nuk janë ndërmarrë veprime konkrete,  familjet që banojnë aty i kundërshtojnë akt-ekspertimet që i kanë shpallur shtëpitë e tyre të pabanueshme.

_____

*Foto në krye: Arena e amfiteatrit të Durrësit e zënë me banesa. Foto: Geri Emiri, Media Amfora