Stërvitja ushtarake “Defender Europe 25” ndalet në Durrës, simulim me operacione detare

“Defender Europe 25”, një nga stërvitjet më të mëdha ushtarake në kontinent, i udhëhequr nga trupat amerikane përfshirë vendet anëtare të NATO-s edhe partnerët e saj, zhvilloi një simulim në ujërat territoriale të vendit tonë, rreth 6 milje larg Portit të Durrësit. 

Simulimi i stërvitjes ushtarake Defender Europe 25 në Durrës. Foto Media Amfora

Një incident i simuluar u realizua në ujrat e Adriatikut më 5 qershor, në kundër të stërvitjes së përbashkët ndërkombëtare “Defender Europe 25”, duke testuar gatishmërinë për reagimin përmes operacioneve ushtarake.

Tre anije të Flotës Detare Shqiptare, “Lissus”, “Oriku” dhe “Semani”, 2 anije amerikane dhe 2 helikopterë “Cougar” të Forcës Ajrore morën pjesë në simulimin e stërvitjes ushtarake që shtrihet në fazën e dytë të saj, duke përfshirë 8 shtete të Ballkanit dhe Evropës Juglindore.  

Për herë të parë, Shqipëria angazhoi në këtë stërvitje dronët e saj, të cilët monitoruan të gjithë operacionin në det dhe transmetuan në kohë reale pamjet filmike tek komanda e brigadës që ndodhet në Zall-Herr. 

Kundëradmirali Adnand Agastra, Komandanti i Forcës Detare, foli rreth kësaj stërvitje ushtarake dhe rëndësinë që ajo ka për vendet anëtare të NATO-s, por jo vetëm.

“Numri i trupave në tërësi të angazhuar në “Defender Europe” është 1400 persona. Janë rreth 1550 forca amerikane, të cilat janë të dislokuara nga pjesa detare deri në pjesën tokësore. Janë rreth 39 Forca të Sigurisë së Kosovës, si dhe kroate”, tha Kundëradmirali Agastra.

E ndarë në 3 faza, stërvitja nisi në pjesën veriore të kontinentit, më 11 maj edhe do të përfshijë afro 28 mijë trupa nga 39 vende të botës. Operacionet do të shtrihen në territorin e 16 shteteve dhe në të do të angazhohen njësi të shumta ushtarake nga deti, toka dhe ajri.

Stërvitja do të zgjasi deri më 9 qershor dhe ka për qëllim rritjen e gatishmërisë së përbashkët, ndërveprimit të forcave dhe kapacitetit të përgjigjes ndaj kërcënimeve në një ambient operacional kompleks.