Skënderbeu: Keqpërdorimi i figurës së heroit në një debat përçarës

Figura e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, është përdorur në të shkuarën për krijimin e një identiteti nacionalist apo për kredite politike personale – por diskursi i viteve të fundit rrezikon të ushqejë ndasi edhe mes komuniteteve fetare.

Në një bashkëbisedim me gjimnazistët e Tiranës me rastin e 555-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, të zhvilluar në kryeministri, historiani Aurel Plasari tha se figura e heroit është bërë pjesë e të gjitha lëvizjeve kombëtare – po aq sa pjesë e propagandës. 

“Figura e Skënderbeut është gjithmonë e pranishme, në një kuptim që të marrin prej tij, të marrin pak lavdi”, tha Plasari në prani të kryeministrit Edi Rama. 

Figura e Skënderbeut nuk është instrumentalizuar vetëm për krijimin e një identiteti nacionalist shqiptar apo për kredite personale politike. 

I portretizuar gjatë dekadave të fundit si “Atlet i Krishtërimit”, figura e Skënderbeut është bërë gjithashtu pjesë e një diskursi radikal fetar, ku fraksione të komunitetit mysliman në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut deklarojnë se nuk e njohin atë si hero të shqiptarëve. 

Media Amfora identifikoi dhjetra shkrime të shpërndara në internet, të cilat e fryjnë këtë debat. Sipas ekspertit të sigurisë, Fabian Zhilla, kjo ushqen përçarjen apo urrejtjen mes komuniteteve fetare. 

“Është përdorur nga qarqe ekstremiste, qoftë katolike, qoftë ortodokse, të cilat e përdorin dhe e portretizojnë Skënderbeun si figurë që bëri një luftë fetare, që në fakt e vërteta është krejtësisht e kundërt, pasi Skënderbeu le të themi ka luftuar për interesat e veta të kohës”, tha Zhilla.

“Betejat e tij risillen si një figurë me konotacion fetar…dhe shumica tjetër e shikon në mënyrë kritike”, shtoi eksperti i sigurisë. 

Fushatat dezinformuese rreth figurës së Skënderbeut nuk kanë kaluar pa vëmendjen e qytetarëve. Përmes një pyetësori të publikuar online, Media Amfora kontaktoi me 30 persona, 53% e të cilëve thanë se kishin hasur raportime keqinformuese rreth figurës së Skënderbeut. 

Ndërkohë, rreth 70% e të anketuarve u përgjigjën se nuk e lidhnin Skënderbeun me besimin fetar. Rreth 30% e të anketuarve mendonin se identifikimi i heroit vetëm me besimin katolik ka qëllime dashakeqe, ndërsa pjesa tjetër është e ndarë mes padijes, qëllimeve fondamentaliste apo fakteve historike. 

Rezultatet e përgjigjeve për parashtrimin: “Mendoni se identifikimi i Skënderbeut dhe Nënë Terezës vetëm me besimin katolik dhe kontributin për të, ka qëllime:’

Për Nada Dostin, autore e raportit europian për Islamofobinë, keqpërdorimit të figurave kombëtare i është bashkuar edhe elita politike, duke e bërë pjesë të ligjërimit publik në Shqipëri.

“Jemi dëshmitarë se si figura e Skënderbeut është rrëmbyer për interesa pseudonacionaliste, duke u shndërruar nga hero i të gjithë shqiptarëve, në njëfarë heroi të krishterë, mbrojtës i krishterimit kundër islamizimit të hershëm të shqiptarëve nga osmanët”, tha Dosti. 

Në vitin 2018 deklaratat e historianit Paskal Milo në një emision televiziv mbi jetën e Skënderbeut, u përfshinë në një fushatë keqinformuese që mori sekuenca të bashkuara në një video dhe duke i nxjerrë jashtë kontekstit.

Deklaratat e Milos morën një shpërndarje të gjerë edhe kur video u ripublikua në vitin 2020, duke u shpërndarë edhe nga mediat online në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë. Milo i kundërshtoi duke i cilësuar ato si keqcitime të deklarimeve të tij dhe me qëllime dashakeqe. 

Screenshot” i një lajmi në median online për deklaratat e historianit Paskal Milo

Për studiuesit fokusimi i informacioneve me qëllime dashakeqe që përhapen në internet, tek Skënderbeu nuk janë të rastësishme, krahasuar me figura të tjera si Nënë Tereza. Kjo për ta lidhet me informacionet e gjera që ofrohen për heroin kombëtar.

“Që në trajtimin e tij në tekstet mësimore dhe më pas në media, njerëzit bashkë me shkollën mësohen edhe me figurën e këtij heroi kombëtar. Kjo nuk ndodh me Nënë Terezën”, tha Mark Palnikaj, autor i librit “Skënderbeu, leterkëmbimi me sulltanët”.

“Mendoj që për këto dy figura masat e gjera në Shqipëri vendosin në plan të parë jo anën fetare, por atë kombëtare”, shtoi Palnikaj. 

Keqpërdorimit nuk i ka shpëtuar as Nënë Tereza, misionarja me origjinë shqiptare, e cila sipas ekspertëve është instrumentalizuar për ta sjellë si një figurë kombëtare – ndonëse ajo gjatë veprimtarisë së saj nuk ka pasur një agjendë të tillë. 

“Ajo ka qenë besimtare e nivelit të lartë në ritualin katolik, por që në Shqipëri përpiqen ta rimarrin dhe ta ripërtypin, ta risjellin si një vlerë kombëtare, ndërkohë që lidhja e saj e vetme me Shqipërinë është origjina”, analizoi eksperti dhe profesori i sigurisë, Fabian Zhilla.

“Është kthyer në një simbol i cili vjen nga katolicizmi dhe e marrin si një simbol që përfaqëson shqiptarët”, shtoi Zhilla. 

Për ekspertët, përdorimi i figurës së Nënë Terezës ka pasur si qëllim krijimin e një imazhi më europian të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. 

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, në Sheshin “Nëna Tereza”, Prishtinë, pranë së cilës gjendet edhe përmendorja e Skënderbeut. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora

Tjetërsimi i figurave kombëtare dhe keqinformimi për jetën e tyre krijon premisat e një krisjeje të marrëdhënieve në shoqëri dhe polarizim të raportit midis komuniteteve fetare.

“Figurat kombëtare zakonisht përfaqësojnë idealet e një vendi dhe shërbejnë si unifikuese për qytetarët”, tha studiuesja Nada Dosti. 

“Ato luajnë rol frymëzues dhe unifikues, por kur ato rrëmbehen nga grupe të caktuara për interesa më të ngushta, qoftë fetare apo pseudonacionaliste, me qëllim për të përjashtuar ‘tjetrin’, atëherë ato humbasin rolin e tyre unifikues dhe kthehen në figura përçarëse që dëmtojnë unitetin dhe kohezionin e një shoqërie”, përfundoi ajo.