Sjelljet agresive të zyrtarëve të PD-së ndaj gazetarëve, organizatat kërkojnë përgjegjësi
Gazetarët e terrenit të disa prej mediave audiovizive në vend u përballën me sjellje agresive nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike mbrëmjen e 16 majit, ndërsa raportonin protesën kundër procesit zgjedhor të 11 majit. Organizatat për lirinë e medias apeluan për përgjegjësi institucionale dhe morale nga opozita.

Pjesë nga video e konfliktit e ndarë nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) dhe Rrjeti “SafeJournalists”, kanë dolën me deklarata për shtyp dhe dënuan sjelljet “e papranueshme dhe agresive” të disa zyrtarëve të lartë të Partisë Demokratike ndaj gazetarëve të disa prej televizoneve në vend, që po raportonin nga protesta e organizuar nga opozita në Tiranë mbrëmjen e 16 majit.
AGSH menjëherë pas ngjarjes theksoi se sjellja e drejtuesve të strukturave të PD-së përbën akt shqetësues që bie ndesh me lirinë e shtypit.
“Në mënyrë të veçantë, sjellja e kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka, dhe Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka, i cili u përfshi në sulme verbale ndaj gazetarëve, përbën një akt shqetësues që bie ndesh me standardet minimale të respektit për lirinë e shtypit dhe punën e gazetarëve në terren”, thuhej në deklaratën e AGSH.
Deputetët demokratë Edi Paloka dhe Klevis Balliu, shoqëruar nga mbështetës të PD-së shfaqen duke debatuar verbalisht dhe gati në përplasje fizike me gazetarët dhe operatorët e televizioneve në Tiranë. Gazetarja e “Euro News”, Sara Demushi dhe të tjerë u përballën direkt me këto sulme.
Deputetët opozitarë refuzuan që të japin komente për humbjen e zgjedhjeve, duke i thënë gazetarëve se bënin pyetje të përgatitura nga qeveria. Pjesë e sulmeve në protestë ranë edhe gazetarja e Report TV, Danjela Maloku dhe gazetarët e Top Channel, e të TV Klan.
Gazetarët në vend po përballen me një klimë jo miqësore dhe vetëm më 11 maj në të gjithë vendin u raportuan sulme fizike, kërcënime dhe intimidime ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias. Policia njoftoi procedimin penal vetëm në një rast, ndërsa agresorët në një pjesë ishin anëtarë të krimit të organizuar.
Organizatat në mbrojtje të gazetarëve kujtuan se fatkeqësisht nuk është hera e parë që përfaqësues të forcave politike përpiqen të intimidojnë gazetarët përmes fyerjeve, sulmeve apo diskreditimeve publike.
Për Unionin e Gazetarëve Shqiptarë tendenca për të politizuar pyetjet apo këmbënguljen e gazetarëve është e gabuar nga politikanët.
“Tendenca për të politizuar pyetjet apo këmbënguljen e gazetarëve për shkak të pyetjeve të tyre, është e gabuar dhe na kthen në fillimet e pluralizmit politik shqiptar dhe në mendësitë e kulturës së munguar të diversitetit demokratik”, shkruhej në deklaratën e UGSH-së.
UGSH shtoi se dënon episodet, agresionin verbal dhe stigmatizimet që deputetët dhe drejtuesit e veçantë të opozitës dëshmuan në aktivitetin e tyre politik.
Gjithashtu gazetarë të tjerë u penguan drejtpërdrejt gjatë raportimit të tyre, si në rastet e, Arestina Skënderi dhe Anesti Barjamemaj (A2 CNN), Esido Barkaj (Vizion Plus TV), Besar Bajraktaraj (Klan TV), si edhe ekipet e tyre, duke detyruar një pjesë të tyre që të largoheshin për arsye sigurie.
Rrjeti “SafeJournalists” shpjegoi se këto raste përbëjnë sulme të drejtpërdrejta ndaj gazetarëve që kryejnë detyrën profesionale për të informuar publikun.
“Kur politikanë të nivelit të lartë ofendojnë dhe poshtërojnë publikisht gazetarët, shpesh me gjuhë të ngarkuar gjinore dhe patronizuese, ata normalizojnë armiqësinë dhe krijojnë kushte të pasigurta pune, veçanërisht për gazetaret gra”, shpjegoi deklarata.
Ndërsa deklarata e Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë theksoi se gazetarët nuk janë palë në konfliktet politike dhe nuk mund të trajtohen si kundërshtarë për shkak të pyetjeve që bëjnë apo raportimeve që japin.
“Kjo sjellje e përsëritur e zyrtarëve të partive politike, përfshirë edhe opozitën sidomos gjatë 24 orëve të fundit, dëshmon një mungesë të thellë respekti për rolin e medias në një shoqëri demokratike”, shtoi deklarata.
Për Unionin e Gazetarëve Shqiptarë, opozita duhet të të reflektojë në respekt të medias.
“Kërkojmë prej opozitës dhe përfaqësuesve të saj, të pranishëm në këtë ndodhi, të reflektojnë në respekt të medias, rolit të gazetarisë dhe pavarësisë së gazetarëve në përgjithësi”, shtoi deklarata.