Shqipëria e vitit 1994, në objektivin e Gianni Bellesia

Ekspozita “Shqipëria 1994, një popull në lëvizje” sjell në Durrës për herë të parë fotografitë historike të fotografit Gianni Bellesia, të realizuara menjëherë pas rënies së diktaturës, duke rikthyer kujtesën e një epoke plot vështirësi, sfida dhe shpresë.

Mbrëmjen e së premtes, në sallën blu të Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Durrës, u hap ekspozita fotografike ‘Shqipëria 1994, një popull në lëvizje”, me imazhet e rralla të realizuara në Shqipëri nga fotografi italian Gianni Bellesia.

“Prezantojmë 30 fotografi të realizuara nëpër Shqipëri nga Gianni Bellesia, i cili udhëtoi në shumë qytete të vendit, duke fokusuar imazhe të një shoqërie që sapo kishte dalë nga sistemi monist dhe po përballej me mjaft vështirësi e pikëpyetje për të ardhmen”, u shpreh në ceremoninë e çeljes së ekspozitës kuratori i saj, Petrit Kozeli.

Miq të Gianni Bellesia, të apasionuar pas fotografisë, drejtues të institucioneve të kulturës në qytet, familje italiane që jetojnë prej vitesh në Durrës, por edhe vizitorë të shumtë, u bënë bashkë për të ndjekur ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite. 

Gianni Bellesia, emër i njohur i fotografisë dhe gazetarisë italiane, udhëtoi në Shqipëri si pjesë e një ekspedite humanitare në vitin 1994. Së bashku me një grup humanitar, ai u ndal në qytetet e Durrësit, Tiranës dhe Shkodrës. Me kamerën e tij Bellesia fokusoi nga afër jetën urbane dhe atë rurale të kohës, duke sjellë në objektiv personazhe që hasi në udhëtimin e tij deri në fshatin e largët Nënshat të Shkodrës.

“Ajo që pashë dhe më impresionoi nëpër Shqipërinë e asaj kohe ishte shpresa në sytë e njerëzve, dëshirat e tyre të mëdha për të siguruar një realitet tjetër për vete dhe për fëmijët e tyre. Unë u përballa me një vend që sapo kishte dalë nga sistemi monist dhe po kalonte vështirësi të pafundme”, u shpreh vetë fotografi në fjalën e tij para të pranishmëve.

Pjesëmarrësit duke ndjekur nga afër ekspozitën. Foto: Media Amfora

Tre dekada më parë, fotografi e gjeti veten mes grupit që shoqëronin dy kamionë me ndihma për popullin shqiptar, i cili sapo kishte nisur rrugën drejt demokracisë. Gjatë këtij udhëtimi, ai fotografoi kudo ku shkeli dhe u përball me personazhe të ndryshme, nga të rinjtë deri tek të moshuarit.

“Hasa të rinj që kishin dëshirë të shkonin në Itali, të hapnin mendjen në një vend evropian, ndërsa edhe të moshuarit ishin të lumtur që të rinjtë të iknin në Perëndim, me shpresën se do të sillnin në vendlindje të rejat e shkencës dhe teknologjinë e kohës,” u shpreh më tej autori.

Ekspozita fotografike “Shqipëria 1994, një popull në lëvizje” u hap me ndihmën e Foto Klubit të fotografëve durrsakë, i themeluar pak kohë më parë.

Në shenjë nderimi për punën e bërë, fotografi italian Gianni Bellesia u vlerësua nga shoqata “Durrësi Autokton”, e cila i akordoi titullin “Mirënjohja e qytetit”, ndërsa mori titull mirënjohje edhe nga Foto Klubi i Durrësit.

Më pas pjesëmarrësit zbuluan nga afër ekspozitën, ku spikasin kontrastet e asaj kohe: vështirësitë dhe shpresa, ëndrra për një jetë më të mirë dhe lidhja e thellë kulturore me Italinë përtej detit. Tridhjetë vjet më vonë, këto imazhe historike kthehen për herë të parë në Shqipëri, në vendin ku u shkrepën, duke sjellë kujtimin e një epoke që nuk duhet harruar.

Fotografi të fotografit italian Gianni Bellesia. Foto: Media Amfora

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun gjatë gjithë fundjavës