Shpallje e gjendjes së emergjencës, protesta e radhës në Durrës

Në Durrës u zhvillua protesta e radhës në reagim ndaj përmbytjeve që prej disa ditësh kanë prekur zona të ndryshme të qytetit. Protestuesit kërkuan shpalljen e gjendjes së emergjencës, thellimin e hetimeve dhe marrjen e masave të menjëhershme institucionale për përballimin e situatës.

Paraditen e së premtes, para Bashkisë së Durrës në sheshin “Liria”, Lëvizja Bashkë dhe aktivistë zhvilluan një protestë në reagim ndaj përmbytjeve që prej disa ditësh kanë prekur zona të ndryshme të qytetit, duke kërkuar shpalljen e gjendjes së emergjencës, thellimin e hetimeve dhe ndërhyrje të menjëhershme institucionale.

“Kemi të bëjmë me një situatë ku hidrovori i vjetër është mbyllur dhe sistemi aktual është i mbingarkuar, ndaj shpallja e gjendjes së emergjencës është e domosdoshme”, u shpreh Artan Kacani, drejtues i Lëvizjes Bashkë në Durrës. 

Kacani, një zë opozitar në qytet u shpreh se përveç shpalljes së gjendjes së emergjencës, nevojitet edhe përgjegjësi institucionale për mënyrën se si është menaxhuar infrastruktura dhe situata e përmbytjeve. 

“Kërkojmë hetim të thelluar për hidrovorin e dytë dhe për çështjet e planifikimit urban, si dhe transparencë për vdekjen e punonjësit të Bashkisë së Durrësit, i cili humbi jetën pa asnjë mbështetje teknike dhe profesionale”, tha urbanisti. 

Gjatë protestës, pjesëmarrësit mbanin pankarta me mesazhe si “Gjendje e jashtëzakonshme tani”, “Uji na mbyt, korrupsioni sundon” dhe “Hetim për portin e ri”.

Vladimir Agalliu, banor i një prej zonave të përfshira nga përmbytjet, tha se situata është pasojë e mungesës së investimeve dhe neglizhencës institucionale ndër vite. 

“Në lagjen tonë nuk erdhi vetëm uji i shiut, por edhe ujërat e zeza, ndërsa kanalet pastrohen vetëm për fushata elektorale; oborret tona janë përmbytur dy herë dhe me çdo shi rrezikojmë të përmbytemi sërish”, u shpreh Agalliu. 

Në vijim të reshjeve intensive të 6 janarit, që shkaktuan përmbytje në disa zona të Durrës, situata mbetet problematike, ndërsa Prokuroria njoftoi nisjen e hetimeve për këto ngjarje, të cilat u shoqëruan edhe me humbjen e jetës së një punonjësi të shërbimit komunal, i cili u gjet pa shenja jete më 8 janar. 

Mirela Ruko, sekretare organizative e Lëvizjes Bashkë, u shpreh se autoritetet po shmangin shpalljen e gjendjes së emergjencës, duke e lënë dëmshpërblimin e banorëve në vullnetin e institucioneve dhe jo si detyrim ligjor.

“Shmangia e gjendjes së emergjencës do të thotë që dëmshpërblimi i banorëve të mbetet në vullnetin e qeverisë dhe jo si një detyrim, ndaj kërkojmë shpalljen e emergjencës dhe hetim të plotë për atë që ka ndodhur jo vetëm në Durrës, por edhe në zona të tjera të vendit”,  përfundoi ajo. 

Në Durrës vijojnë të zhvillohen një seri protestash në reagim ndaj përmbytjeve dhe menaxhimit të situatës, ndërsa qytetarë dhe aktivistë kërkojnë përgjegjësi institucionale dhe zgjidhje afatgjata për problematikat infrastrukturore në qytet.