Shoqëria Civile në Ballkan nxit kërkimin dhe inovacionin përmes integrimit evropian dhe lëvizshmërisë rajonale

Shoqëria civile në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor po nxit përforcimin e kapaciteteve për kërkimin shkencor dhe inovacionin, duke kërkuar bashkëpunimin rajonal dhe afrimin me Bashkimin Evropian.

Foto nga paneli i diskutimit/ Media Amfora

Shoqëria civile në Shqipëri dhe rajon po vijon përpjekjet për të forcuar kërkimin dhe inovacionin e orientuar drejt lëvizshmërisë midis vendeve ballkanike dhe Evropës, me qëllim përmirësimin e jetës social-ekonomike dhe rritjen e kapaciteteve përfituese nga fondet e BE-së.

Në një takim hibrid të mbajtur në Tiranë, me pjesëmarrjen “online” të ekspertëve nga Evropa, u bënë bashkë zyrtarë dhe kërkues, të cilët diskutuan për agjendat evropiane dhe rajonale të kërkimit dhe inovacionit, me qëllim ndikimin e vendimmarrësve për të rritur investimet dhe për të krijuar më shumë mundësi për Ballkanin Perëndimor.

“Kjo do të thotë ‘qarkullim i trurit’ brenda rajonit, por edhe nga rajoni drejt Bashkimit Evropian dhe mbi të gjitha nga BE-ja drejt rajonit, në mënyrë të tillë që të kapërcehen këto vështirësi që kemi me ‘largimin e trurit’, me gjetjen e forcës së punës dhe për të mbushur mangësitë sistemike, strukturore, që ka arsimi, kërkimi dhe shkenca”, shpjegoi Blerjana Bino, drejtoreshë ekzekutive e “Qendrës për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim” – SciDev.

Takimi bëri bashkë palët e interesuara, studiuesit dhe politikëbërësit për të reflektuar dhe për të avancuar rolin e kërkimit dhe inovacionit të drejtuar nga lëvizshmëria në Ballkanin Perëndimor. Aty u prezantuan shkurtimisht politikat, gjetjet, rekomandimet dhe ngritja e një platforme për të shtyrë përpara gjetje konkrete për vendimmarrësit.

Foto nga paneli i diskutimit/ Media Amfora
Foto nga paneli i diskutimit/ Media Amfora

Gjatë takimit të zhvilluar në Tiranë me pjesëmarrjen e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë, u theksua rëndësia e lëvizshmërisë akademike, shkëmbimit të përvojave dhe qasjes në fondet evropiane si mjete për zhvillim të qëndrueshëm dhe integrim më të shpejtë në strukturat evropiane.

“Ne synojmë ngritjen e një mekanizmi për aftësitë, kërkimin dhe inovacionin që të ofrojë mbështetje financiare, zhvillimin e infrastrukturës, laboratorëve, rijetëzimin dhe ndërtimin e partneriteteve në mënyrë të tillë që universitetet, qendrat kërkimore dhe aktorët e tjerë në Ballkanin Perëndimor të jenë të sukseshëm në përthithjen e fondeve që janë për kërkimin, por që janë të bazuara tek ekselenca”, shpjegoi më tej Bino.

Pjesëmarrësit treguan nevojën për të ndërtuar sinergji me Konferencën e Përbashkët të Shkencës të Procesit të Berlinit dhe me Planin e Ri të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, që kontribuon më tej në kërkimin dhe dialogun rreth integrimit të Ballkanit në Zonën Evropiane të Kërkimit dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm Ekonomik përmes shkencës, teknologjisë dhe inovacionit.

Takimi ekspozoi edhe pozicionin e Shqipërisë në raport me vendet e tjera ballkanike, në përthithjen e fondeve të rëndësishme të BE-së. Midis viteve 2021 dhe 2023, Ballkani Perëndimor përfitoi mbi 111 milionë euro nga programi “Horizon Europe”, ku Serbia dhe Mali i Zi shfaqin kthim më të lartë nga investimi në krahasim me Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërsa vendet me performancë të lartë karakterizohen nga institucione të fuqishme, vendet e tjera vazhdojnë të përballen me pengesa sistemike, përfshirë infrastrukturë të dobët, mekanizma të fragmentuar mbështetës, korniza të kufizuara të tregut të punës dhe sisteme të ngadalta bashkëfinancimi kombëtar.

“Kishim të ftuar edhe kolegë nga rajoni, nga Maqedonia e Veriut, për të ndarë përvojën e tyre dhe përfaqësues nga ministritë, Komisioni Evropian dhe nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, për ta lidhur këtë me të gjithë kuadrin e përgjithshëm të Shqipërisë drejt integrimit evropian”, shpjegoi Bino mbi aktorët pjesëmarrës dhe kontributin për procesin e integrimit në BE.

Takimi ishte pjesë e iniciativës “IGNITA”, të Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur në Ballkanin Perëndimor, si një bashkëpunim midis organizatave rajonale të shoqërisë civile për të krijuar një qendër për palët e interesuara, të fokusuara në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin në BE.