Shoqëria civile kundër procedurës së përshpejtuar për ligjet e integrimit evropian

Një koalicion prej 31 organizatash të shoqërisë civile shpreh shqetësim lidhur me projektvendimin për ndryshime në Rregulloren e Kuvendit, që parashikon procedurë të përshpejtuar për legjislacionin e integrimit evropian. Ato kërkojnë transparencë, shqyrtim parlamentar dhe konsultim publik gjatë procesit legjislativ.

Organizata të shoqërisë civile reaguan të premten, duke shprehur shqetësim për projektvendimin e paraqitur më 2 mars 2026 për ndryshime në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, i cili parashikon përdorimin e një procedure të përshpejtuar për legjislacionin që lidhet me procesin e integrimit evropian.

“Efikasiteti i procesit legjislativ duhet të shoqërohet me standarde të larta transparence, përfshirjeje publike dhe debat parlamentar”, shkruhej në deklaratën e organizatave, të shpërndarë për mediat paraditen e 13 marsit.

Organizatat theksojnë se në procesin e integrimit evropian rëndësi ka jo vetëm ritmi i përafrimit të legjislacionit, por edhe cilësia e procesit dhe përfshirja e aktorëve të interesit.

“Korniza e monitorimit të Komisionit Evropian vlerëson jo vetëm ritmin e përafrimit të legjislacionit, por edhe cilësinë dhe përfshirjen e grupeve të interesit si pjesë e funksionimit të institucioneve demokratike”, theksuan organizatat. 

Në deklaratë ngrihen dy shqetësime kryesore që lidhen me projektvendimin për ndryshime në Rregulloren e Kuvendit. Sipas organizatave, përdorimi i procedurës së përshpejtuar për legjislacionin e integrimit evropian dhe mungesa e garancive të qarta për transparencë dhe konsultim publik mund të ndikojnë në cilësinë e procesit legjislativ.

Ndryshimet e propozuara në Rregulloren e Kuvendit synojnë të vendosin një procedurë të përshpejtuar për shqyrtimin e legjislacionit që lidhet me procesin e integrimit evropian. Sipas draftit, kjo procedurë do të zbatohej për projektligjet që lidhen me integrimin, duke synuar përshpejtimin e procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me procesin “acquis” të Bashkimit Evropian.

Organizatat paralajmërojnë se mënyra e konceptimit të procedurës së përshpejtuar mund të ndikojë në funksionimin e procesit parlamentar dhe në cilësinë e shqyrtimit të legjislacionit.

“Sipas draftit, procedura e përshpejtuar do të zbatohet automatikisht për të gjithë kategorinë e projektligjeve që lidhen me integrimin europian, pa një shqyrtim parlamentar rast pas rasti. Kjo shmang filtrin procedural që aktualisht kërkon që urgjenca të propozohet, të arsyetohet dhe të miratohet nga Kuvendi për çdo projektligj të veçantë. Në mungesë të kësaj garancie, ekziston rreziku që procedura e përshpejtuar të kthehet në mënyrën standarde të miratimit të një numri gjithnjë e më të madh ligjesh – shumë prej të cilave janë teknikisht komplekse dhe me ndikim të rëndësishëm institucional dhe shoqëror. Drafti gjithashtu nuk parashikon afat minimal për shqyrtim në komisione dhe nuk ka mekanizëm rikthimi në procedurë të zakonshme kur kompleksiteti kërkon shqyrtim më të thelluar”, theksohet në deklaratë.

Organizatat shprehin gjithashtu shqetësim për mungesën e garancive për konsultimin me shoqërinë civile dhe transparencën publike në procedurat e përshpejtuara.

“Projekt-ndryshimet e propozuara nuk përfshijnë dispozita që garantojnë konsultimin me shoqërinë civile dhe grupet e interesit, angazhimin e ekspertëve apo transparencën publike në kontekstin e procedurës së përshpejtuar […]”, thuhet në deklaratë.

Organizatat i bëjnë thirrje Kuvendit që, përpara miratimit të projektvendimit, të marrë në konsideratë disa garanci procedurale për të ruajtur transparencën dhe rolin e shqyrtimit parlamentar në legjislacionin e integrimit europian. Sipas deklaratës, procedura e përshpejtuar nuk duhet të zbatohet automatikisht për të gjitha projektligjet, por të kërkojë një vendim të arsyetuar parlamentar për çdo rast, duke garantuar një periudhë minimale shqyrtimi në komisione, konsultim të strukturuar publik dhe publikimin e akteve në platformën e konsultimit të Kuvendit, transparencë të plotë për legjislacionin e përshpejtuar, si dhe forcimin e rolit të komisioneve parlamentare sektoriale në shqyrtimin e projektligjeve që lidhen me procesin e integrimit evropian.

Deklarata është nënshkruar nga 31 organizata të shoqërisë civile, mes tyre edhe Qendra Amfora, të cilat shprehen të gatshme për dialog me Kuvendin dhe institucionet përkatëse mbi çështjet e ngritura në këtë deklaratë.

Organizatat nënshkruese:

ㆍQendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) 

ㆍAlbanian Woman in Audiovisual (AWA) 

ㆍPartners Albania 

ㆍAkademia e Studimeve Politike (ASP) 

ㆍQendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) 

ㆍQendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim” (GADC) 

ㆍKomiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) 

ㆍQendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER) 

ㆍInstituti i Studimeve Politike (ISP) 

ㆍAleanca Kundër Diskriminimit LGBTI 

ㆍQendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA-ECPAT Shqipëri) 

ㆍRrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative Shqipëri (BIRN Albania) 

ㆍAsociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH/AJA) 

ㆍInstituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) 

ㆍFaktoje 

ㆍRrjeti Erasmus Tirana (ESN Tirana) 

ㆍFondacioni “Së Bashku”

ㆍInstituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI) 

ㆍInstituti Shqiptar i Shkencës/ Open Data Albania 

ㆍRrjeti i Informimit dhe Qytetarisë Aktive 

ㆍKëshilli Shqiptar i Medias (KSHM) 

ㆍQendra Për Studime të Krahasuara dhe Ndërkombëtare (QSKN) 

ㆍQendra Amfora 

ㆍQëndresa Qytetare 

ㆍQendra Shqiptare për Gazetari Cilësore (ACQJ) 

ㆍShoqata Together for Life (TFL) 

ㆍQendra “Strehëza Edlira Haxhiymeri” 

ㆍRrjeti i Grave – Barazi në Vendimmarrje 

ㆍQendra për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Zhvillim të Qëndrueshëm – All Green Centre 

ㆍLëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) 

ㆍAWEN-Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri