Seanca për Ballukun në Kushtetuese, SPAK: Rrezikohej prishja e provave
SPAK mbrojti në Gjykata Kushtetuese masën e pezullimit ndaj Belinda Balluku, duke e cilësuar atë proporcionale dhe të nevojshme për të shmangur komprometimin e provave. Gjykata mbylli seancën dëgjimore dhe u tërhoq për vendim, i cili pritet të jepet në seancën e radhës.
Foto ilustruese nga ndërtesa ku gjendet edhe Gjykata Kushtetuese. Foto: Media Amfora
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) mbrojti në seancën e mbajtur në Gjykata Kushtetuese, e zhvilluar të enjten dhe që zgjati rreth katër orë, masën e pezullimit ndaj Belinda Balluku, duke e cilësuar atë proporcionale dhe të nevojshme për garantimin e hetimit penal.
Çështja që u shqyrtua nga Gjykata Kushtetuese lidhet me një konflikt kompetencash mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor, pas vendimit të Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Ankesa në Kushtetuese është paraqitur nga qeveria, e cila kundërshton vetëm masën e pezullimit nga detyra, duke argumentuar se ajo cenon funksionimin e pushtetit ekzekutiv, ndërsa nuk vihet në diskutim vijimi i hetimit penal. Pezullimi u vendos me kërkesë të SPAK, në kuadër të një hetimi penal ndaj Ballukut për dyshime mbi vepra penale të lidhura me ushtrimin e funksionit publik.
Sipas prokurorisë, hetimi përfshin procedura që lidhen me projektin e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë, si edhe me disa lote të projekteve rrugore në Tiranë, për të cilat SPAK dyshon për shkelje të procedurave ligjore, favorizim dhe abuzim me detyrën gjatë procesit të prokurimit dhe zbatimit të kontratave publike. Balluku i ka mohuar publikisht akuzat. SPAK ka argumentuar se masa e pezullimit është e përkohshme dhe e nevojshme për garantimin e mbarëvajtjes së hetimit, duke pretenduar se qëndrimi i saj në detyrë mund të ndikonte në procesin e mbledhjes së provave.
Në seancën kushtetuese, Balluku nuk ishte palë direkte në gjykim, ndërsa Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk u përfaqësua, me arsyetimin se pjesëmarrja do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve. Pas dëgjimit të palëve, Gjykata Kushtetuese mbylli seancën dhe u tërhoq për vendim, i cili pritet të përcaktojë nëse pezullimi i një anëtari të qeverisë nga një gjykatë është në përputhje me Kushtetutën dhe balancën mes pushteteve.