Rrjeti i gazetarëve kritikon gjuhën e Kryeministrit ndaj Klodiana Lalës

Rrjeti “SafeJournalists” ka kritikuar gjuhën e Kryeministrit Edi Rama ndaj gazetares Klodiana Lala, duke theksuar se pyetjet kritike nuk u shoqëruan me përgjigje institucionale. Sipas rrjetit, zhvendosja e debatit drejt sulmit personal dobëson debatin publik dhe ushtron presion ndaj gazetarisë.

Rrjeti në mbështetje të gazetarëve “SafeJournalists” reagoi të mërkurën përmes një postimi në Facebook, duke shprehur shqetësim për mënyrën se si Kryeministri Edi Rama iu përgjigj pyetjeve të gazetares investigative Klodiana Lala lidhur me menaxhimin e mbetjeve dhe funksionimin e inceneratorëve.

“Në vend të përgjigjeve me fakte dhe sqarime institucionale, u përdor një gjuhë përçmuese dhe delegjitimese ndaj gazetares, pa u adresuar asnjë prej pretendimeve konkrete”, thuhet në reagimin e “SafeJournalists”. 

Sipas rrjetit, trajtimi i kritikës ndaj pushtetit si problem etik apo moral i gazetarit zhvendos vëmendjen nga çështjet e interesit publik dhe dobëson rolin e medias në një shoqëri demokratike. Rrjeti paralajmëron gjithashtu se raste të tilla rrezikojnë të normalizojnë presionin ndaj gazetarëve, veçanërisht ndaj grave në profesion.

Pas reagimit të Kryeministrit, Klodiana Lala reagoi në Facebook, duke sqaruar se pyetjet e saj kishin të bënin me transparencën dhe përgjegjësinë institucionale për përdorimin e fondeve publike dhe funksionimin e projekteve të inceneratorëve.

Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama reagoi në platformën X, ku kritikoi qëndrimin e gazetares, pa iu referuar drejtpërdrejt çështjeve të ngritura në lidhje me menaxhimin e mbetjeve.

Ky nuk është rasti i parë kur rrjeti “SafeJournalists”, një platformë rajonale që monitoron lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve në Ballkanin Perëndimor, reagon ndaj mënyrës se si Kryeministri Edi Rama i përgjigjet pyetjeve dhe kritikave të gazetarëve, duke i konsideruar këto raste si shqetësuese për debatin publik.