Rrëzohet mocioni për IPARD, Kuvendi shmang transparencën për fondet e fermerëve shqiptarë
Mazhoranca bllokoi hetimin parlamentar për fondet IPARD, pavarësisht gjetjeve të OLAF për abuzime dhe lidhje politike, ndërsa opozita paralajmëroi komision hetimor.

Ilustrim grafik për programin IPARD II në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut. Përgatiti: Arlind Veshti
Kuvendi rrëzoi të enjten kërkesën e Partisë Demokratike për zhvillimin e një mocioni me debat dhe ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar për fondet IPARD, pas gjetjeve të publikuara nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF).
“Nuk doni të flisni pse Bashkimi Evropian ka bllokuar fondet IPARD, miliona euro që ishin destinuar për fermerët shqiptarë. Shqipëria është i vetmi vend ku ka ndodhur një gjë e tillë, sepse kjo qeveri nuk vjedh vetëm taksapaguesit shqiptarë, por edhe ata europianë,” deklaroi Gazment Bardhi, kryetar i Grupit Parlamentar opozitar gjatë fjalës së tij në Kuvend.
Në vijim të fjalës së tij, Bardhi shtoi se mazhoranca po refuzon transparencën për një çështje që, sipas tij, prek interesat publike dhe fondet e BE-së në Shqipëri.
“Ju po shmangni debatin për këtë çështje, ndërsa është detyrë e Kuvendit të sqarojë përgjegjësitë për bllokimin e fondeve IPARD. Dyshimet për abuzim me fondet e BE-së nuk i ka ngritur opozita, por institucionet europiane,” u shpreh ai.
Kërkesa e Partisë Demokratike për mocion me debat dhe ngritjen e një komisioni parlamentar u rrëzua me 72 vota kundër nga shumica socialiste, ndërsa deputetët e opozitës votuan pro.
Në kushtet e refuzimit të debatit parlamentar, opozita paralajmëroi përshkallëzim institucional. Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, deklaroi se brenda një jave partia që ai përfaqëson do të depozitojë kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor parlamentar për fondet e Bashkimit Europian, duke e cilësuar transparencën mbi programin IPARD “detyrim ndaj fermerëve dhe interesit publik”.
Ky zhvillim politik vjen pas një përpjekjeje të mëparshme të opozitës për ta futur në rend dite mocionin me debat. Më 8 tetor, Konferenca e Kryetarëve rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për diskutim parlamentar mbi gjetjet e OLAF për fondet IPARD dhe për ngritjen e një komisioni të posaçëm.
Mazhoranca argumentoi se çështja “është kompetencë e organeve të drejtësisë”, ndërsa opozita e konsideroi vendimin “bllokim të transparencës dhe shmangie të përgjegjësisë politike”.
Media Amfora arriti që të investigoi dy vite më parë se si Programi IPARD u kthye në një “klub ekskluziv” për kompanitë e mëdha dhe ato të lidhura me politikën dhe krimin. Subjekte të hapura rishtazi dhe të tjerë pa eksperiencë në bujqësi, u ekspozuan në disa raste, duke krijuar skema familjare përfitimi apo duke mashtruar për destinacionin e investimeve.
Më 12 shtator përfaqësues të “Nismës Thurje” depozituan në SPAK një kallëzim penal për zyrtarët e Agjencisë për Bujqësinë (AZHBR) dhe për ish-ministren e bujqësisë Frida Krifca, me dyshimet se kanë shpërdoruar detyrën dhe janë korruptuar. Kjo është hera e dytë që zyrtarisht Programi IPARD shkon në SPAK, i cili herën e parë shpalli moskompetencën.
Çështja e fondeve IPARD mbetet e hapur si në drejtësi ashtu edhe në politikë, ndërsa shuma të mëdha financimesh të BE mbeten të bllokuara për Shqipërinë.