Rrëzimi i palmave, ngjarje e paralajmëruar që rrezikon të përsëritet
Rrëzimi i një palme në Bulevardin “Epidamn” në Durrës ditën e shtunë vuri në rrezik jetën e kalimtarëve, ndërsa rasti i përsëritur rrezikon të ndodhi përsëri, në kushtet kur ato janë tharë pjesërisht si pasojë e mungesës së përkujdesjes.

Makina e dëmtuar nga rrëzimi i palmës. Foto: Media Amfora
Një palmë u rrëzua papritur mesditën e së shtunës në Bulevardin “Epidamn” në qytetin bregdetar të Durrësit, duke rrezikuar jetën e këmbësorëve dhe duke dëmtuar disa automjete të parkuara.
“Normale që palma u rrëzua, pasi brenda ciklit të pemës nuk ka pasur kujdesin e duhur dhe dukshëm ato janë tharë në një pjesë të mirë të trungut të tyre”, komentoi ngjarjen Abdulla Deliallisi, kryetari i Shoqatës “Durrësi Autokton”.
Për të masat duhej të ishin marrë më herët, pasi palmat në Bulevardin “Dyrrah” dhe “Epidamn” i kanë trungjet e thara në një pjesë të mirë të tyre dhe një rrezik i tillë ishte paralamjëruar prej kohësh.
Shoqata “Durrësi Autokton” e ka ngritur këtë shqetësim në institucionin e Bashkisë së Durrësit sa herë që i është dhënë mundësia. Nuk ka nevojë që të jesh specialist i fushës për të kuptuar që palmat janë tharë dhe duheshin marrë masat prej kohësh me krahasitje të rregullta, që mos të mbërrinte kjo pikë”, tha Deliallisi për Median Amfora.
Rrëzimi i palës gjatë fundjavës rrezikoi kalimtarët dhe drejtuesit e mjeteve që lëviznin në këtë zonë, një nga më të frekuentuarat në qytet. Rrëzimi i saj nuk shkaktoi të lënduar, ndërkohë që pësuan dëme materiale dy automjete që ndodheshin të parakuara në rrugë.
Ngjarja shkaktoi bllokimin e përkohshëm të trafikut, ndërsa forcat e policisë mbërritën në vendngjarje për të menaxhuar qarkullimin dhe siguruan zonën deri në largimin e palmës nga rruga.
Ky nuk episodi i parë që ndodh në këtë bulevard, por edhe në zona të tjera të qytetit bregdetar. Në janar të vitit 2020 dy persona kalimtarë të rastësishm mbetën të lënduar si pasojë e rrëzimit të një palme në sheshin “Azem Hajdari”.
Në një njëjtin vend disa kohë më parë u përsërit e njëjta ngjarje me rrëzimin e një palme, pas erërave të forta. Po kështu edhe në 24 dhjetor të vitit 2019 rrëzimi i një palme në këtë zonë vuri në rrezik jetën e kalimtarëve.
Mbjellja e palmave në Durrës është bërë masivisht gjashtë vite më parë në disa sheshe dhe bulevarde në qytet, gjatë zbatimit të projekteve për rikualifikimin e tyre. Por ato janë kthyer në rrezik evident prej vitesh për shkak të rrëzimit të tyre.
“Kur do t’i heqi palmat bashkia me ndërmarrjen e saj të shërbimeve, kur ato të marrin jetë qytetarësh apo të lënë të plagosur turistë që grupe-grupe çdo orë janë në qytet”, pyeti me shqetësim Deliallisi.
Ajo që duket qartë si në rastin e Bulevardit “Epidamn”, Sheshin “Azem Hajdari” apo në “Plazhin e Madh”, është fakti se janë tharë dhe asnjë masë nuk po merret për trajtimin e tyre.