Restaurimi i “Mozaikut Shqipëria” rikthen debatin për të shkuarën komuniste
Përfundimi i restaurimit të “Mozaikut “Shqipëria” ka ngjallur reagime rreth simboleve të veprave artistike të realizuara gjatë periudhës së realizimit socialist, duke nxjerrë në plan të dytë vlerësimin teknik mbi ndërhyrjen që kushtoi gati 1 milion euro.
“Mozaiku Shqipëria” është cilësuar si mozaiku i shqiptarëve, që nga një vepër artistike u kthye në një simbol identifikues të artit përgjatë periudhës së regjimit komunist në Shqipëri.
Vepra e realizuar në vitin 1981 qëndron në fasadën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar në zemër të kryeqytetit dhe sipas idesë së realizimit ai pasqyron etapat më të rëndësishme të kombit shqiptar, që nga antikiteti deri në zhvillimin e socializmit.
Ceremonia e inagurimit të punimeve restauruese më 17 maj zgjoi debatin rreth veprave artistike të realizuara gjatë periudhës së komunizmit në vendin tonë, duke e ndarë opinionin publik midis atyre që mendojnë se restaurimi duhej të rikthente yjet dhe një libër, që simbolizonte librin e Partisë Komuniste dhe të tjerë që kërkonin çmontimin tërësor të mozaikut.
Megjithëse sipas studiuesve këto dy simbole i mungojnë mozaikut që prej vitit 1993, pas vendimit të Këshillit të Ministrave me numër 554, “Për heqjen e simboleve të komunizmit nga mozaiku në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë”, e cila duket se ishte harruar.
“Sa e shkurtër është kujtesa. Një veprim të vitit 1993, po e kujtojnë sikur ndodhi në vitin 2023”, shkruajti në “Facebook” historiani Kastriot Dervishi.
Ndërsa studiuesi Auron Tare reagoi me anë të një postimi po në “Facebook”, duke kujtuar heqjen e simboleve, vepër të cilën e konsideroi si heqje pa të drejtë të një epoke të përfunduar. “A duhet retushuar historia në këtë mënyrë?”, ngriti pikëpyetjet Tare.
Personazhet e mozaikut që nga periudha e atikitetit, rilindjes, luftës nacional-çlirimtare dhe periudhës së socializmit nuk i shpëtuan dëmtimeve nga tërmeti i vitit 2019.
Projekti “Bashkimi Evropian për Kulturën” (“EU4Culture”) parashikoi ndërhyrje restauruese në mozaikun me sipërfaqe rreth 560 m2, me vlerë gati 1 milion euro dhe projekti u zbatua nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) dhe Ministria e Kulturës.
Mozaikë, skulptura dhe monumente që ndodhen në sheshe, prodhime të shumta të kinematografisë shqiptare që propagandojnë sistemin komunist, vazhdojnë të jenë në qendër të shumë debateve nëse duhet të vazhdojnë të ekspozohen apo të transmetohen.
“Mozaiku Shqipëria” është një veper që mban autorësinë e Josif Drobonikut, Vilson Kilicës, Anastas Kostandinit, Agim Nebiut dhe Aleksandër Filipit dhe përbëhet nga gurë me 123 nuanca, të marra në një fabrikë në Venecia, Itali, ku u shkua sërish për të marrë materiale për restaurimin.