Restaurimi i Burgut të Spaçit, kritika për mungesë profesionalizmi dhe cilësie
Një grup aktivistësh paralajmërojnë një protestë kundër projektit të restaurimit të Burgut të Spaçit, që ka nisur të zbatohet nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Sipas aktivistëve ndërhyrja po shkatërron memorien dhe është përpjekje për të fshirë historinë e ish-Burgut të Spaçit.

Një nga objektet pas ndërhyrjes restauruese. Foto: Arnen Sula, "Facebook"
Në ish-Burgun e Spaçit po kryhen punime që synojnë konservimin dhe restaurimin e ndërtesave ekzistuese, si një nga burgjet më të egra të regjimit komunist në vendin tonë, por këto ndërhyrje sipas ekspertëve po cenojnë identitetin e objekteve.
Nëpërmjet postimeve në rrjetet sociale aktivistët kanë bërë thirrje për reagim qytetar në lidhje me rikonstruksionin që po kryhet në ish-Burgun e Spaçit, nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK).
Sipas dy aktivisteve dhe eksperteve, Sidorela Vatnikaj dhe Eltjana Shkreli, projekti po shkatërron dhe po humbet vlerat e memories së Burgut të Spaçit, një ish-institucion i vuajtjes së dënimit gjatë komunizmit dhe i kthyer në muze një vit më parë.
“Siç shihet qartë, ky është një projekt shkatërrimi dhe jo ruajtje. Godina në të majtën time e ka humbur totalisht funksionin e vet, si dhe identitetin”, është shprehur Sidorela Vatnikaj, me anë të një video të postuar nga Burgu i Spaçit.
Në postimin e saj, Vatnikaj është shprehur se nuk bëhet fjalë për një restaurim jo të mirë, por për një përpjekje për të fshirë historinë, duke e transformuar fasadën dhe brendësinë e ndërtesave historike.
“Ky nuk është thjesht një restaurim i keq, kjo është një përpjekje për të fshirë historinë jo vetëm të qindra të burgosurve që vuajtën dënimin aty, të mijëra familjarëve të vet, por edhe historinë tonë, kolektiven, të shkuarën dhe pamundësinë për t’i ikur diktaturës sepse nuk e kemi njohur kurrë e aq më pak dënuar, përkundrazi i kemi dhënë vetëm një furçë bojë të bardhë”, është shprehu ajo.

Punimet janë miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale përmes vendimit të 6 dhjetorit 2024 dhe kanë karakter konservues-restaurues. Për to si aplikues është Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe mbikqyrjen e punimeve po e realizon Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër.
“Pasojat e një shteti që funksionon JOprofesionalisht dhe për më tepër e legjitimon shkatërrimin e dëmtimin e trashëgimisë sonë – duke e miratuar e zbatuar…”, u shpreh në mediat sociale arkitektja dhe aktivistja, Eltjana Shkreli.
Ndërsa të tjerë ekspertë apeluan për një ndërhyrje e cila ruan identitetin e ndërtesave ekzistuese, duke shfaqur gjurmët e ish-të burgosurve përgjatë diktaturës në këtë mjedis që konsiderohej si nga më të rreptit, i ngritur në thellësi të zonës së Mirditës, në fshatin Kodër-Spaç.
“Këto punime duhet të ndalen menjëherë! Çdo ndërhyrje në këtë hapësirë të ndjeshme duhet të bazohet në një studim serioz historik e konservues, duke u mbështetur në rrëfimet e ish-të përndjekurve politikë, por edhe të ish-punonjësve të sistemit që kanë qenë pjesë e strukturës së Spaçit”, shkruajti arkitekti dhe urbanisti Arnen Sula.
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore nuk ka reaguar ende përmes një njoftimi zyrtar për qëndrimet e aktivistëve, të cilët e kritikojnë ndërhyrjen si jo profesionale dhe tjetërsuese për vlerat e objektit historik.