Reshjet e janarit dëmtuan 4 monumente kulture, shumë të tjerë në rrezik

Reshjet e 6 janarit 2026 dëmtuan katër monumente kulture, ndërsa rreth dhjetë të tjerë rezultojnë në gjendje të amortizuar ose në risk. Disa prej tyre kanë marrë ndërhyrje emergjente, ndërsa për të tjerët projektet e restaurimit mbeten në planifikim.

Reshjet e fillimvitit kanë shkaktuar dëmtime serioze në të paktën katër monumente kulture në vend, ndërsa rreth dhjetë objekte të tjera rezultojnë në gjendje të amortizuar ose në risk. 

“Në qarkun e Beratit është konstatuar dëmtim në muraturën e gurit në Urën e Palecit, në fshatin Tozhar, në Poliçan, Monument Kulture i Kategorisë së Parë, ku gurët janë shkëputur plotësisht”, tha Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit në një përgjigje për Median Amfora.

Dëmtime janë evidentuar edhe në disa objekte të tjera në jug të vendit, sipas raportimeve të drejtorive rajonale.

“Ka pasur dëmtime në objektet: Ura e Katiut në Përmet, banesa Lolomani në lagjen ‘Pazar i Vjetër’ në Gjirokastër, ku është shembur një pjesë e murit; muri rrethues i ambientit të jashtëm i kishës së Leusës, Përmet, si dhe dëmtime të vogla në çatitë e disa banesave monument kulture në Gjirokastër”, sqaroi Ministria.

 Pas inspektimeve në terren, institucionet e trashëgimisë kanë evidentuar edhe një sërë monumentesh në gjendje të amortizuar ose me rrezik degradimi.

“Në monumentet e kulturës godina e ish-burgut të vjetër në Kalanë e Elbasanit, një pjesë e çatisë është e rrëzuar dhe ka çarje në mure; muri i Kalasë së Elbasanit me dëmtime në pjesën jugore; banesa e Eleni Papajanit në lagjen ‘Kala’, Elbasan, ndodhet në gjendje shumë të amortizuar; banesa e Staf Nikollë Papajanit me probleme në çati dhe amortizim të përgjithshëm; si dhe godina ku u zhvillua Konferenca e Labinotit, në gjendje tepër të amortizuar dhe në risk”, sqaroi institucioni. 

Gjithashtu janë evidentuar: Ura e Gurtë në Grabovë e Sipërme, e cila paraqitet relativisht e amortizuar; manastiri i Shën Gjon Vladimirit në Bradashesh, me dëmtime në një fragment të murit rrethues; Kulla e Turanit në gjendje të degraduar; Ura e Golikut, e qëndrueshme por me nevojë për restaurim dhe konsolidim; si dhe kisha e Shën Kollit në Voskopojë, me problematika në pjesën e çatisë. 

Shumë prej këtyre monumenteve paraqiten me dëmtime të akumuluara ndër vite dhe janë klasifikuar si objekte në gjendje të amortizuar ose në risk. Problematikat lidhen kryesisht me degradimin gradual të strukturave dhe mungesën e ndërhyrjeve restauruese në kohë.  

Për një pjesë të monumenteve të dëmtuara ose në risk janë hartuar dhe miratuar projekte restaurimi, ndërsa të tjerë janë përfshirë në planifikimet buxhetore për vitet në vijim, pa u përcaktuar afate konkrete për nisjen e ndërhyrjeve.  

Sipas Ministrisë, ndërhyrje të plota restauruese priten në objekte si Ura e Palecit në Poliçan, disa banesa historike dhe godina e Konferencës së Labinotit në Elbasan, si dhe në monumente të tjera për të cilat projektet janë në proces ose në pritje financimi gjatë viteve 2026 – 2028.

Në disa prej objekteve të dëmtuara janë ndërmarrë ndërhyrje emergjente për stabilizimin e strukturave dhe për garantimin e sigurisë. Ndërkohë, sipas raportimeve të institucioneve të trashëgimisë, nuk janë evidentuar dëmtime në qendrën historike të Beratit, në monumentet e administruara nga DRTK Shkodër dhe Vlorë, ndërsa sistemi mbrojtës i Xhamisë së Plumbit në Shkodër rezultoi funksional gjatë reshjeve.  

Stina e dimrit vijon të nxjerrë në pah problematikat e trashëguara të monumenteve të kulturës në vend, duke treguar se mungesa e mirëmbajtjes dhe ndërhyrjeve në kohë i bën ato më të ekspozuara ndaj dëmtimeve sa herë përballen me kushte të vështira atmosferike.