Raporti për zgjedhjet në Durrës: Votimi ishte i ligjshëm, por jo i barabartë

Raporti përfundimtar i Shoqërisë Civile në Durrës mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit vlerësoi përgatitjen e KZAZ-ve si të përputhshme me ligjin, por jo të përkryera në praktikë. U evidentuan mangësi serioze në përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara dhe vonesa në ngritjen e komisioneve.

Gjatë zgjedhjeve të 11 majit në Durrës. Foto ilustruese: Media Amfora

Qendra për Zhvillimin e Zhvillimin e Shoqërisë Civile (CSDC) Durrës publikoi së fundmi raportin përfundimtar “Mbi angazhimin e KZAZ-ve në Qarkun Durrës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025”, duke e vlerësuar procesin e përgatitjes në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullator përkatës, por ende larg plotësimit të të gjitha kushteve.

“Vlerësimi i përgjithshëm për punën e  KZAZ-ve dhe për mënyrat sesi i morën vendimet, në mesatare vlerësohet në raport në nivelin ‘I mirë’, respektivisht me 8.9 pike dhe 8.0 pikë. KZAZ-të e administruan procesin e vlerësimit dhe numërimit të votave në përputhje me kërkesat e ligjit”, shënohet në raport.  

Ai theksoi se u vëzhgua vetëm një rast ku një KZAZ nuk mori vendim për numrimin fillestar të votave në kutinë e votimit të qëndrës së votimit – “Ky numrim u krye nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ)”, theksoi raporti.   

Objekti i vëzhgimit ishte procesi zgjedhor përpara ditës së zgjedhjeve, fushata zgjedhore dhe dita e votimit. Vëzhguesit afatgjatë monitoruan KZAZ-të në Qarkun Durrës, mbi punën që bënë për të përgatitur zhvillimin e procesit në këtë territor. 

Raporti shpjegoi se konstituimi i KZAZ-ve u krye në përputhje me kërkesat e Kodit zgjedhor dhe vendimet përkatëse të Komisionerit shtetëror për zgjedhjet. Ai nënvizoi faktin se komisionerët u zëvendësuan në 7 raste gjatë procesit të zgjedhjeve në këtë qark pa dhënë arsye. 

Problematika që u has edhe në këtë proces zgjedhor në Durrës ishte fakti se nuk u kijuan mundësitë për votimin e personave me aftësi të kufizuara, shumë prej të cilëve nuk e ushtruan dot të drejtën e tyre të votës. 

“KZAZ-të nuk plotësuan në çdo rast kërkesën për vendosjen e qendrës së votimit ose organizimin e saj në mënyrë që të mundësohej votimi i zgjedhësve me aftësi të kufizuara fizike”, theksoi raporti.  Po kështu për personat me aftësi të kufizuara shikimi nuk u mundësua zgjedhja me fletë votimi në shkrimin “Brail”, që është një mënyrë e votimit e përshtatur për personat e verbër ose me shikim të dëmtuar, që u mundëson atyre të votojnë në mënyrë të pavarur, të fshehtë dhe të barabartë me qytetarët e tjerë. 

Raporti gjeti parregullsi edhe në kohën e ngritjes së komisioneve të qendrave të votimit, duke shkelur afatin e përcaktuar në ligj. 

“Rreth 24.1 përqind e komisioneve në qendrat e votimit u ngritën me vonesë si pasojë e vonesave në propozimet për anëtarë të këtyre komisioneve nga Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë”, shpjegon raporti.  

Në komisionet e qendrave të votimit rreth 28.6 % e anëtarëve ishin gra/vajza. Ndërsa raporti theksoi se pati vonesa në dërgimin e materialeve zgjedhore në 12% të qendrave të votimit. 

“Dërgimi i materialeve zgjedhore, listat e zgjedhësve, fletët e votimit dhe gjithë pajisjet e nevojshme për zhvillimin e procesit të votimit, në përgjithësi KZAZ-të i dërguan në qendrat e votimit në kohën e parashikuar në ligj dhe në udhëzimin e KQZ. Vonesa u vrojtuan në rreth 12 % të qendrave që u monitoruan nga vëzhguesit afatgjatë të CSDC”, shkruan raporti.  

Në Njësinë Zgjedhore të Qarkut Durrës, CSDC Durrës u aktivizuan gjashtë vëzhgues afatgjatë dhe 40 vëzhgues afatshkurtër, me mbështetjen e Albanian National Training and Technical Assistance resource Center (ANTTARC) dhe Institutit për Politika dhe Studime Ligjore (IPLS), përmes mbështetjes së Bashkimit Evropian.

Nga ana tjetër nga vëzhgimi i Medias Amfora më 11 maj në Qendrat e Votimit u konstatuan anëtarë të krimit të organizuar në periferinë e Durrësit, duke intimiduar votuesit dhe duke i orientuar në subjektet politike të lidhura me ta.