“Qyteti që Rrëfen”, nisma që sjell një tjetër dimension të Durrësit historik

Gjashtë pasaporta të familjeve më të vjetra durrsake, me kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e qytetit, kanë dokumentuar veprat e figurave të spikatura që formësuan historinë e Durrësit modern dhe që spikatën në disa fusha, si në mjekësi, diplomaci, tregti, arsim dhe në lëvizjen patriotike.

Nisma “Qyteti që Rrëfen” ka dokumentuar historitë e 6 familjeve të vjetra në Durrës, duke i përmbledhur në një format kreativ, të quajtur pasaporta e familjes dhe që synon të orientojë të rinjtë drejt të kaluarës, me qëllim që të vlerësojnë të tashmen. 

Ajo u ndërmor nga të rinjtë e Grupimit Informal “Busulla e Trashëgimisë”, të apasionuar pas kulturës dhe trashëgimisë kulturore, në bashkëpunim me ekipin e Medias Amfora, përmes mbështetjes së Leviz Albania, një Projekt i agjencisë Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, SDC.

“Ne i kemi përmbledhur të dhënat dhe i kemi sjellë në një format kreativ, duke i quajtur ‘pasaporta e familjes’, në të cilën kemi vendosur informacione rreth origjinës së saj, firgurave kryesore, kontributit të tyre dhe duke i publikuar më pas në faqen e Medias Amfora”, rrëfeu iniciatori i nismës, Geri Emiri. 

“Këto janë shoqëruar edhe me video të ciklit “Kultura në 1 Minutë” dhe me podcastet e ciklit “Zëri i Kulturës“, shtoi Emiri.

Që nga krijimi i 6 pasaportave për familjet më të vjetra, tek takimet me trashëgimtarët e familjeve, podcastet dhe videot, të gjitha janë krijuar me qëllimin që të rinjtë të njohin edhe më shumë të shkuarën dhe kontributin e familjeve më në zë të qytetit. 

Për autorin e studimit, Dorian Hatibi, mbi të gjitha nisma solli modelet aq shumë të munguara  në shoqërinë tonë sot. 

“Sot jemi dëshmitarë që demokracia po sfidohet çdo ditë e më shumë, jo vetëm nga mosdija, gjysmë të vërtetat apo nga mungesa totale e informacionit, por sepse mbi të gjitha mungojnë modelet”, tha Hatibi. 

“Përmes projektit “Qyteti që Rrëfen” ne kërkonim që t’i rikthenim Durrësit kujtesën e një momenti kur modelet në histori nuk mungonin. Përmes këtyre rrëfenjave ne kërkonim që ta frymëzonim rininë, përmes modelve të gjalla, jo të largëta, por modeleve që disa prej tyre ende jetojnë, të cilëve qyteti i detyrohet shumë”, shtoi ai. 

Nisma është mikpritur nga pasardhësit e familjeve të vjetra, të cilët jo vetëm që kanë ndihmuar në mbledhjen e të dhënave, por ndihen të vlerësuar që për herë të parë u realizua kjo iniciativë.

“Dokumentimi i familjve të vjetra durrsake është një iniciativë shumë e vlefshme, që është ndërmarrë, për të vlerësuar dhe evidentuar aktivitetet që ka bërë qytetaria durrsake gjatë një periudhe kohore jo të shkurtër”, tha Josef Tedeschini, një nga pasardhësit e familjes së njohur Tedeschini. 

“Përgatitja e këtyre pasaportave, që janë origjinale dhe të parat e këtij lloji paraqesin në mënyrë të qartë veprimtarinë e shumë njerëzve. Përfshirja në këtë proces ka qenë një dëshirë e madhe sepse gjërat harrohen dhe duhet të jetë një shkëndijë që ta jep dikush tjetër, që të fut në një hulli që prej aty të nxjerrësh gjërat që s’të ka shkuar mendja më parë për t’i bërë”, shtoi ai. 

Për autorin e studimit burimet që janë përdorur për realizimin e këtyre pasaportave kanë qenë më të mirat e mundshme. 

“Sfida jonë ishte që të përcillnim një histori sa më objektive, bazuar tek faktet. Burimet që kemi përdorur si rrjedhojë kanë qenë burimet më të mira të mundshme. Ato janë burime arkivore, memuarët, kujtesa e personazheve që janë ende gjallë, botimet e fletoreve zyrtare të kohërave të ndryshme dhe sigurisht mediat e kohës”, shpjegoi Dorian Hatibi. 

Për të rinjtë që u përfshinë në këtë projekt koha ka kaluar shumë shpejt dhe ata kanë mësuar të pathëna që do t’i mbeten gjatë në mendje. 

“Përgjatë këtyre nëntë muajve të rinjtë e Grupimit Informal Busulla e Trashëgimisë kanë zhvilluar takime, kanë realizuar intervista me përfaqësuesit e 6 familjeve më të vjetra dhe më me ndikim të qytetit të Durrësit”, rrëfeu Jola Grembi.

“Ajo që e ka bërë intersante këtë rrugëtim ka qenë qasja e të rinjve dhe interesimi për këto histori që ato kanë dëgjuar, për personazhet që kanë marrë informacion”, shtoi e reja, pjesë e “Busullës së Trashëgimisë”. 

Për Hatibin burimet historike janë bashkuar me rrëfimet e trashëgimtarëve që ende jetojnë, por edhe ato të përcjella nëpërmjet familjarëve të tyre. 

“Kanë qenë burimet që ne jemi përpjekur që t’i kombinojmë bashkë për të dhënë një version sa më objektiv të ngjarjeve. Kishte ngutje në lidhje me mbledhjen e informacionit dhe kujtesës së personazheve, një pjesë e të cilëve fatkeqësisht nuk janë më me ne”, shpjegoi Hatibi.

“Kjo e bënte të ngutshme mbledhjen e informacionit dhe kujtesës të sa më shumë personaliteteve që janë ende me ne. Në një farë mënyre ishte edhe një respek për gjithë jetën dhe ngjarjet që ata kanë përjetuar”, përfundoi Hatibi. 

Të rinjtë e përfshirë në nisëm shprehen se kanë mësuar shumë rreth Durrësit dhe historive të padëgjuara që do tu vlejnë gjatë. 

“Informacionet rreth Durrësit janë të pakëta. Shohim që ato janë të fokusuara në Shqipëri në përgjithësi. Kjo eksperiencë më ka shërbyer, pasi kanë qenë informacione të vërteta nga familjet që kanë qenë prezente në të shkuarën. Kam mësuar se ata kanë kontribuar jo vetëm në qytetin tonë, por dhe në Shqipëri në përgjithësi dhe emrat e tyre do të mbahen mend”, tha Alesja Shuli, një e re nga “Busulla e Trashëgimisë”.

Për pasardhësin e familjes Tedeschini informacionet mund të shërbejnë edhe si leksione për të rinjtë. 

“Këto janë disa mini-leksione për rininë. Ata duhet të shohin dhe të mësojnë për tolerancën që duhet të ketë mes njëri-tjetrit, për patriotizmin që duhet të ketë rinia për ta dashur sa më shumë vendin, sidomos qytetin ku ata jetojnë, për të ruajtur sa më shumë trashëgiminë kulturore. Duke parë këto tipare të mira, të cilat ne trashëgojnë dhe duke medituar, e reflektuar më thellë”, përfundoi Josef Tedeschini. 

“Nga të gjitha historitë që kam dëgjuar mbaj mend nga familja që tek Familja Myshketa, përveç gjurmëve që kanë lënë në historinë tonë, një gjë e rëndësishme është edhe muzika. Secili nga trashëgimtarët kishte një talent në muzikë, gjë e cila shihet ende sot nga trashëgimtarët që jetojnë”, tha Ardenisa Bakaj, një e re nga “Busulla e Trashëgimisë”.

“Një nga historitë më intersante të familjeve intelektuale në Durrës është ajo e Familjes Nushi, të cilët ishin ndër themeluesit e parë të skuadrës së futbollit. Gjithashtu dhe themelues të sporteve të tjera, si kanotazhi dhe ‘Water Polo'”, përfundoi Arlis Muka, nga “Busulla e trashëgimisë”.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109