“Pushtimi i paqtë” kulturor i Shqipërisë përmes telenovelave turke

Serialet televizive kanë ndikuar në ndryshimin e perceptimeve dhe krijimin e një imazhi pozitiv të Turqisë te audienca shqiptare, që sipas ekspertëve bie në kontrast me orientimin kulturor që shqiptarët synojnë përmes integrimit në Bashkimin Europian.

Në familjen e Kujtimit në qytetin e Krujës, serialet televizive nga Turqia kanë vite që tërheqin vëmendjen e tij, të bashkëshortes, vajzës dhe prindërve, që çdo pasdite dhe mbrëmje i gjen përpara televizorit sipas orareve që ato shfaqen. 

“Kemi vite që i ndjekim rregullisht, sepse na tërheqin. Më mirë shohin telenovela se sa debate të mërzitshme dhe spektakle pa pikë vlere,” tha ai për median “Amfora”. 

Përgjatë muajve tetor-nëntor 2022, media “Amfora” kontaktoi me 42 qytetarë përmes një pyetësori të publikuar online – ndjekës të rregullt të serialeve të krijuara në Turqi, të cilët konfirmuan popullaritetin e këtyre serialeve në Shqipëri. 

Të dhënat kryesore të mbledhura tregojnë se: 

Popullariteti i serialeve turke në Shqipëri shpjegohet sipas ekspertëve me disa elementë kulturorë të ngjashëm, por edhe mbi faktin se prodhime të tilla synojnë të arrijnë në masën e shoqërisë. 

60% e të anketuarve kanë ndjekur mbi 5 seriale televizive turke

58% e personave thanë se perceptimi i tyre rreth Turqisë kishte ndryshuar për mirë 

40% e ndjekësve thanë se kishin mësuar më shumë për gjuhën dhe kulturën turke 

17% kishin mësuar më shumë për Turqinë moderne dhe po aq për personazhet historikë 

“Mendoj se ka të bëjë me disa elemente kulturore të ngjashëm, me një raport social dhe familjar në subjekte që ngjasojnë me disa prej tipareve të njëjta të familjeve tradicionale në Shqipëri dhe në tërësi në Ballkan, si edhe me faktin se ka skena jo banale që nuk kanë nevojë për kufizime dhe ndaj mund të shihen nga familjet, moshat e ndyshme,” tha Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Historisë në Akademinë e Studimeve Albanologjike. 

Sipas Krasniqit, interesi në rritje lidhet edhe faktin se pjesa më e madhe e atyre që i ndjekin janë relativisht jo në marrëdhënie pune, pra kanë kohë në dispozicion dhe se nuk ka konkurrencë në ekranet shqiptare. 

Për sociologen Entela Binjaku, publiku shqiptar u është dorëzuar tashmë shijeve që përcillen përmes ekranit. 

 “Sot këto produkte mediatike kanë hyrë në të gjitha shtëpitë e qytetarëve, orë e pa orë, në të gjitha kanalet kombëtare dhe publiku ju dorëzua ngadalë shijeve që përcillen përmes ekranit”, analizoi Binjaku, pedagoge e Sociologjisë.

“Natyrisht të përbashkëtat në fjalët e fjalorit, në mentalitetin familjar, përputhshmëria në mjaft norma, koha e lirë e madhe, papunësia, mungesa e një jetë aktive e kulturore jashtë shtëpisë, varfëria që i privon qytetarët nga shumë mundësi për cilësi jete, ka bërë që ekrani të jetë dritarja e vetme e lidhjes me jetën jashtë,” shtoi Binjaku. 

Gati gjysma e të anketuarve janë të apasionuar pas romancave turke, megjithëse të dhënat e analizuara sugjerojnë se ekziston një ndarje e lehtë gjinore mes zhanreve që ndiqen. 

Rezultatet e përgjigjeve për pyetjen: “Sa telenovela turke keni ndjekur?”

Kujtimi nga Kruja i tha “Amfora”-s se së bashku me babanë ndjekin serialin historik “Osmani”, ndërsa gratë e familjes janë më shumë të apasionuara pas telenovelave romantike ose dramatike. 

“Unë dhe babai të hënën, të martën dhe të mërkurën shohim serialin turk ‘Osmani’ sepse na tërheq shumë tema historike që trajtohet”, tregoi ai. 

“Nëna, nusja dhe motra ime shohin telenovelat që shfaqen pasdite. Ato mbarojnë punët e shtëpisë, ulen përpara televizorit, pijnë kafen, bëjnë ndonjë bisesë grash mes tyre dhe shohin telenovelat që pëlqejnë,” shtoi Kujtimi. 

Ekspertët i shohin me dyshim vlerat kulturore që përcillen përmes telenovelave turke si dhe ndikimin e tyre afatgjatë në një vend që synon t’u bashkohet vlerave Perëndimore. 

Për sociologen Binjaku është gjithashtu shqetësuese që vlerat edukative të këtyre serialeve nuk kalojnë në asnjë filtër. 

“Këto prodhime mediatike kanë vlerat e tyre në përcjelljen e traditës dhe kulturës turke të prodhimit, por shoqëria jonë duhet të mbajë në mendje se shqiptari që jeton në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit, ‘lindjen e sheh në perëndim,” shtoi ajo. 

Edhe për politologun Krasniqi, popullariteti i telenovelave turke është në kontrast me orientimin kulturor që duhet të kenë shqiptarët. 

 “Ky zhvillim është në kontrast me orientimin kulturor që duam të kemi, me integrimin në Evropë nënkuptojmë shoqëritë e lira perëndimore, organizimi i të cilave vjen në kontrast me shumë nga elementet që i gjejmë në modelin kulturor oriental, sidomos ato që lidhen me të drejtat e njeriut, me liritë individuale dhe me orientimet politike,” tha ai. 

Tërheqja ndaj telenovelave turke, të cilat tashmë janë kthyer në një industri të suksesshme në Turqi ka shtuar interesin e shqiptarëve ndaj vendit të shtrirë midis Azisë dhe Europës.

58% e personave që plotësuan pyetsorin u shprehën se kishte ndryshuar për mirë perceptimi i tyre rreth Turqisë, pasi i kishin ndjekur serialet dhe kjo për Krasniqin do të thotë se ndikimi do të jetë më i gjatë se sa në rastin e serialeve të mëparshme që kanë ndjekur shqiptarët.   

Rezultatet e përgjigjeve për pyetjen: “Pasi i keni ndjekur këto telenovela, a ka ndryshuar perceptimi juaj mbi Turqinë?”

“Një dekadë më parë telenovelat braziliane apo meksikane ishin trendi në Shqipëri, ato nuk kanë arritur të ndryshojnë perceptimin publik mbi politikën e këtyre vendeve. E njëjta gjë mendoj se do të ndodhë në tërësi edhe në rastin e telenovelave turke,” tha ai. 

“Por  e përsëris, nëse media italiane ishte popullore në Shqipëri për dy dekada dhe italishtja ishte gjuhë e përhapur edhe nga ekrani, në rastin turk ndikimet orientale do të kenë ndikim kulturor shumë më tepër sesa rastet e cituara nga Amerika Latine”, shtoi Krasniqi. 

Një pjesë e të anketuarve u shprehën se tërhiqen nga mënyra se si paraqitet jeta në këto seriale, realizimi i tyre dhe qasja që ato ofrojnë ndaj realitetit.

“Pas kaq vitesh kur telenovelat janë pjesë e ekraneve shqiptare, publiku ynë ka krijuar edhe varësi ndaj temave të tilla sepse ka kuptuar se mungesa e një sigurie në jetën afektive, ose mungesa e një jete të tillë siç paraqitet në këto telenovela, i bën tërësisht të varur nga kërkimi për ta përmbushur atë,” analizon sociologia Binjaku. 

Për Kujtimin dhe familjarët e tij, telenovelat janë një alternativë përballë produksioneve sipas tij pa vlerë të ekraneve shqiptare. 

 “Po më mirë që të shohin telenovela se sa emisione politike me opinionistë që i sheh në çdo studio dhe japin mend për gjithçka apo ato emisionet e humorit, banale fare”, shpjegon Kujtimi. 

Sipas ekspertëve, oferta televizive me krijime shqiptare është e varfër dhe kjo e shtyn audiencën që të ndjekin serialet nga Turqia.

“Një pjesë e emisioneve në ekranet tona karakterizohen nga fjalori i varfër, mungesa e etikës në komunikim, të ftuar që flasin shumë e nuk thonë asgjë, shumë dhunë verbale, informohet në shumicën e kohës ose me ngjarje nga kronika ose nga politika,” analizoi sociologia Binjaku.

“Në shumë prej emisioneve pjesëmarrësit në bisedë përcjellin një frymë tensioni e konflikti, duke i ngarkuar emocionalisht spektatorët apo dëgjuesit”, shtoi ajo. 

Rezultatet e përgjigjeve për pyetjen:”Ndjekja e telenovelave turke ka ndikuar që të mësoni më shumë mbi:”

Ekspertët theksuan gjithashtu se Turqia po e përdor kinematografinë për ‘diplomaci kulturore’, ndërsa e krahasuan ndjekjen e tyre masive në Shqipëri me një ‘pushtim të paqtë”. 

“Natyrisht që Turqia i gëzohet faktit se telenovelat turke kanë akses të gjerë dhe natyrisht impakti i tyre ndikon edhe në imazhin e Turqisë, në termat gjuhësore që përdoren në to dhe në elementë të tjerë të ndikimit,” shpjegoi Afrim Krasniqi. 

“Ndikimi është relativ, sa më i madh ‘presioni’ mbi shikuesin, sa më e ulët shkalla e angazhimit të tij në jetën aktive, sa më i madh boshllëku shpirtëror e mendor, aq më i madh ndikimi dhe aq më shpejt arrihet të depërtohet në psiqikën shoqërore,” përfundoi Binjaku.