Protestë në Durrës pas përmbytjeve

Një marshim-protestë qytetare u zhvillua në Durrës, në zonën e Ish-Kënetës, pas përmbytjeve të fundit që lanë dhjetëra banesa nën ujë. Banorët kërkuan përgjegjësi dhe reagim institucional, duke akuzuar keqmenaxhimin urban dhe korrupsionin si shkaktarë kryesorë të situatës, ndërsa paralajmëruan vijimin e protestave, në mungesë të një reagimi nga autoritetet vendore.

Një protestë qytetare u zhvillua në Durrës, në kryqëzimin e Burgut, në lagjen Ish-Kënetë, një nga zonat më të prekura nga përmbytjet e fundit, ku qytetarët u mblodhën për të shprehur pakënaqësitë lidhur me pasojat e përmbytjeve dhe për të kërkuar përgjegjësi institucionale.

“Kam katër ditë që jam përmbytur dhe akoma e kam uji brenda. Askush ska ardhur të na shoh që akoma jemi në ujë”. Kështu u shpreh gjatë protestës së organizuar pasditen e së enjtes në Durrës, Fqiri Tafai banor i ish- Kënetës.

“Dëme ka sa të duash, por këtu sdo ta di kush. Nuk ëshhtë hera e parë që përmbytemi”, u shpreh Gjon Gjeleshi, një tjetër banor banesa e së cilit u përfshi nga vërshimi i ujit më 6 Janar.

Gjatë protestës u mbajtën pankarta dhe u dëgjuan thirrje për llogaridhënie dhe transparencë nga institucionet vendore, ndërsa përmbytjet u cilësuan nga protestuesit si pasojë jo e reshjeve, por e problemeve të vazhdueshme në menaxhimin urban dhe infrastrukturor.

Qytetarë që protestojnë. Foto: Media Amfora

Qindra banorë të kësaj zone u mblodhën në kryqëzimin e Burgut, ndërsa me ta u bashkuan dhe deputetë të opozitës dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Me thirrjet: “Nuk na përmbyti shiu, por korrupsioni” protestuesit që u shtuan në numër parakaluan drejt institucionit të Bashkisë Durrës. Për disa minuta rruga u mbajt e bllokuar. Protestuesit qëndruan më pas përpara godinës së bashkisë duke tentuar që të futen brenda saj, por u ndalën nga punonjës të Policisë Bashkiake. Banorët paralajmëruan se do ti vijojnë protestat e tyre.

Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, autoritetet nuk kanë reaguar lidhur me kërkesat e qytetarëve.