Projekti “Veliera”: I dobishëm apo i dëmshëm për Durrësin?

Në mars 2017, Bashkia e Durrësit nisi zbatimin e një projekti kontrovers me vlerë 6 milionë dollarë, për ndërtimin e sheshit “Veliera”, pranë Torrës Veneciane dhe qendrës turistike të qytetit.

Brenda pak ditësh dolën në dritë objekte arkeologjike që datojnë që nga periudha qytetare ilire dhe gjurmët e një bastioni osman, ku më vonë u ngrit konaku i Princ Vidit. Qytetarët dhe shoqëria civile protestuan për muaj me radhë kundër dëmtimit të objekteve arkeologjike, por protestat e tyre ranë në vesh të shurdhër.  

Projekti kaloi në një kalvar gjyqësor, përpara se Gjykata Administrative e Apelit të legjitimonte ndërtimin e “Velierës” edhe në zonën A të riskut arkeologjik, në shkurt të vitit 2019.

Por 4 vite më pas, projekti është ende i papërfunduar, ndërsa kostot e tij janë ende të paqarta.

Përmes këtij pyetësori, Amfora kërkon të dëgjojë qytetarë të Durrësit, vizitor, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë të trashëgimisë, për të mësuar më shumë rreth qëndrimit tuaj mbi projektin “Veliera” dhe ndikimin e tij mbi qytetin.

Duke marrë shkas nga ky projekt, ne duam gjithashtu të dimë mendimin tuaj mbi mënyrën se si është zhvilluar qyteti i Durrësit gjatë dekadës së fundit, ku objekte të ngjashme prej betoni kanë zëvendësuar hapësirat e lira, ndërtesa të trashëgimisë kulturore apo pasurinë arkeologjike.

Për t’u bërë pjesë e raportimit tonë, gjithë sa duhet të bëni është të plotësoni pyetësorin e mëposhtëm ose të na kontaktoni përmes adresës sonë të emailit: info@amfora.al ose bloguamfora@gmail.com, si edhe përmes rrjeteve tona sociale, në Facebook dhe Instagram: @Amfora.al dhe Twitter: @AlAmfora

Përgjigjet tuaja i presim deri më 25 shtator, ora 24:00.

Ky pyetësor është mbyllur pas përfundimit të afatit kohor për të mbledhur përgjigjet nga audienca jonë. Për të lexuar artikullin e publikuar për këtë temë klikoni këtu. Për më shumë mund të ndiqni edhe kategorinë Raportimi i Qytetarëve të Angazhuar