Projekti TID, banorët në protestë kundër zhvendosjes në banesa sociale
Banorët që kundërshtojnë prej muajsh projektin TID në Durrës protestuan sërish, duke refuzuar ofertën për zhvendosje në banesa sociale. Ata deklaruan se do të mbrojnë pronat dhe kërkojnë zgjidhje që respektojnë ato.
Gjatë protestës së banorëve kundër projektit TID. Foto: Media Amfora
Dhjetëra banorë në Durrës u mblodhën të enjten përpara godinës së bashkisë, duke kundërshtuar projektin TID dhe zgjidhjen e ofruar nga institucioni për zhvendosjen e tyre në banesa sociale.
“Ne banesa sociale nuk duam. Duam shtëpitë tona”, tha Kliton Doka, banor i lagjes nr. 3.
Banorët u mblodhën në protestën e radhës në sheshin “Liria”, duke përsëritur thirrjet “Larg duart nga pronat tona”.
“Unë kam shtëpinë time, me dokumenta dhe tapi. Përse duhet të shkoj në banesë sociale, kur e kam shtëpinë time”, tha Shpresa Braholli, një nga banoret e prekura nga projekti.
Projekti TID parashikon ndërhyrje urbane në zonën historike të Durrësit, që sipas institucioneve synon rikualifikimin e hapësirave dhe ndërtesave në këtë pjesë të qytetit. Projekti po zbatohet nga Bashkia e Durrësit në bashkëpunim me Fondin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe institucionet e trashëgimisë kulturore.
Banorët e zonës e kundërshtojnë projektin, duke thënë se prek banesat e tyre dhe se nuk janë konsultuar për zgjidhjet e propozuara. Ata kundërshtojnë çmimet e vlerësimit dhe alternativën e zhvendosjes në banesa sociale, ndërsa prej muajsh kanë zhvilluar protesta të njëpasnjëshme dhe kërkesa për pezullimin e projektit dhe negociata me institucionet.
“Me çmimet që na ofrohen nuk arrijmë të marrim një shtëpi as për të futur kokën. Banesat sociale nuk na takojnë, sepse jetojmë prej vitesh në shtëpitë tona” , tha Merita Topi, një nga banoret e zonës.
Banorët thanë se vlerësimi i pronave nuk u jep mundësi të sigurojnë një banesë tjetër në qytet dhe se zgjidhja e ofruar nuk i përshtatet situatës së tyre.
“Duhet të më marrin leje mua dhe të më thonë për çfarë arsye duan të më largojnë nga shtëpia”, tha Arjan Zhogu, banor i prekur nga projekti.
Gjatë protestës, banorët vijuan mbledhjen e firmave kundër projektit, ndërsa mbanin pankarta me thirrje kundër TID-it, Bashkisë së Durrësit dhe AADF-së. Ata bënë thirrje edhe përmes megafonit që zëri i tyre të dëgjohet dhe kërkesat e tyre të merren parasysh nga institucionet.
Prej muajsh, ata kanë ndjekur disa forma kundërshtimi, nga protestat e vazhdueshme në Durrës dhe tubimet para zyrave të AADF-së në Tiranë, te dërgimi i letrave në institucione dhe ndjekja e rrugëve ligjore kundër projektit.
Protesta, që zgjati për gati një orë përpara institucionit të pushtetit vendor, u mbështet edhe nga këshilltarë të opozitës në qytet. Deri në publikimin e këtij lajmi, Bashkia e Durrësit nuk kishte bërë asnjë koment lidhur me protestën e banorëve.