Pretendime për kërcënime ndaj MCN TV, thirrje për hetim nga organizatat e medias

Organizatat e medias bashkohen në reagim ndaj pretendimeve për kërcënime në MCN TV, duke kërkuar hetim të plotë dhe garantimin e sigurisë së gazetarëve.

Pretendimet për kërcënime ndaj MCN TV, të bëra publike nga pronari i televizionit Endri Meksi më 10 dhe 28 mars 2026, përfshirë raportime për hyrje të paautorizuar në ambientet e televizionit dhe kërcënime nga persona të armatosur, në një situatë të shoqëruar me deklarime publike kanë nxitur reagime nga organizatat e medias që kërkojnë hetim të shpejtë, të pavarur dhe transparent.

“SafeJournalists Network (SJN) thekson se çdo pretendim për kërcënime apo intimidim ndaj personave të lidhur me sektorin mediatik gazetarë, redaktorë apo pronarë mediash duhet të trajtohet me seriozitet dhe të hetohet në mënyrë të shpejtë, të pavarur dhe transparente nga autoritetet përgjegjëse”, shkroi rrjeti në një deklaratë të hënën.

Sipas informacionit të bërë publik, Endri Meksi ka deklaruar se ka qenë objekt i të paktën dy incidenteve të intimidimit, përfshirë një rast me hyrje të disa personave në ambientet e MCN TV rreth orës 20:00 dhe një tjetër me kërcënime nga persona të armatosur dhe të maskuar. Ai ka bërë të ditur se këto raste janë raportuar pranë policisë dhe prokurorisë, duke ngritur shqetësime për mungesën e një reagimi të detajuar institucional, ndërsa deri më tani nuk ka pasur konfirmim publik nga autoritetet ligjzbatuese për natyrën apo statusin e ndonjë hetimi.

Në të njëjtën kohë, Meksi ka bërë një dalje publike në televizionin e tij, ku ka trajtuar edhe çështje personale, duke deklaruar se kishte pasur një marrëdhënie jashtëmartesore me një kolege në MCN TV dhe se kjo situatë është përdorur për të ushtruar presion ose shantazh ndaj tij. Këto deklarime kanë shtuar një dimension tjetër në trajtimin e rastit, përtej pretendimeve fillestare për kërcënime.

Rasti ka nxitur reagime edhe nga gazetarë të lidhur me MCN TV, të cilët përmes deklaratave publike dhe postimeve kanë kërkuar sqarim dhe hetim të incidenteve të raportuara, ndërsa në media dhe në platformat online kanë qarkulluar narrativa të ndryshme dhe shpesh kontradiktore, përfshirë pretendime të paverifikuara për lidhje të mundshme me interesa biznesi apo politike.

Në deklaratën e saj, “SafeJournalists Network” e vendos situatën në një kontekst më të gjerë, duke theksuar se rasti zhvillohet në një mjedis kompleks ku ndërthuren çështje që lidhen me sjelljen personale, pronësinë e medias dhe praktikat editoriale, si dhe duke ngritur shqetësime për standardet profesionale dhe integritetin e mjedisit mediatik.

Nga ana tjetër, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar duke kërkuar hetim të plotë dhe transparent të pretendimeve.

“AGSH thekson se çdo pretendim për kërcënime apo intimidim ndaj personave të lidhur me median duhet të hetohet në mënyrë të shpejtë, të pavarur dhe transparente nga autoritetet përgjegjëse, në funksion të garantimit të sigurisë dhe besimit në institucionet.”

Reagimi i AGSH  e vendosur theksin tek nevoja për hetim institucional dhe respektim të procedurave ligjore.

Në vijim të deklaratës, AGSH bën thirrje për transparencë dhe veprim të qartë nga institucionet lidhur me këto pretendime, respektim të procesit të rregullt ligjor dhe raportim të përgjegjshëm nga mediat, të bazuar në verifikimin e fakteve, ndërsa thekson se siguria e gazetarëve dhe punonjësve të televizionit duhet të sigurohet në çdo rrethanë.

Duke marrë parasysh ndjeshmërinë dhe kompleksitetin e rastit, organizatat theksojnë nevojën për një hetim të shpejtë, të pavarur dhe transparent, si dhe për sqarim nga institucionet përkatëse mbi veprimet e ndërmarra, në mënyrë që gazetarët dhe punonjësit e medias të mund të ushtrojnë detyrën e tyre në mënyrë të sigurt dhe pa intimidim.